Ndërlidhjet

Hill: Serbia mund t'i drejtohet KFOR-it për kthimin e trupave të saj në Kosovë, por kjo mbetet çështje politike


Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të enjten në Nish se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t'i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por sipas tij, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike, transmeton agjencia e lajmeve Beta.

Ai ka theksuar se nuk sheh mundësi të zgjidhjes ushtarake.

"Ajo që duhet të bëjmë është që ta qetësojmë situatën, të krijojmë paqe dhe stabilitet në atë vend, ashtu që njerëzit që jetojnë atje të kenë pritshmëri të qarta se si do të duket jeta e tyre në të ardhmen. Kjo gjë mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Hill.

Ambasadori shtoi se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Beograd, e bëri të qartë se kjo është diçka që do të ndodhë, në mënyrë që njerëzit të kenë një pasqyrë të qartë se si do të jetojnë në të ardhmen në vendet ku kanë qenë prej shekujsh.

"Kjo do të krijojë kthim në normalitet, përmes të cilit do të arrihet stabiliteti në vendet ku jetojnë ata njerëz", tha Hill.

Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, ka deklaruar se Asociacioni do të formohet, se SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit, dhe se aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës. Sipas tij, në rast se Qeveria e Kosovës nuk do që të jetë pjesë e procesit për formimin e Asociacionit , atëherë për këtë do të diskutohet me “partnerë alternativë”.

Ai ka thënë po ashtu se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA-ja, dhe se shteti i tij kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 12 dhjetor se Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.

Lideri serb pretendoi se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Me këtë paralajmërim, ai iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Deri te kjo situatë erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me paralajmërimet për dërgimin e trupave, Serbia po “kërcënon me agresion” Kosovën.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit, teksa serbët lokalë më 10 dhjetor ngritën barrikada në veri të Kosovës. Ata po kundërshtojnë arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave, ndërkaq Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

XS
SM
MD
LG