Ndërlidhjet

Paqartësi rreth protokolleve për kthimin e nxënësve në shkolla


Fotografi e bërë në një shkollë fillore në Maqedoninë e Veriut.

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për kthimin e nxënësve në shkolla nga 1 shtatori është mirëpritur si nga Sindikata e Arsimit ashtu edhe nga nxënësit, prindërit e mësuesit. Por, dilema mbetet se si do të realizohet mësimi në kushte të pandemisë me prani fizike dhe si do të zbatohen protokollet të cilat parashohin masa të tilla që pamundësojnë të gjithë nxënësit të ulen në një klasë, apo çfarë do të ndodhë nëse do të paraqiten raste me COVID-19.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska ka thënë se shërbimi epidemiologjik do të vendosë në vendngjarje apo brenda shkollës, nëse një nxënës apo e gjithë klasa do të izolohen nëse paraqitet ndonjë rast me koronavirus.

"Bazuar në përvojat e vitit të kaluar dhe përfundimet e arritura me epidemiologët, vendimi do të merret në vend nga shërbimi epidemiologjik. Vitin e kaluar treguam se si funksionon, të gjithë mësuesit dhe drejtorët janë të trajnuar dhe tashmë kanë përvojë. Vitin e kaluar nuk kemi pasur raste të përhapjes së brendshme të virusit", ka deklarua ministrja Carovska duke bërë të ditur se në të gjitha shkollat kanë nisur përgatitjet për pritjen e nxënësve.

Por, nga Sindikata e Arsimit thonë se nuk janë të informuar në detaje me protokollet, në veçanti me sistemimin e nxënësve në klasa, por edhe me angazhimin e mësuesve, nëse vendoset që dy nxënës të mos ulen në një bankë.

Sindikata ka mirëpritur vendimin për kthimin e nxënësve në shkolla, por ka thënë se është e nevojshme që të sqarohen protokollet.

“Si duket këtij vendimi të gjithë i janë gëzuar, që nga prindërit, nxënësit, por edhe gjyshërit të cilët ishin më të angazhuarit gjatë kësaj periudhe. Nxënësve u ka munduar shkolla, librat, shokët pasi pandemia ka ndikuar negativisht mbi gjendjen e tyre emocionale e psiko-fizike. Me lehtë kuptohet se do të jetë edhe për mësimdhënësit, pasi mbajtja e mësimit me prani fizike dhe vlerësimi i nxënësve nuk mund të ketë alternative, sado që jemi angazhuar që nxënësit të mos mbetet pas me mësime. Por, mbetet të shihet se si do të realizohet mësimi, besoj se nuk do të jetë e lehtë nëse marrim në konsideratë protokollohet, që nuk lejojnë më shumë se një nxënës në bankë. Nëse ndodh kështu, atëherë si do të realizohet mësimi pasi gjysma e nxënësve nuk do të mund të hyjnë në klasa? Nëse vendoset në grupe, kjo do të jetë problem pasi nuk do të ketë kuadër, meqë ardhja e mësuesve në dy ndërrime do të jetë ngarkesë e madhe për ta. Mbetet të shihet pasi edhe ne si sindikatë nuk jemi shumë të informuar me planin e ministrisë”, thotë Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Avzi Mustafa, profesor i gjuhës shqipe, thotë se kthimi i nxënësve në shkolla është më se i domosdoshëm pavarësisht vështirësive që mund të paraqiten.

Ai thotë se Maqedonia e Veriut ishte shteti i vetëm që mbylli shkollat, ndërsa mësimi online, sipas tij, nuk dha rezultatet e pritura.

“Nxënësve u mungon socializmi, ana emocionale, shokët, libri, fletorja, lapsi, mësuesi. Ata rriten me shëmbëlltyrën e mësueses apo mësuesit. Nga kjo që ndodhi për shkak të pandemisë, ku më shumë se një vit e gjysmë ata nuk shkuan në shkolla, i shohim edhe dobësitë që janë paraqitur pasi shumë nxënës kanë ngelë si analfabetë pasi më shumë kohën e kalonin në krevat dhe rrugë. Kanë mësuar vetëm diçka sipërfaqësore, kështu që nuk mësuan për atë që të ngritën si qytetarë të ardhshëm”, thotë profesori Avzi Mustafa.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Carovska u ka bërë thirrje mësuesve që të vaksinohen si mundësi e vetme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Deri më tani, mbi 62 për qind e tyre janë vaksinuar”, tha Carovska, duke bërë të ditur se kjo shifër është dy herë më e lartë se vaksinimi mesatar në nivel kombëtar.

Nga Sindikata e Arsimit thonë se nëse merren parasysh edhe vaksinimet që janë kryer jashtë vendit, por edhe mësuesit që kanë kaluar sëmundjen COVID-19 gjendja është edhe më e mirë, por janë kundër asaj që mësuesit të detyrohen të vaksinohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG