Ndërlidhjet

Presidenti Meta kërkon nga pushteti dhe opozita të gjejnë zgjidhje të mençura


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. 11 tetor, 2017

Institucionet e Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje të mençura dhe të përafrojnë vendin me integrimet evropiane, ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një vizite që po i bën Kosovës.

Këto komente, Meta i bëri pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidenti Meta tha se ka diskutuar me Haradinajn kryesisht në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës.

“Shpresoj shumë në angazhimin e mëtejmë edhe të kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë Qeverisë, por edhe të opozitës për të dhënë zgjidhje të mençura për të gjitha ato çështje të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, tha Meta.

“Në këtë drejtim, mund t’i sigurojmë Kosovës mbështetjen tonë maksimale, gjithmonë në koordinim me kryeministrin, me presidentin dhe Parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet këtu”, theksoi presidenti Meta.

Ai tha se ka ardhur në vizitë në Kosovë për të kujtuar presidentin Ibrahim Rugova, në përvjetorin e tij të vdekjes.

“Mezi po presim 17 shkurtin, 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, si një mundësi për të afirmuar edhe më tej rrugën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, u shpreh Meta.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qëllimi i Kosovës mbetet integrimi i saj në strukturat euroatlantike. Por, ai ka nënvizuar edhe pengesat e saj në këtë rrugë.

“Perspektiva euroatlantike e Ballkanit është ajo që na bashkon të gjitha shtete. Por, neve na pengon shumë mosnjohja nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, theksoi Haradinaj.

“Kjo qasje e BE-së na bën neve të trajtohemi pa një identitet të mirëfilltë. Pra, për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që na njeh si shtet të pavarur e sovran, Bashkimi Evropian nuk e ka një pozicion të tillë”, tha kryeministri i Kosovës.

Ai ka folur dhe në lidhje me paralajmërimet për një përshkallëzim të mundshëm të gjendjes së sigurisë në Kosovë, pas vrasjes së njërit prej liderëve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

“Të gjithë mekanizmat e rendit dhe të sigurisë konfirmojnë se situata e sigurisë është stabile, e qetë. Vrasja e Ivanoviqit është marrë shumë seriozisht nga të gjitha institucionet tona dhe nuk ka paralajmërime për çfarëdo destabilizimi të Kosovës”, tha Haradinaj.

“Ju e vërejtët që edhe vizita e presidentit Vuçiq kaloi në një atmosferë korrekte, dhe besoj se porosia këtu është e qartë, se përgjegjësitë për zhvillimet në Kosovë i kanë institucionet e saj”, deklaroi ai.

Vizita e Ilir Metës, nuk ishte paralajmëruar nga institucionet e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG