Ndërlidhjet

Viti i ri shkollor me protokolle kundër COVID-19


Një punëtor dezinfekton një klasë në një shkollë fillore. Shkup, shtator 2020.

Flonja Inseni vitin e ri shkollor 2021/2022 po e pret me padurim, për shkak se pas një viti e gjysmë, do të kthehet në bankat shkollore.

“Tash që fillon mësimi me prezencë fizike, sinqerisht të them emocionet i kam të dyfishuara, pasi jo vetëm që do të rikthehemi sërish në bankat shkollore, por si nxënëse e vitit të parë të shkollës së mesme, do të kem edhe njësi të reja e mësimdhënës të rinj. Po ashtu do të kem edhe shoqëri të re. Gjithçka duket se po fillon të shkojë nga normaliteti dhe jam jashtëzakonisht e lumtur”, thotë Flonja, e cila nis këtë vit mësimet në Gjimnazin në gjuhën shqipe “Zef Lush Marku” në Shkup.

Flonja thotë se nuk do ta ketë të vështirë t’i përmbahet protokolleve siç është mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës dhe dezinfektimi i shpeshtë i duarve, pasi siç thotë, këto janë bërë pjesë e përditshmërisë.

“Pa dyshim që është më mirë të kthehemi në shkollë me maska dhe të respektojmë protokollet. Fundja, kjo nuk është e vështirë sepse jemi mësuar. Është më mirë sesa të ndjekim mësim onnline”, thotë ajo.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Milla Carovska, të hënën, më 30 gusht, u shpreh e prerë se viti i ri shkollor do të nisë me prezencë fizike në shkolla duke respektuar protokollet për mbrojtje nga koronavirusi.

“Pandemia do të vazhdojë, por nuk duhet të lejojmë që shkollat të jenë të mbyllura në ditën e parë të vitit shkollor. Rekomandimi i UNICEF-it, por edhe i të gjitha organizatave tjera që punojnë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve është i qartë, se shkollat duhet të parat të hapen, kurse të fundit të mbyllen. Nuk ka opsion më të mirë për nxënësit se sa mësimi me prani fizike”, tha Carovska.

Ministrja Carovska ka theksuar se ndryshimet në procesin mësimor tashmë janë bërë të ditura dhe ato nuk mund të realizohen pa prezencë fizike në shkolla.

“Siç e dini, fillojmë me reformat në klasën e parë dhe të katërt, të cilat ndryshe nuk do ta arrinin efektin e projektuar nëse mësimi zhvillohet në formë tjetër dhe nuk ka ndërveprim me mësimdhënësin”, theksoi Carovska.

Autoritetet kanë thënë se në shkollat fillore dhe të mesme do të zbatohen një sërë protokollesh ku përfshihet matja e temperaturës gjatë hyrjes në shkollë, mbajtja e maskave, dezinfektimi i duarve dhe ajrosja e rregullt e ambienteve ku do të mbahet mësimi.

Ndërkaq, për të shmangur turmat është paraparë që të vihen në funksion të gjitha hyrje-daljet e shkollave. Po ashtu, nxënësit që kanë probleme shëndetësore u është ofruar mundësia që mësimin ta ndjekin në formë online.

Marina Manajilovska, mësuese në shkollën fillore “Kërste Misirkov” në Kumanovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë të gjithë prindërit janë njoftuar për protokollet e reja dhe ajo thotë se pret që prindërit të tregojnë se cilët fëmijë duan të ndjekin mësimin nga distanca apo online.

“Ende nuk e kemi të precizuar listën se cilët fëmijë do të ndjekin mësimin online. Si duket, prindërit presin momentin e fundit që të shohin gjendjen epidemiologjike dhe të vendosin nëse do të lënë që fëmijët të vijojnë mësimin në shkolla apo të mësojnë në distancë”, thotë ajo.

Ndërkaq, Lulieta Shabani-Qerimi, drejtoreshë e shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Çair të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, që do të nisë më 1 shtator.

“Nxënësit dhe prindërit tashmë janë të informuar për orarin e mësimit për vitin e ri shkollor. Të gjitha gjërat që janë parë në bazë të protokollit, jemi furnizuar dhe jemi përgatitur. Kështu që jemi të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor me prezencë fizike”, thotë Shabani-Qerimi.

Naser Miftari, që është profesor në një shkollë të mesme, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të ndërmerren veprime të menjëhershme nëse ndonjë prej nxënësve shfaq simptoma të sëmundjes COVID-19.

“Nëse një nxënës vërehet se mund të jetë i sëmurë, përkatësisht nëse shfaq temperaturë më shumë se 37.4 gradë, atëherë ai do të izolohet në një hapësirë të veçantë, do të njoftohet drejtoria dhe prindërit dhe më pas do të veprohet sipas rekomandimeve të institucioneve të shëndetësisë”, thotë Miftari.

Ministria e Arsimit ka thënë se nëse gjendja epidemiologjike në vend apo në komuna të caktuara përkeqësohet, ky institucion ka përgatitur edhe dy alternativa të tjera për zhvillimin e procesit mësimor, atë të mësimit të kombinuar dhe online.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG