Ndërlidhjet

Zaev: Gruevski ndoshta është kidnapuar!


Nikola Gruevski

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se institucionet po hetojnë mënyrën e arratisjes se ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, lëshimet e mundshme eventuale nga ana e zyrtarëve të caktuar dhe pasi të jenë siguruar të gjitha informacionet relevante, do të njoftohet opinioni me detajet dhe masat që do të ndërmerren.

Kryeministri tha se institucionet janë njoftuar nga autoritetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, se ish-kryeministri Gruevski i ka shfrytëzuar territoret e tyre për t'u arratisur nga Maqedonia në drejtim të Hungarisë.

Por, Zaev në një paraqitje para mediave, ka hapur edhe dilemën nëse Gruevski vullnetarisht ka lëshuar vendin, apo ndoshta edhe është kidnapuar, sipas tij.

“Çdo ambasadë është eksterritorialitet, përkatësisht është territor i një shteti tjetër, çdo veturë diplomatike, çdo avion varësisht se cilin flamur bart është eksterritorialitet ku nuk mund të veprojnë policia apo institucionet tjera. Nga ky aspekt, ngremë dilemën nëse ai këtë e ka bërë vullnetarisht apo është kidnapuar. Përgjigja e kësaj pyetjeje do të japë shumë përgjigje, të cilat meritojnë t'i dinë qytetarët tanë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ai ka theksuar se do të ketë përgjegjësi nëse hetimet që kanë nisur, dëshmojnë se ndonjë institucion apo individ është i përfshirë apo ka ndihmuar arratisjen e Gruevskit.

“Nëse përcaktohet përgjegjësi, me siguri se do të kërkoj llogari nga kushdo qoftë ai, përfshirë edhe mua si kryeministër, pasi opinioni këtë mund ta kërkojë në çdo moment. Unë, në të gjitha proceset kam qenë transparent dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Ligji vlen për të gjithë njësoj”, ka thënë Zaev duke i bërë edhe një herë thirrje autoriteteve hungareze që të marrin seriozisht kërkesën që po përgatitet për ekstradim.

“Lufta për sundimin e ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë imperativ në Maqedoni dhe në emër të kësaj qytetarët duhet ta dinë se do të bëjmë gjithçka që Gruevski të sillet këtu dhe ta vuajë dënimin me burg. Hungaria është mike jona, ajo po vazhdon të na mbështesë në aspiratat euro-integruese. Të gjithë dokumentacionin e duhur për ekstradim do ta bëjmë gati dhe do t’ua dorëzojmë autoriteteve të atjeshme, por edhe zyrtarëve të BE-së që të njihen me procedurat që të mos rrënojnë raportet me asnjë shtet anëtar të BE-së”, ka theksuar Zaev.

Policia shqiptare të enjten ka bërë të ditur se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka përdorur territorin shqiptar në rrugëtimin e tij drejt Hungarisë .

“Shtetasi Nikolla Gruevski më datë 11.11.2018, në orën ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikolla Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. INTERPOL-Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19:35 i ka dërguar INTERPOL- Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, thuhej në njoftimin e policisë shqiptare.

Edhe autoritetet e Malit të Zi kanë bërë të ditur hyrjen e Gruevskit në territorin e saj dhe kalimin e tij më pas në territorin e Serbisë me një makinë, në të cilën, sipas mediave në Podgoricë, ka qenë edhe një diplomat i Ambasadës hungareze.

Pala mbrojtëse e ish-kryeministrit, ndërkohë ka bërë të ditur se Nikolla Gruevski nuk i ka ikur drejtësisë, por kërcënimeve për jetën e tij dhe se klienti i tyre në çdo moment është i gatshëm për të dëshmuar pafajësinë.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës, u arratis të martën drejt Hungarisë ku ka paraqitur kërkesën për azil politik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG