Ndërlidhjet

Institucionet neglizhojnë Avokatin e Popullit


Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi.
Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi.

Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ka publikuar një analizë, e cila nxjerr në pah se gjykatat, prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë institucionet me numrin më të madh të parashtresave nga ana e qytetarëve.

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mbi 60 për qind të kërkesave të tij - nga 1,400 sa janë gjithsej - institucionet nuk janë përgjigjur në kohën e paraparë me ligj.

Ziberi thotë se është rritur edhe numri i parashtresave që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ziberi, për çka konkretisht kanë vërejtje qytetarët ndaj institucioneve që përmendni në analizën tuaj?

Naser Ziberi: Qytetarët kanë vërejtje për mosngritjen e procedurave nga ana e gjykatave dhe nga ana e prokurorisë. Shpeshherë edhe për veprimin e tyre të ngadalshëm. Qytetarët, sidomos, kanë vërejtje për punën e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që shpeshherë vihen në situatë për tejkalimin eventual të autorizimeve të veta, për çka pastaj qytetarët i drejtohen me parashtresa dhe ankesa institucionit të Avokatit të Popullit.

Kur jemi tek organet e jurisprudencës, detyrimisht duhet të theksoj se një numër serioz të ankesave, qytetarët e kanë edhe për punën e përmbaruesve, edhe atë në të gjitha kuptimet - si në aspektin e mosnjoftimit me kohë për procedurat që udhëhiqen ndaj qytetarëve para këtyre organeve, ashtu edhe për vlerën e mjeteve financiare, që u bllokohen nga përmbaruesit në banka dhe institucionet e tjera financiare.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë analizë thuhet se në mbi 60 për qind të kërkesave të Avokatit të Popullit, institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk përgjigjen me kohë. Si veproni në këto raste?

Naser Ziberi: rreth 60 për qind të kërkesave tona, nga 1,400 - është një shifër e lartë si numër - institucionet nuk janë paraqitur në afatin e paraparë me ligj. Ato janë detyruar të përgjigjen pas insistimeve të njëpasnjëshme të institucionit tonë, por duke shkelur afatin e paraparë me ligj. Në analizën që e theksuat ju, ne kemi konstatuar se diku 10 për qind ose më së paku 9 për qind e kërkesave tona, fare nuk kanë marrë përgjigje nga organet përkatëse, në rastet kur shkelen të drejtat e njeriut.

Në rast të elementeve të përgjegjësisë, ne mund t'i drejtohemi edhe prokurorisë përkatëse, gjë që edhe e kemi bërë. Gjatë këtij viti, gjashtë kërkesa i kemi drejtuar në prokuroritë përkatëse, dy nga kërkesat janë aprovuar dhe janë në procedurë e sipër, dy të tjera janë hedhur poshtë si të pabazuara nga ana e prokurorisë dhe për katër të tjera, prokuroritë akoma nuk janë deklaruar.

Radio Evropa e Lirë: Këtë vit është regjistruar dhe një numër i lartë i shkeljeve të të drejtave të fëmijëve nga ana e Ministrisë së Arsimit, drejtorisë së librave amë… Për çfarë shkeljesh të të drejtave të fëmijëve bëhet fjalë?

Naser Ziberi: Këtu më tepër ka të bëjë neglizhenca e institucioneve. Ndërsa, ankesat dhe parashtresat kryesisht janë të lidhura me të drejtat e fëmijëve në procesin edukativ-arsimor. Kalimi i zhvillimit të procesit mësimor nga ai në distancë me prezencë fizike, diktoi që një numër i parashtresave të bëhen në drejtim të asaj se nuk janë krijuar kushte për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve [nga pandemia e koronavirusit], që të kyçen në procesin edukativ-arsimor.

Një mori ankesash ka në drejtim të asaj se institucionet përkatëse edukative-arsimore nuk janë të pajisura me kushte të mjaftueshme sanitare higjienike, por edhe në kuptim të ndryshimit të zhvillimit të procesit edukativ-arsimor me libra të digjitalizuar. Shumë shkolla kanë ankesa se nuk janë të pajisura me këto mjete, që kanë të bëjnë me aplikimin e mësimit me libra digjitalë.

Kuptohet se të drejtat e fëmijëve shpeshherë janë objekt i observimit të Avokatit të Popullit, në drejtim të realizimit të të drejtave financiare, siç është ndihma financiare për fëmijën e tretë. Shumë nga prindërit kanë ankesa në këtë drejtim, se institucionet përkatëse nuk po e përmbushin këtë obligim financiar.

Të drejtat e tjera që, po ashtu, burojnë nga kjo lëmi, kërcënohen nga veprimet arbitrare të Drejtorisë së Udhëheqjes së Librave Amë, në kuptim të mosdhënies së dokumenteve personale me kohë, mosregjistrimin e fëmijëve të porsalindur, prindërit e të cilëve nuk e kanë të rregulluar statusin e shtetasit të Maqedonisë së Veriut, e kështu me radhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG