Ndërlidhjet

Thaçi: Takimi i Uashingtonit, kthesë në dialogun që do të udhëhiqet nga SHBA-ja


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.

Takimi në Uashington në mes presidentëve të Kosovë dhe Serbisë paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto komente, ai i bëri gjatë një debati në Prishtinë me temën, “Rruga drejt Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”.

“Jemi të angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme dhe paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje duhet të sjellë njohjen reciproke mes vendeve tona të pavarura e sovrane si dhe rrugëtim më të përshpejtuara për Kosovën në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha Thaçi.

Ai u ndal sidomos në takimin që zhvilloi të hënën në Uashington me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi.

“Takimi i Uashingtonit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e SHBA-së dhe lidershipit të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, takimi në Uashington është inkurajues për të dy palët dhe “paraqet vullnet të mirë për paqe në Kosovë dhe Serbi dhe hapje e perspektivës ekonomike në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

“Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi presidenti i Kosovës.

Ai tha po ashtu se është e rëndësisë jetike për procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, që të dy palët të kenë besim në lidershipin e SHBA-së deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Edhe pse po flasim për Kosovën dhe Serbinë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të paqes, mendoj se kjo marrëveshje do të ndikonte edhe në punën e Komisionit për të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Do të ishte hap normal që pas një marrëveshje të tillë të formohej edhe Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin”, tha Thaçi.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Beograd, ka folur në lidhje me takimin e Uashingtonit, duke hedhur poshtë, siç tha ai, disa informacione jozyrtare se Serbia ka rënë dakord me Perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës.

“Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rreme për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, tha Vuçiq.

Ai përsëriti se kushti i tij është që të mos ketë bisedime thelbësore me Prishtinën, derisa të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave serbe.

“Sa u përket çështjeve taktike, në Uashington kemi diskutuar për të ashtuquajturin “Mini-Shengen”, lëvizjen e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si dhe për ndërtimin e autostradës dhe vendosjen e linjës hekurudhore dhe ajrore”, është shprehur Vuçiq.

Ndryshe, liderët institucionalë në Kosovës, janë duke vazhduar me mospajtimet e tyre, lidhur me procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ridërguar një letër për një takim presidenti Thaçi, për siç është thënë, koordinim të politikës së jashtme të Kosovës, por ky i fundit nuk i është përgjigjur ftesës.

"Prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë atë", thuhet në ftesë e Kurtit dërguar presidentit Thaçi.

Në anën tjetër, Thaçi ka thënë se do t’i takojë të gjithë liderët e institucioneve dhe partive politike.

"Unë do të takohem dhe do t'i ftojë për takim të gjithë liderët e partive politike duke përfshirë edhe liderin e Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe të Partisë Demokratike të Kosovës edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe atë të Nismës edhe zotin (Behgjet) Pacolli edhe gjithë të tjerët", ka deklaruar Thaçi.

Por, fillimisht Thaçi ka kërkuar që të flasë të mërkurën, më 4 mars, para Kuvendit të Kosovës gjatë një seance të jashtëzakonshme në lidhje me takimin e tij me Vuçiqin. Por, kërkesa e tij nuk është cilësuar si material për seancë të jashtëzakonshme nga kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se kërkesa e Thaçit do të shqyrtohet pas 9 marsit.

XS
SM
MD
LG