Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut ende shpreson në marrjen e datës nga BE-ja


Shkup - Foto nga arkivi

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zv. kryeministri për çështje të Integrimeve, Bujar Osmani, dhe shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov, mbeten të angazhuar në Bruksel në lobimin për të shfrytëzuar dhe mundësitë e minutave të fundit, duke realizuar një varg takimesh me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian për marrjen e një vendimi pozitiv nga Samiti i Bashkimit Evropian.

Megjithëse pas takimit në Tuluz, të liderëve të dy vendeve që llogariten më me influencë si anëtare të BE-së, Macron dhe Merkel, janë bërë më të vakëta shpresat për një vendim pozitiv në Samitin e liderëve të BE-së.

Ekspertët thonë se pavarësisht se shtizat thyhen mes qëndrimit francez që synon përfshirjen e një metodologjie të re për zhvillimin e bisedimeve për zgjerimin e familjes evropiane, akoma ka mundësi që të gjendet një formë që Maqedonisë së Veriut bashkë me Shqipërinë, t’u caktohet datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

“Sipas të gjitha analizave , raporteve dhe pozicioneve të liderëve të caktuar të BE , megjithatë besoj se do të ketë vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe eventualisht edhe për Shqipërinë mund të ketë vendim, i cili do të jetë i kushtëzuar me shumë pika për t’u plotësuar që ishin pjesë edhe e Bundestagut gjerman”, thotë Mersel Billalli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përderisa Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane për Radion Evropa e Lirë thotë se deri në përfundim të samitit, të gjitha mundësitë janë të hapura.

“Deri nesër asgjë nuk do të jetë e qartë. Pres që të arrihet një balancim mes kërkesave të Francës për revidim të metodologjisë për zgjerimin e BE-së dhe dhënies së një sinjali pozitiv për të dyja vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por më duhet të theksoj se shanset po zvogëlohen që të përfshihet në vendim dhe caktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e këtyre dy vendeve në BE”, thotë Kacarska.

Nga ana tjetër, Mersel Bilalli, thotë se çështja duhet parë kundrejt një perspektive më të gjerë që ka të bëjë me të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe mbylljen e çështjeve të hapura.

Bilalli thotë se nëse Maqedonia e Veriut pas Marrëveshjes së Prespës nuk merr datë, atëherë ndëshkohet i gjithë procesi për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se Maqedonisë së Veriut do t’i caktohet datë (për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE) edhe për shkak të situatës së përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, ngase pas të gjitha këtyre ndryshimeve nëse Maqedonisë së Veriut si shtet, nuk i jepet shpërblimi i duhur, është e pamundur që të priten rezultate konkrete nga bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, vlerëson Bilalli.

Ai shton se hapja e negociatave do të bëhet sipas metodologjisë së re që e shtyn Franca, që do të thotë një rrugë shumë më e vështirë e për t’i plotësuar kushtet e përcaktuara nga Brukseli.

Ndërkohë, lideri i opozitës maqedonase VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, thotë se Maqedonisë së Veriut nuk do t’i caktohet datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, duke shtuar se çfarëdo vendimi tjetër që nuk paraqet “datë të pastër” , nënkupton de-legjitimim të politikave të kryeministrit Zoran Zaev.

XS
SM
MD
LG