Ndërlidhjet

Huntsman: Ukraina - çështja më e rëndësishme për raportet me Rusinë


Jon Huntsman
Jon Huntsman

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman, tha se ripërtëritja e sovranitetit të Ukrainës në gjithë territorin e saj, do të jetë çështja kryesore në veprimet e tij me Moskën, derisa filloi shërbimin e tij në një periudhë të tensioneve të larta ndërmjet dy fuqive botërore.

Duke folur në Salt Lake City, ish-guvernatori i Utahut, Jon Huntsman, tha të shtunën mbrëma se dëshiron përmirësim të raporteve me Rusinë, porinsistoi se hapi i parë do të jetë që Moska ta kthejë kontrollin tek Ukraina, të territorit brenda kufirit të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“Kjo është një çështje, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por me Evropën, Kanadanë, dhe me gati secilin shtet tjetër të zhvilluar”, theksoi Huntsman, i cili ishte për vizitë në shtetin e tij për një rast ceremonial.

Moska e ka okupuar Krimenë e Ukrainës dhe i mbështet separatistët në pjesën lindore të Ukrainës, në luftën në të cilën prej vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë njerëz.

Shtetet e Bashkuara, shtetet e tjera perëndimore, dhe Bashkimi Evropian, kanë imponuar sanksione kundër Rusisë për aksionet e saj në Ukrainë, që është vetëm njëra prej disa çështjeve globale që i përçan Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Ambasadori Huntsman, i cili në fillim të këtij muaji në Kremlin i dorëzoi letrat kredenciale te presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i tha turmës së njerëzve në Salt Lake City, po ashtu, se ai dëshiron të punojë me Moskën për zgjidhjen e krizës me Koresë Veriore, lidhur me programet e saj atomike dhe të raketave balistike, që janë të ndaluara me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Ai vlerësoi se Pheniani është kërcënim për Rusinë dhe pjesën tjetër të botës, e jo vetëm për Shtetet e Bashkuara.

“Duke vepruar së bashku, ne mendojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund ta detyrojmë regjimin e Koresë Veriore për të zhvilluar negociata për gjetjen e zgjidhjes diplomatike”, tha Jon Huntsman.

Këto komente të tij u bënë pak kohë para se presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “vetëm një gjë do të funksionojë” në çështjen me Korenë Veriore, por nuk ishte i qartë se cila do të ishte kjo gjë.

“Presidentët dhe administratat e tyre kanë biseduar me Korenë Veriore për 25 vjet, janë bërë marrëveshje dhe është paguar sasi e madhe e të hollave”, ka shkruar mbrëmjen e së shtunës në rrjetin Twitter, presidenti Trump dhe ka shtuar se asgjë “nuk ka funksionuar, marrëveshjet janë shkelur para se ngjyra të terej, duke i mashtruar negociatorët amerikanë”.

Në këtë kuadër, Trump ka shkruar se “më falni, por vetëm një gjë do të funksionojë!”

Më herët, Trump kishte thënë se Shtetet e Bashkuara do ta “shkatërrojnë totalisht” Korenë Veriore, nëse është e domosdoshme për ta mbrojtur vetveten dhe aleatët amerikanë nga kërcënimet e këtij shteti të papërgjegjshëm.

Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, foli edhe për bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në përpjekje për t’i shkaktuar disfatë grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe në përpjekjet për ta ndalur luftën civile gjashtëvjeçare në Siri, ku Uashingtoni dhe Moska i mbështesin palët kundërshtare.

Raportet tejet të tensionuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë përshkallëzuar edhe më tepër pas raportit të muajit janar të këtij viti të komunitetit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte urdhëruar “një fushatë ndikuese” në shënjestër të së cilës ishin zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG