Ndërlidhjet

Serbia premton investime milionëshe në Kosovë


Pamje nga takimi në Pallatin Serbia.
Pamje nga takimi në Pallatin Serbia.

Më 18 muajt e ardhshëm, Serbia do të investojë më shumë se 50 milionë euro në objektet infrastrukturore në Kosovë, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë me gazetarë, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, presidenti Vuçiq dhe ministrat e Qeverisë serbe kanë nisur bisedimet me delegacionin e serbëve të Kosovës, të cilët i udhëheqin zyrtarët e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Vuçiq ka folur në detaje se ku do të investohen mjetet financiare.

“Isha për herë të parë në Qeverinë e Serbisë për shkak të iniciativës mjaft të rëndësishme. Në 18 muajt e ardhshëm do të investohen më shumë se 6 miliardë dinarë, gjegjësisht 50 milionë euro. Do të nisim ndërtimin e Qendrës Klinike në Graçanicë. Do të ngrehim qendra turistike, do të investojmë në rrugë, në infrastrukturë dhe ujësjellës. Dëshiruam që të dëgjojmë edhe mendimin e Listës Serbe”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, ai ka shtuar se i pret “një muaj i rëndë në Kosovë”.

“Çështja e fundit është se po bëhen përpjekje për të grabitur rrjeti i energjisë elektrike në Kosovë. Informatat i kam marrë nga Elektro-ekonomia jonë në Kosovë. Debati për këtë, në institucionet ndërkombëtare, do të mbahet më 9 nëntor. Marrëveshja ka qenë që ekzistojnë dy kompani, të cilat do t’i themelojë Bashkësia e komunave serbe, por ata duan që të marrin mbi vete sistemet në Vallaç dhe Ujman (Gazivodë) dhe të thonë se ato janë pronë e shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë Vuçiq.

Ai, gjithashtu, ka thënë që autoritetet e Kosovës, me 28 nëntor, kanë për qëllim që ta formojnë Ushtrinë e Kosovës, ndërkohë që do të shtrohet edhe çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL. Po ashtu, siç ka thënë Vuçiq, do të mbahet edhe diskutimi në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilit autoritetet e Prishtinës “duan të kufizojnë kompetencat e punës së delegacionit të tyre, pas së cilës shtrohet pyetja nëse dialogu ka kuptim”.

Ndryshe, kjo është hera e parë që Qeveria dhe Presidenca e Serbisë, kanë organizuar pritje të këtij lloji për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Për vendin e takimit të dy delegacioneve është zgjedhur Pallati Serbia në Beogradin e Ri, vend ky në të cilin organizohen takimet e karakterit ndërkombëtar ose pritjet e nderit dhe pritjet e zyrtarëve botërorë dhe evropianë.

Lista Serbe, në shtator të vitit 2017, e kishte mbështetur Qeverinë e Kosovë me në krye Ramush Haradinajn, por ka dalë nga kjo qeveri në mars të vitit 2018, pas arrestimit dhe dëbimit të shefit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, për shkak të, siç kanë thënë autoritetet e Kosovës, hyrjes së tij ilegale në veri të Kosovës.

Më herët, duke paralajmëruar takimin e krerëve të institucioneve të larta serbe me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Marko Gjuriq ka thënë në një televizion serb, se pret që do të miratohet plani për investime për të 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Kjo është pakoja më gjithëpërfshirëse e ndihmave dhe mbështetjes së popullit serb në dekadën e fundit. Pra, për ripërtrirjen e qendrave klinike, të rrugëve, shkollave dhe spitaleve”, ka thënë Gjuriq.

Deri më tash, askush nga zyrtarët serbë nuk i kanë përmendur shumat financiare që janë shpenzuar për Kosovën, të cilat tash e disa vite nuk dihen.

Megjithatë, në mars të vitit 2018. presidenti serb Vuçiq, në një debat të organizuar në kuadër të “të ashtuquajturit dialog i brendshëm për Kosovën”, pati thënë se Serbia, në forma të ndryshme, për çdo vit ndan rreth 520 deri në 530 milionë euro.

Në prill të vitit 2013, në Kuvendin e Serbisë është krijuar Këshilli i anketimit, i cili ka pasur për detyrë që të vërtetojë se në çfarë mënyre janë shpenzuar paratë e qytetarëve të Serbisë në territorin e Kosovës, në periudhën prej vitit 2000 deri në vitin 2012.

Në atë kohë ishte konstatuar që për periudhën 12-vjeçare, janë shpenzuar 2.8 miliardë euro, si dhe ishte konstatuar që një pjesë e parave është keqpërdorur, por që asnjëherë nuk është konfirmuar zyrtarisht se për çfarë shume bëhej fjalë.

Mbledhja e përbashkët në Beograd e kreut të shtetit serb, ministrave të Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, po zhvillohet në momentin kur bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë ngecur. Këto bisedime do të duhej të përfundonin me marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas raundit të muajit shtator, në kuadër të dialogut në Bruksel, në të cilin presidenti Vuçiq kishte refuzuar të takohej me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pati theksuar që takimi i ardhshëm do të organizohej deri në fund të atij muaji. Por, që atëherë, Thaçi dhe Vuçiq, ende nuk janë takuar.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG