Ndërlidhjet

Dilema e opozitës – zgjedhje apo platformë e re për dialog


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po paralajmëron prezantimin e një platforme për dialogun me Serbinë, ndërkohë që thonë se nuk ka hequr dorë nga opsioni i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas tyre, vendi ka nevojë për institucione të reja e legjitime, duke kontestuar kështu legjitimitetin e qeverisë, por edhe presidentit të shtetit, që të përfaqësojnë Kosovën në dialogun me Serbinë dhe çështjet tjera jetike për vendin.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se mungesa, sipas tij, e legjitimitetit të institucioneve aktuale dhe insistimi i presidentit Hashim Thaçi për të çuara përpara procesin e dialogut pa legjitimitet demokratik, ka nxitur LDK-në dhe partitë e tjera që të mendojnë për një proces të shpejtë zgjedhor.

Por, njëkohësisht LDK, sipas Hotit, është duke ofruar, siç thotë ai, përvojat e saj të gjata me procese të shtet ndërtimit, edhe kur është në pyetje hartimi i një platforme për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Primet për këtë proces të dialogut të dakorduar ndërmjet opozitës, ne tashmë i kemi paraqitur në letrën që ia kemi dërguar zonjës Federica Mogherini”, theksoi Hoti.

“Tash dëshirojmë që ta elaborojmë pasi që në mesin e LDK-së ka njerëz me përvojë të gjatë, qoftë dy apo tre dekada që ndodhen në procese të ndryshme të shtetformimit të Kosovës. Kemi edhe miq ndërkombëtarë që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës dhe LDK-në. Dëshirojmë që t'i angazhojmë të gjithë mekanizmat njerëzit që kanë përvojën e nevojshme, për të ndërtuar një dokument që i përcakton parimet dhe mënyrën se si duhet të shkojë ky proces përpara", tha Hoti.

Sipas tij, as Qeveria dhe as presidenti i Kosovës nuk kanë platformë për procesin e dialogut dhe fazën finale të tij.

"Këta nuk kanë platformë. Një draft- platformë që është dërguar në muajin maj në Kuvendin e Kosovës nga ana e qeverisë, ka qenë pa asnjë përmbajtje. Të vetmen pikë që ka pasur ka qenë ajo që të mandatohet presidenti i vendit për të udhëhequr me procesin e dialogut. Atëherë nuk ishte e qartë, por sot e ka të qartë secili qytetarë që presidenti ka tentuar të marrë mandatin për të negociuar për ndarje të Kosovës. Është mirë që kjo nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe sot Kuvendi i Kosovës në fakt nuk e ka legjitimuar askënd për këtë proces të rëndësishëm. Duhet një legjitimim konkret i institucioneve të vendit për të çuar përpara këtë proces", tha Hoti.

Ai tha se thirrjet për unitet përballë Serbisë dhe akuzat se opozita po e pengon këtë unitet janë të pasinqerta.

“Ftesat në stilin ‘të ulemi bashkë dhe të krijojmë një konsensus që të përballemi me Serbinë’, janë vetëm përpjekje për ta mbrojtur ‘status quon’ ku pakica jo legjitime është në pushtet dhe institucionet janë jo funksionale”, theksoi ai.

Ndërkohë, edhe në Lëvizjen Vetëvendosje theksohet nevoja e një legjitimiteti të ri institucional për përfaqësimin e vendit në proceset e ardhshme, sidomos në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Deputetja Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë, se në gjendjen në të cilën ndodhet Kosova është me rendësi është që vendi të ketë institucione legjitime. Sipas saj, për të dalë nga kriza, zgjedhjet janë opsion real.

"Për ne është e rëndësishme që të kemi një bashkëpunim sa më të fuqishëm opozitar, në mënyrë që kjo qeveri të tërhiqet apo thjesht të mos jetë më në qeverisje dhe zgjedhjet e reja do të mundësonin institucione, që besojmë që do të jenë më legjitime,më të fuqishme për të vazhduar përpara edhe proceset të cilat janë me interes për vendin", tha Nagavci.

Sa i takon dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një konsensusi të brendshëm politik, ajo thotë se Vetëvendosje për këtë çështje mendon se duhet të ketë një rivlerësim të gjithë procesit.

"Ne besojmë se duhet të kemi një rishikim të themeltë të gjithë procesit të deritanishëm. Duhet të shohim zbatimin e marrëveshjeve se si kanë ndodhur. Sigurisht që duhet caktuar edhe vijat e kuqe dhe gjërat të cilat janë të panegociueshme", tha pos tjerash Nagavci.

Ndërkohë, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike duhet të kenë nisma e ide në ndërtimin e një konsensusi politik dhe në përgjithësi të jenë të integruara në një platformë të përbashkët rreth dialogut.

"Këto nisma duhet të jenë të tilla që të përfshijnë edhe partitë tjera dhe të shkojnë drejtë ndërtimit të një qëndrimi unik shtetëror të Kosovës në këto bisedime dhe të jenë të tilla që të ofrojnë opsione drejt ndërtimit të këtij konsensusi dhe jo si qëndrime të ngurta nga të cilat partitë të ndryshme nuk do të mund të lëviznin", tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se strategjitë të cilat propozohen nga partitë e ndryshme politike, duhet të jenë strategji të cilat synojnë në ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët të shtetit të Kosovës.

"Shteti i Kosovës në këto bisedime duhet të shkojë si unik të ketë një qëndrim dhe jo të shtyjë përpara qëndrime të ndryshme, atë që jemi duke parë për momentin kemi një qëndrim të etabluar nga presidenti Thaçi për ndryshim kufijsh dhe një qëndrim tjetër të etabluar nga kryeministri Haradinaj, i cili është kundër ndryshimit të kufijve. Kjo në aspektin diplomatik dhe politikëbërjes është një gjë që nuk duhet të ndodhë për ta thënë në mënyrën më të butë të mundshme dhe tregon se ne nuk kemi një politikë të pjekur të mjaftueshme dhe nuk jemi duke ndërtuar një qëndrim serioz shtetëror mbi këtë çështje", tha Krasniqi.

Sa i takon kërkesës së zgjedhjeve, që është bërë nga partitë politike opozitare, Krasniqi thotë se për këtë çështje duhet të shihet gatishmëria e të gjitha palëve dhe partive në pushtet edhe atyre në opozitë.

"Jemi duke shkuar drejt një bllokade po mbetet të shihet. Nëse do të shkojmë në zgjedhje [duhet ]të shihet nëse ka gatishmëri edhe nga partitë në pozitë", tha ajo.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet. Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

Aktualisht palët po punojnë në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por çështja është komplikuar nga momenti kur presidentët e të dyja vendeve kanë folur edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG