Ndërlidhjet

Haradinaj 'i ruan' ministrat


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, foto nga arkivi.
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, foto nga arkivi.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, rrezikon të futet në një prej krizave më të thella që nga themelimi i saj. Tre ministra nga Partia Demokratike e Kosovës, për arsye të ndryshme mund të largohen nga postet aktuale dhe këtë e ka konfirmuar vetë Haradinaj.

Partia Demokratike e Kosovës paraqet subjektin më të madh në kuadër të koalicionit qeverisës, ku bëjnë pjesë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe si dhe partitë e komuniteteve joserbe.

Një ditë më herët, kryeministri Haradinaj ka përmendur se tre ministra të PDK-së mund të largohen nga qeveria e tij, por nuk ka treguar se për cilët ministra bëhet fjalë.

Ndërkaq, tashmë është konfirmuar se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili i përket PDK-së, ka ofruar dorëheqjen.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Foto nga arkivi.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Foto nga arkivi.

Por, kur është në pyetje ministri Abelard Tahiri, si kryeministri Haradinaj ashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po hezitojnë që të pranojnë dorëheqjen e ofruar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar strukturat e PDK-së në selinë qendrore në Prishtinë. Po ashtu, ai ka konfirmuar se ka takuar edhe ministrin Tahiri.

Në fund të takimit, Veseli tha se ende nuk e ka miratuar dorëheqjen e Tahirit, pasi që e konsideron si një prej ministrave më të mirë. Ai tha se vendimmarrja për këtë rast, nuk i takon vetëm ministrit Tahiri.

“Abelard Tahiri është ndër ministrat që ka bërë punë shumë të guximshme. Reformat në drejtësi. Nuk ka asnjë aferë korruptive. Jam i njoftuar me situatën në të cilën ai ndodhet, por vendimmarrja do të jetë e imja dhe e PDK-së dhe jo individuale”, tha Veseli.

Kryetari i PDK-së ka bërë me dije se dorëheqjet individuale nuk mund të ndodhin, përderisa partia dhe ai si kryetar të mos vendosin nëse do t’i miratojnë apo jo.

Edhe kryeministri Haradinaj ka konfirmuar se nuk e ka pranuar dorëheqjen e Tahirit, duke ia lënë vendimin në duar kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Haradinaj tha se ministri Tahiri është mjaft i suksesshëm dhe nuk e preferon largimin e tij.

“Ajo që mund të them është se në punë, ministri Tahiri ka qenë dhe është kompetent. Iu siguroj që qasja ime në punë është që t’ia jap vlerësimin atij që është në punë, pa paragjykime. Sido që të jetë, vendimet janë të partive politike. Pra, atë vendim që e merr z.Veseli dhe PDK-ja, atë vendim do ta respektoj edhe unë”, tha Haradinaj.

Koalicioni aktual qeverisës është ballafaquar me problemin e numrave që nga dita e formimit. Kjo qeveri, ishte formuar me 61 vota të deputetëve nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Qeveria Haradinaj po përballet edhe me problemin e shumicës në Kuvend, pasi që Lista Serbe pati vendosur që t’i mbajë postet ministrore në Qeveri, por në Kuvend ka kaluar në opozitë.

Nga ai moment, kjo qeveri konsiderohet se ka vetëm 51 vota të deputetëve, por ajo vazhdon të mbijetojë, pasi që edhe opozita nuk i ka 61 vota për rrëzimin e saj. Balancën mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend e mbanë Lista Serbe me 10 deputetë, duke e ruajtur pozicionin e saj neutral, me çka pamundësohet që njëra apo pala tjetër të ketë shumicën.

Nisur nga gjendja e koalicionit qeverisës me numrat në Kuvend, opozita ka ndërmarrë nismën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, por nuk e ka proceduar atë në organet e Kuvendit, ngase nuk i ka siguruar ende 61 votat e nevojshme për miratimin e këtij mocioni.

XS
SM
MD
LG