Ndërlidhjet

Investimet e Serbisë në strukturat paralele në Kosovë


Mitrovicë: Ura mbi lumin Ibër. Foto nga arkivi.

Qeveria e Serbisë në vazhdimësi ndan miliona euro për komunat me shumicë serbe, me një përqendrim në katër komunat veriore të Kosovës. Sipas projeksioneve të fundit të parashikuara me Projektligjin për buxhet të vitit 2020, Serbia ka paparë të investojë në Kosovë rreth 89 milionë euro të parave të taksapaguesve të saj.

Rreth 63.7 milionë euro janë planifikuar për Zyrën për Kosovën që funksionon në kuadër të Qeverisë së Serbisë. Pjesa më e madhe e fondeve, parashihet të shpenzohet për "mbështetjen e funksionimit të institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës”. Fjala është para së gjithash për strukturat paralele apo “organet e përkohshme” të shtetit serb në Kosovë, të cilat Kosova nuk i njeh dhe të njëjtat, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, do të duhej të integroheshin në institucionet e Kosovës.

Këto investime për strukturat paralele, nga ekspert të çështjeve ekonomike dhe qeveria në largim, konsiderohen të kundërligjshme.

Naim Gashi, ekspert i fushës së ekonomisë, tha për Radion Evropa e Lirë se investimet e tilla janë antikushtetuese, pasi që kanë për qëllim që të financojnë strukturat paralele që vazhdimisht angazhohen kundër shtetësisë së Kosovës.

“Pjesa dërmuese e këtyre fondeve shkon edhe për strukturat paralele në veri, siç janë ‘rojat e urës’ të cilat njëherë u tha që u shpërbënë, pastaj u ri-aktualizuan edhe institucionet tjera të sigurisë që Serbia i financon në Kosovë dhe të cilat kanë për qëllim që të minojnë shtetin e Kosovës dhe të pengojnë integrimin e komunitetit serb në institucionet Kosovës”, thotë Gashi.

Kjo praktikë e investimit në strukturat paralele, shton Gashi, bien ndesh edhe me marrëveshjet e Brukselit që i ka nënshkruar Qeveria e Serbisë me Qeverinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë, sipas Gashit, ato bien ndesh me parimet evropiane të fqinjësisë së mirë.

Pjesa veriore e Kosovës, që nga pas lufta ka funksionuar mbi bazën e një sistemi paralel të organizuar nga Beogradi. Në kuadër të dialogut të Brukselit, Prishtina dhe Beogradi patën arritur marrëveshje për integrimin e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe në kuadër të sistemit ligjor-kushtetues të Kosovës, ku investimet përbënin një element të rëndësishëm, krahas zgjedhjeve të lira, ndonëse ky proces integrues mbetet ende në vijim e sipër.

Brishtësia e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë, thotë Naim Gashi, është shfrytëzuar më së miri nga Serbia.

“Është detyrë e shtetit të Kosovës që këto obstruksione dhe këto shkelje të rënda ligjore që ia bëjnë shtetit të Kosovës të luftohen përmes rendit dhe ligjit dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presionin e saj ndaj Serbisë për t’u ndalur kjo veprimtari armiqësore ndaj shtetit të Kosovës”, thotë Gashi.

Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë në largim, thonë se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende të shtrijnë sovranitetin e plotë në pjesën veriore. Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se çdo investim që përfill ligjet në Kosovë nuk kundërshtohet, por që investimet e Serbisë në strukturat paralele janë të papranueshme dhe nuk do të duhet të bëhen.

“Gjithkush ka të drejtë të investojë në Kosovë duke respektuar ligjet dhe rregullat e Kosovës pa marrë parasysh se kush është Serbia apo ndonjë vend tjetër. Kushdo që vjen e investon për mirëqenien e komuniteteve e ka një liri më të madhe pasi që në ligjet tona është e paraparë që t’iu sigurohet mirëqenia nga shteti amë”.

“Ne kemi paraparë fonde të veçanta për të zhvilluar ekonominë, infrastrukturën në atë pjesë (në komunat veriore) është një fond i veçantë që është paraparë me ligj, por që është vështirë të zbatohet pasi që po pengohet nga Serbia, ata nuk po i lejojnë serbët që t’i marrin ato fonde atë përkrahje dhe ato fonde kanë mbetur pa u shfrytëzuar”, thotë Shatri.

Për të shmangur investimet e Serbisë në strukturat paralele, marrë parasysh se ato nuk përfillnin ligjet e Kosovës, në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, ishte arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për doganat mbi bazën e së cilës ishte themeluar edhe Fondi i Mirëbesimit. Deri në fund të vitit 2018, ky fond ka arritur vlerën e mbi 15. 5 milionë euro, kurse 11 milionë euro janë shpenzuar në 30 projekte të ndryshme, disa nga të cilat, sipas zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë në fazën e zbatimit.

Fondi, sipas BE-së, favorizon investimet në projektet publike, të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimet socio-ekonomike në komunat në veri.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG