Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Kontestohet roli prijës i Thaçit në dialogun me Serbinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi

Përfaqësimi i Kosovës në dialogun e nivelit të lartë politik me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi, po kontestohet nga tabori i partive opozitare. Kuvendi i Kosovës, sipas deputetëve nga komisionet e ndryshme parlamentare, ka autorizuar Qeverinë dhe jo presidentin që ta përfaqësojë vendin në këtë dialog. Debatin rreth dialogut me Serbinë e ka organizuar Instituti Demokratik i Kosovës, i cili zakonisht, në fund mbledh konkluzione dhe ua përcjellë deputetëve për shqyrtim.

Aty, kryetarja e Komisionit për politikë të jashtme, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi e ka konfirmuar para Komisionit parlamentar se Qeveria nuk është koordinuar dhe as dakorduar zyrtarisht me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me rolin prijës të presidentit në dialogun me Serbinë.

“Ne kemi dy rezoluta të miratuara në Kuvend të cilat e autorizojnë Qeverinë për udhëheqjen e dialogut dhe jo presidentin”, tha Osmani.

Osmani kërkoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re e cila e qartëson rolin e Qeverisë, përkatësisht të konfirmonte rolin e Qeverisë në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Kurse deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se shumë nga marrëveshjet tashmë të arritura në dialogun me Serbinë, nuk janë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj, andaj sipas Haxhiut, nuk mund të bëhet thirrje që ato të zbatohen.

Haxhiu tha se në dialog po përmendet hapja e temave të rrezikshme dhe të dëmshme, që nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe e deri te shkëmbimi i territoreve me Serbinë.

“Është komplet e papranueshme që presidenti Thaçi në mënyrë autoritare ka marrë udhëheqjen e këtij procesi, kur e dimë se përgjegjësi kryesor për gjithë procesin e bisedimeve, duke e shkelë edhe rolin dhe kompetencën e Kuvendit të Kosovës, është pikërisht Hashim Thaçi”, tha deputetja Haxhiu.

Haxhiu tha se bisedimet janë përcjellë me një mungesë transparence dhe kërkoi që procesi të kthehet për debat në Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se për bisedimet me Serbinë, deputetët shpesh informohen përmes statuseve në facebook të përfaqësuesve të Kosovës në dialog.

Mirëpo, jo vetëm roli i presidentit, por deputetët kanë ngritur dyshime edhe te aftësia e delegacionit të ri qeveritar për përfaqësimin e Kosovës në nivelin teknik të bisedimeve me Serbinë.

Deputeti tjetër nga radhët e LDK-së në këtë komision, Driton Selmanaj tha se caktimi i koordinatorit të ri për bisedimet, Avni Arifi dhe delegacionit të ri për bisedimet, paraqet një zhvillim të ri.

“Për mua, qoftë Arifi apo delegacioni i ri është jokompetent për ta përfaqësuar Kosovën. Ky ekip më shumë i përngjanë një ekspedite turistësh sesa një delegacioni shtetëror për përfaqësimin e vendit. Aq më tepër kur tani procesi i bisedimeve po hyn në fazën finale”, tha Selmanaj.

Një paraqitje më të balancuar në raport me bisedimet kishte deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj e cila kërkoi nga deputetët që të mos nxitohen me vlerësime, por të kërkojnë dokumentet e nevojshme nga Qeveria për procesin e bisedimeve dhe më pas të njëjtat të paraqiten në Kuvend për shqyrtim.

Në ditën kur deputetët nga komisionet e ndryshme parlamentare po diskutonin çështjen e dialogut, në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë vazhduar bisedimet në nivelin teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çështja e energjisë, ajo e lëvizjes së lirë dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vazhdojnë të dominojnë temat e këtyre takimeve.

Kurse të premten, më 23 mars, pritet që bisedimet të zhvillohen edhe në nivelin e lartë politik ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG