Ndërlidhjet

Incidenti që la pasigurinë prapa


Pamje në Graçanaicë më 27 shtator 2023.
Pamje në Graçanaicë më 27 shtator 2023.

“E tmerrshme”, “nuk është dashur të ndodhë”, “jetë të humbura kot”, “e trishtueshme”, “nuk dimë pse ndodhi”, “mbetet e fshehtë”, “dimë aq sa kemi dëgjuar nga mediat”.

Kështu u shprehën disa qytetarë serbë të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24 shtator, kur grupe të armatosura sulmuan patrullën policore në zonën e banuar me shumicë serbe.

Nga përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për “agresionin”, ndërsa në Serbi drejtuan gishtin kah serbët në Kosovë.

Shumë qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, reaguan me huti, shqetësim, por edhe mungesë dëshire për të folur.

Vetëm pak prej tyre pranuan të prezantoheshin.

Të gjithë thanë se gjithçka që dinë për incidentin në Banjskë, e kanë mësuar nga mediat kosovare dhe serbe.

“Nuk është dashur të arrihet në këtë pikë”

Markoja nga Zveçani - komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës - tha se nga mediat kuptoi fillimisht se “një grup njerëzish qëlloi dhe vrau një polic shqiptar” dhe se, më pas, “policia u përgjigj ashpër”.

Qytetarë në Mitrovicën e Veriut, 26 shtator 2023.
Qytetarë në Mitrovicën e Veriut, 26 shtator 2023.

Ai tha se i vjen keq për vrasjen e policit të Kosovës.

“Mendoj se situata nuk është dashur të arrijë deri në këtë pikë. Ka mundur të jetë edhe serb [polici i vrarë]... Më vjen keq edhe për shqiptarin, por edhe për tre serbët [sulmuesit e vrarë]. Secili nga ta ka nga tre fëmijë”, u shpreh Markoja.

Sipas tij, sulmuesit e vrarë “humbën jetën kot”, për shkak të politikave “të gabuara që përplasin popujt”, e “jo politikave që i pajtojnë ata”.

Millica nga Mitrovica e Veriut tha se njerëzit e zakonshëm ishin në pritje të uljes së tensioneve veri. Por, këto pritje u shuan sipas saj, pas incidentit në Banjskë.

“Kur ndërpritet një jetë, është krejtësisht e parëndësishme se pse dhe si shkoi deri aty. Ai njeri kishte familjen e tij, njëjtë sikurse këta djemtë e palës tjetër, të cilët pësuan. Humbja e jetës është gjithmonë tragjedi”, tha Millica.

Sipas saj, askush nga qytetarët “nuk e di saktë se përse ndodhi” incidenti në Banjskë.

Pamje nga Mitrovica e Veriut më 26 shtator 2023.
Pamje nga Mitrovica e Veriut më 26 shtator 2023.

“Tragjike për të gjithë”

Në Graçanicë, komunë e banuar me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës, situata dukej e qetë paraditen e së mërkurës. Por, pakkush donte të fliste për zhvillimet e 24 shtatorit në Banjskë.

“Jo, nuk më intereson dhe nuk dua të them asgjë më shumë” - ishte reagimi i një qytetareje sapo dëgjoi pyetjen e Radios Evropa e Lirë në lidhje me incidentin.

“Nuk i besoj askujt”, tha një bashkëqytetar i saj.

Pamje nga Graçanica më 27 shtator 2023.
Pamje nga Graçanica më 27 shtator 2023.

Marta Saviq tha se ka kuptuar shumë pak nga incidenti në Banjskë.

“Nuk jam e informuar fare. Kam dëgjuar diçka shkurtimisht në rrugë, nga të tjerët. Qytetarët janë të tensionuar. Të gjithë janë të tensionuar”, tha ajo.

Vlladimir Petkoviq tha se incidenti në Banjskë ka shumë paqartësi, por se pasojat e tij tragjike dihen.

“Të gjithë jemi duke u çuditur. Ajo që ka ndodhur është e trishtueshme. Kanë humbur jetë. Nuk dëshiroj që rrëfimin ta kthej kah cilado palë. Kjo është tragjike për të gjithë ne si njerëz, për serbët dhe për shqiptarët. Ka humbur jetën polici i Kosovës, por edhe ata të rinj”, tha Petkoviq, duke iu referuar tre sulmuesve të vrarë në përleshjet me policinë kosovare.

Graçanicë, 27 shtator 2023.
Graçanicë, 27 shtator 2023.

Ai tha se shpreson se Kosova dhe Serbia do t’i qasen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe se incidentet e tilla nuk do të përhapen.

“Por, kush mund të na garantojë këtë me plot siguri?”, u shpreh ai.

“Ne gjithmonë kemi jetuar dhe do të jetojmë bashkë, por kjo është një ngjarje politike. Ajo çfarë njerëzit mendojnë këtu, është se shërbimet speciale të Kosovës zbuluan se ku fshihet [Millan] Radoiçiq dhe nisën aksionin për ta arrestuar. Por, ai e kishte sigurimin e tij dhe nisën të qëllonin mbi njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, aty pësuan njerëzit dhe kjo është tragjedia më e madhe. Pësuan njerëzit dhe nuk ka rëndësi nacionaliteti i tyre”, u shpreh një tjetër qytetar i Graçanicës, që deshi të mbetej anonim.

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, është etiketuar nga autoritetet kosovare si “organizator” dhe “pjesëmarrës” në sulmin në Banjskë.

Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe krim ndërkombëtar.

Në Kosovë kërkohet për rastin e njohur si Brezovica, i cili ka të bëjë me disa ndërtime pa leje.

Dragani nga Graçanica tha se ndërlidhja e emrit të tij me incidentin në Banjskë, si dhe vetë incidenti kanë ngjallur tensione dhe frikë në mesin e njerëzve.

“Ja pra... situatë e pasigurt... Del në rrugë dhe dikush mund të të vrasë, qofsh polic apo jo”, tha ai.

Nga lajmet, ai tha se ka marrë vesh se pjesëtarët në grupin e armatosur, ishin “shumë të rinj në moshë”.

“Dikush i ka shtyrë ata. Ata e bënë këtë nën ndikimin e dikujt”, tha Dragani, por duke mos specifikuar se në kë mendon.

Sulmi ndaj policisë së Kosovës në Banjskë u dënua fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Tensionet në këtë zonë ishin të larta prej kohësh.

Më 29 maj, në Zveçan, pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u sulmuan nga protestues të dhunshëm serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave në veri.

Në fund të vitit të kaluar, grupe serbësh në veri ngritën edhe barrikada në rrugë, për të kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Në veri jetojnë rreth 50.000 serbë, të cilët që nga paslufta, më 1999, nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG