“Rreth nesh tani është ushtria siriane”, ka shkruar në një mesazh një grua nga Bosnje e Hercegovina, e cila, së bashku me fëmijët e vet ka gjashtë vjet që jeton në kampin më të madh për refugjatë dhe familje të militantëve të dyshuar të të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS), Al-Hol, në Siri.
Pas gati tetë vjetësh që nga zgjerimi i kampit në vitet 2018 dhe 2019, ky vend nuk është më nën kontrollin e forcave kurde.
Al-Hol u hap qysh në fillim të viteve ’90 për refugjatë nga Iraku, ndërsa vitet e fundit është bërë qendër për të cilin organizatat ndërkombëtare kanë përsëritur prej vitesh se është një nga vendet më të këqija ku shkelen të drejtat e fëmijëve.
Siria verilindore, e vendosur mes Turqisë dhe Irakut, është shtëpi e kurdëve dhe arabëve dhe para një dekade kontrollohej kryesisht nga Shteti Islamik, përpara se Forcat Demokratike Siriane (SDF) ta zmbrapsnin grupin militant me mbështetjen e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasi grupi terrorist humbi territore, në Al-Hol dhe në një kamp tjetër më në veri, Roj, u vendosën familjet e militantëve të dyshuar dhe persona që kishin jetuar në zonat që në Siri dhe Irak kontrolloheshin nga ky grup.
Në atë kohë, e gjithë pjesa verilindore e Sirisë administrohej nga pushteti autonom kurd me SDF-në.
Pasi në fund të vitit 2024 u rrëzua regjimi sirian i Bashar al-Asad dhe pushtetin e mori një aleancë rebele që më herët ishte xhihadiste nga provinca siriane Idlib - e udhëhequr nga Ahmed al-Shara - kurdëve u mbetën pjesët verilindore të vendit.
Megjithatë, më 18 janar, ushtria siriane nisi një ofensivë për ta marrë kontrollin edhe në pjesët e tjetra të vendit që administrohen nga kurdët.
“Kampi u çlirua nga kurdët”
Më 20 janar ushtria arriti në kampin e mbipopulluar, me kushte të këqija dhe nën kontroll të rreptë, Al-Hol.
“Kampi u çlirua nga kurdët. Tani po pritet të vijë ‘kryesori’ që të dihet çfarë do të ndodhë me ne”, është një tjetër mesazh i boshnjakes nga ky vend.
Ajo është një nga rreth 40 gratë në dy kampet e përmendura në Siri. Prej vitesh ato shpresojnë për riatdhesim në Bosnje.
Tani edhe një herë pyesin “a do të vazhdojë Bosnja të presë” dhe “çfarë duhet të bëjnë ato që t’i kthejnë në atdhe”.
Material i plubikuar në vitin 2022:
Në kampe ndodhen edhe më shumë se 60 fëmijë me origjinë nga Bosnja. Disa prej tyre kanë lindur në Siri dhe pothuajse gjithë jetën e tyre e kanë kaluar në kamp.
Organizatat ndërkombëtare humanitare kanë paralajmëruar disa herë se vendet e origjinës duhet t’i pranojnë shtetasit e tyre dhe t’i japin fund ndalimit të paligjshëm shumëvjeçar pa gjyq të të rriturve, e veçanërisht të fëmijëve.
Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar ndalimin e fëmijëve si shkelje të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e cila konfirmon se asnjë fëmijë nuk guxon të privohet nga liria në mënyrë të paligjshme apo arbitrare.
Përveç boshnjakeve me fëmijë, në Al-Hol ndodhen rreth 9.000 shtetase të huaja nga vende të ndryshme. Mes tyre është një numër i panjohur shtetasesh nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia dhe një shtetase e Kroacisë.
Radio Evropa e Lirë (REL) ka bërë përpjekje t’i kontaktojë disa prej grave nga Kosova në këtë kamp, por nuk ka arritur.
Motra e njërës prej boshnjakeve në kampin Roj, i cili ende është nën kontrollin e forcave kurde, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it se nga mesazhet ka mësuar se në kamp dhe përreth ka më shumë ushtri se zakonisht.
“Kurdët, më shkroi motra, janë grupuar në atë lokacion. Nuk po ndodh asgjë tjetër e pazakontë, por të gjithë janë të tensionuar, shqetësohen se çfarë mund të ndodhë”, tha Alema Dolamiq, motra e së cilës, Adela, ndodhet në kampin Roj që nga viti 2017 me tre fëmijë.
Bosnja punon për kthimin, por gjithçka varet nga partnerët
REL-i mësoi në fund të vitit të kaluar nga burime të sigurisë se “po punohet me urgjencë për riatdhesimin nga Siria”, si dhe se SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë Bosnjën në këtë proces të komplikuar, siç ishte rasti në vitin 2019 kur nga Siria u kthyen të organizuar 25 shtetas.
Në janar, në Siri duhej të shkonin pesë zyrtarë të Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), për të evidentuar shtetasit dhe për të finalizuar listat e përditësuara, informacione këto që REL-i i ka marrë jozyrtarisht nga agjencitë e sigurisë.
Ky duhej të ishte hapi i fundit përpara organizimit të largimit nga Siria.
Megjithatë, me ndryshimin e situatës në terren, përkatësisht pasi ushtria siriane mori kontrollin mbi kampet dhe burgjet, ky proces është pezulluar, mëson REL-i.
Një burim që është pjesë e Trupit Koordinues të përbërë nga disa agjenci dhe institucione, i shpjegoi REL-it se tani pritet sinjali nga partnerët se si të veprohet më tej.
RLE-i ka kërkuar informacion edhe nga ministri i Punëve të Jashtme Elmedin Konakoviq, si dhe nga Ministria e Sigurisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Këshilli i Ministrave të Bosnjës kishte miratuar në gusht të vitit 2022 planin për kthimin e shtetasve nga Siria.
Amerikanët transferojnë burra të lidhur me IS-in nga burgjet siriane në Irak
Nuk ka informacione se në çfarë situate ndodhen dhe ku saktësisht janë rreth 20 burra dhe tre të mitur nga Bosnja, të cilët ishin në burgje, pa gjyq, në Sirinë verilindore.
Burrat në burgje dyshohen se kanë qenë pjesëtarë e Shtetit Islamik, ndërsa të miturit, kryesisht, janë ndarë nga nënat në kampe dhe janë vendosur në qendra që administrata kurde i ka quajtur “qendra rehabilitimi”.
Organizatat humanitare e kanë kritikuar këtë praktikë.
Babai i njërit prej djemve nga Bosnja thotë se “nuk di absolutisht asgjë” se ku ndodhet djali i tij.
Rreth 200 luftëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik u arratisën më 19 janar nga burgu Shadadi në verilindje të Sirisë pas tërheqjes së SDF-së, por forcat qeveritare siriane kapën shumë prej tyre, tha një zyrtar amerikan.
Ministria siriane e Punëve të Brendshme njoftoi se rreth 120 të burgosur kishin ikur, nga të cilët 81 u kapën sërish.
Forcat ushtarake kurde më herët kishin deklaruar se në dhjetëra burgje ruanin rreth 10.000 militantë të dyshuar të Shtetit Islamik nga të gjitha anët e botës.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) më 21 janar nisi një mision të ri për transferimin e të burgosurve të Shtetit Islamik nga verilindja e Sirisë në Irak, me qëllim që “të sigurohet që terroristët të mbeten në objekte të sigurta ndalimi”.
Forcat amerikane kanë transferuar 150 burra që ndodheshin në një objekt në Hasaka drejt një lokacioni të sigurt në Irak. Në fund, deri në 7.000 të burgosur të IS-it mund të transferohen nga Siria në objekte nën kontrollin e Irakut, njoftoi CENTCOM.
“Po bashkëpunojmë ngushtë me partnerët rajonalë, përfshirë qeverinë irakiane, dhe e vlerësojmë sinqerisht rolin e tyre në sigurimin e humbjes së përhershme të IS-it”, tha admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM-it.
Iraku do t’i ndjekë penalisht të burgosurit e transferuar
Zëdhënësi i komandantit suprem të Forcave të Armatosura të Irakut, Al-Numan, tha se këta persona do të transferohen në institucione zyrtare shtetërore korrektuese.
“Grupi i parë tashmë është pranuar dhe përfshin 150 elementë terroristë, irakianë dhe të huaj, të cilët kanë qenë thellësisht të përfshirë në vrasjen e irakianëve të pafajshëm”, tha ai në një deklaratë zyrtare.
Për transferimet e ardhshme të të burgosurve do të vendoset më vonë, në bazë të vlerësimeve të situatës së sigurisë dhe terrenit, me qëllim frenimin e kërcënimit që paraqesin këta persona, thanë autoritetet irakiane.
Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi se gjykatat irakiane do të ndërmarrin “masa përkatëse ligjore” kundër të burgosurve pasi ata të dorëzohen dhe të vendosen në institucione të specializuara korrektuese, duke u thirrur në kushtetutën irakiane dhe ligjet penale.
“Të gjithë të dyshuarit, pavarësisht nga kombësia e tyre apo pozita brenda organizatës terroriste, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit të drejtësisë irakiane”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët irakianë thonë se, sipas masave ligjore, të burgosurit e Shtetit Islamik do të ndahen, ndërsa zyrtarët e rangut të lartë – përfshirë shtetas të huaj – do të vendosen në një objekt ndalimi me siguri të lartë pranë aeroportit të Bagdadit, i cili më parë ishte përdorur nga forcat amerikane.
Zyrtarët irakianë thonë se gjykatat në vend janë përgjegjëse për sigurimin e një procesi të drejtë gjyqësor.
Çfarë dëshiron Damasku, e çfarë kurdët?
Pas tri ditësh luftimesh, Siria më 20 janar shpalli armëpushim me forcat kurde dhe u dha atyre afat prej katër ditësh që të pranojnë integrimin në shtetin qendror, gjë që u mbështet edhe nga SHBA-ja.
Në një njoftim të qeverisë siriane thuhet se është arritur marrëveshje me SDF-në për hartimin e një plani integrimi për provincën Hasaka, me paralajmërimin se, në të kundërtën, forcat shtetërore do të hyjnë në dy qytete nën kontrollin e SDF-së.
Tensionet mes SDF-së dhe Damaskut këtë muaj u shndërruan në përleshje pas një ngecjeje disamujore në negociatat mbi fatin e luftëtarëve dhe territoreve nën kontrollin e SDF-së, e cila i rezistonte kërkesave të qeverisë që të shpërbëhej dhe të përfshihej në Ministrinë Shtetërore të Mbrojtjes.