Ndërlidhjet

Bajrami kërkon largimin e Abdixhikut, ai thotë se për dorëheqjen e ofruar vendos Kuvendi i LDK-së

E përditësuar

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se e ka ofruar dorëheqjen nga udhëheqja e partisë dhe se për të duhet të vendosë Kuvendi partiak.

Ky reagim vjen pasi numri dy në parti, Hykmete Bajrami, njoftoi se gjatë mbledhjes partiake të mbajtur një ditë më parë ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, për shkak të rezultatit zgjedhor dhe ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së LDK-së.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkroi ai.

Abdixhiku tha se është thirrur Kuvendi i partisë dhe se aty do të diskutohet hapur për këtë çështje.

“Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin”, tha ai, duke theksuar se nuk i ik përgjegjësisë.

Hykmete Bajrami tha se kush merr “rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në”, duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të rbenddshme partiake.

“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, shkroi Bajrami.

Bajrami në zgjedhjet e fundit ishte e dyta në listën e LDK-së, pas kryetarit Abdixhiku, i cili e udhëheq këtë parti që nga viti 2021. Po ashtu, ajo është gruaja më e votuar për deputete në LDK.

Abdixhiku, menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare më 28 dhjetor, deklaroi se merr përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, dhe po atë natë nuk e përjashtoi mundësinë e largimit nga drejtimi i partisë.

LDK-ja ka shënuar rezultat të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, dhe krahasuar me zgjedhjet e rregullta të mbajtura më 9 shkurt të vitit të kaluar.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK-ja kishte marrë 171.357 vota, ndërsa në zgjedhjet e dhjetorit, sipas rezultateve preliminare, ajo ka fituar 126.102 vota, duke u renditur si fuqia e tretë politike në Kosovë.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me mbi 51 për qind të votave, ndërkaq subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG