Ndërlidhjet

Intervistohen të dyshuar për manipulim të votave në rajonin e Gjilanit

E përditësuar
Rinumërimi i votave në QNR. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Rinumërimi i votave në QNR. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokuroria Themelore në Gjilan tha gjatë 3 shkurtit ka intervistuar të dyshuar në rajonin e Gjilanit lidhur me manipulimet e votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Kjo prokurori tha se hetimet për këtë çështje do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.

“Më 3 shkurt kemi autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë ka pasur më tepër ndryshim në rezultat sipas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet e të dyshuarve janë duke vazhduar akoma”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Kjo prokurori tha se në këto komuna nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh të rezultateve pas rinumërimit, duke theksuar se vetëm një kandidat rezulton se i janë hequr 145 vota pas procesit të rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër.

“Andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër”, u tha në njoftim.

Më herët gjatë ditës, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se po intervistohen të dyshuar, por nuk tregoi se për sa të dyshuar bëhet fjalë.

Deri më tani, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave janë ndaluar dhjetëra persona në disa rajone të Kosovës dhe janë intervistuar qindra të tjerë.

Hetime po zhvillohen në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e ka cilësuar procesin e 28 dhjetorit si ndër proceset “më të kompromentuara”, pasi u vërejtën mospërputhje të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, Komisioni urdhëroi rinumërim të plotë të votave që përfundoi në fundjavën që shkoi.

Pula është shprehur se edhe kandidatëve që u ishin shtuar votat do të jenë objekt i hetimit, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjërit prej tyre kanë nisur procedura hetimore.

Pas përfundimit të rinumërimit, më 31 janar KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare. Pas kësaj, kandidatët dhe partitë kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme.

Vetëm pas përfundimit të afateve për ankesa në këto dy institucioneve, mund të bëhet certifikimi i rezultateve, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke marrë 51.10 për qind të votave dhe do të ketë 57 deputetë në Kuvendin e ri të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 20.19 për qind të votave, apo 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind dhe do të ketë 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë deputetë.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

XS
SM
MD
LG