Ndërlidhjet

Grevë e pakoordinuar e kirurgëve


Ilustrim
Ilustrim

Kirurgët e Klinikës Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritjen e pagave. Por, kësaj greve nuk iu kanë bashkuar kirurgët e klinikave tjera.

Rifat Bajrami, kirurg abdominal i tha Radios Evropa e Lirë se rastet urgjente do të operohen, kurse rastet tjera do të lihen në pritje, pasi që ato nuk do të merren parasysh për shkak të grevës.

Sipas tij, kirurgët po kërkojnë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme dhe rrjedhimisht të paguhet puna e vështirë dhe e përgjegjshme që kanë.

“Qëllimi i grevës është vetëm rritja e të ardhurave personale të kirurgëve. Ne do të vazhdojmë me tonën, ministria me të veten. Ne kishim edhe takim me ministrin, tash të shohim”, tha Bajrami.

Por, jo të gjithë kirurgët kanë hyrë në grevë. Kirurgu i fëmijëve, Nexhmi Hyseni, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesat për rritje pagash janë të arsyeshme dhe se nëse nuk realizohet një gjë e tillë edhe kolegët tjerë kirurgë do t’i bashkëngjiten kirurgjisë abdominale.

“Kirurgët abdominal kanë hyrë në grevë dhe mendoj se është e arsyeshme, pasi që pagat janë nënçmuese. Kërkesat janë të arsyeshme dhe mendoj se ditët e ardhshme edhe kolegët tjerë do të na bashkëngjiten. Ne po kërkojmë atë që na takon. Përgjegjësia është tepër e madhe në punë dhe paguhet shumë pak. Ajo duhet të shpërblehet për aq sa ka vlerë”, tha Hyseni.

“Kirurgjia pediatrike ka dy salla operative dhe bëhen deri në 10 operacione gjatë ditës. Deri në 2 mijë operacione të planifikuara bëhen për një vit, duke mos përfshirë rastet emergjente”, shtoi tutje Hyseni.

Ndryshe, të gjithë mjekët specialistë në institucionet publike shëndetësore, pavarësisht në çfarë fushe punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 euro në muaj. Kjo vlen edhe për infermierët, të cilët paguhen nga rreth 400 euro në muaj.

Sindikalistët e shëndetësisë thonë se kanë kërkuar që mjekët specialistë të radhiten në koeficientin 8, e cila do t’u siguronte atyre një pozitë më të dinjitetshme dhe rrjedhimisht paga më të mira.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka arsye për grevë, meqë tashmë sindikata është në negociata me zyrtarë qeveritarë pikërisht për rritje pagash.

“Greva nuk është e organizuar nga sindikata. Jo pse ne nuk dëshirojmë t’i rrisim pagat, por për shkak se ne jemi në negociata me Qeverinë e Kosovës”.

“Ajo çka po kërkoj është të kemi unitet mes kolegëve pasi që jemi në rrugë të mbarë”, tha Syla.

Ligji për pagat mbetet një nga prioritetet e vazhdueshme ligjore, por që nuk është miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Mungesa e këtij ligji e mban të padefinuar edhe nivelizimin e pagave.

Si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë “vuan” nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, mjekët kanë deklaruar se nuk është korrekte që pagat e mjekëve të jenë lineare.

XS
SM
MD
LG