Ndërlidhjet

Investimet pa planifikim për një sallë jofunksionale


Rreth 200 mijë euro investime të çuara dëm në QKUK
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:21 0:00

Rreth 200 mijë euro investime të çuara dëm në QKUK

Rreth 200 mijë euro janë shpenzuar për renovimin dhe blerjen e pajisjeve të reja për sallat e operacionit në Kirurgjinë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, por edhe një vit pas mbarimit të meremetimeve, ato kanë mbetur jashtë funksionit. Siç thonë mjekët, sallat nuk i plotësojnë standardet e nevojshme për intervenime kirurgjike.

Njëkohësisht, këto salla, që gjenden në Klinikën e ORL-së, janë të vetmet për kryerjen e operacioneve për Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.


Kirurgjia plastike merret me përmirësimin e lëkurës që mund të dëmtohet nga djegiet, infeksionet, heqja e tumoreve si dhe trajtimin e lëndimeve të ndryshme.

Në mungesë të funksionalizimit të sallave, operacionet plastike kryhen në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, e cila gjendet në po të njëjtën ndërtesë ku ndodhet edhe Kirurgjia Plastike.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi, për Radion Evropa e Lirë konfirmon se sallat nuk i plotësojnë kushtet për të kryer operacione.

“Në tërësi, është e pamundur të rregullohet, sepse është jashtë bllokut operativ. Tavani është nën nivelin e duhur. Nuk mund të ngrihet lart drita, duhet të jetë në nivelin e duhur, e jo mbi kokën e operatorit”, thotë Zatriqi.

Vendi ku duhet të kryhen operimet ka qasje në korridorin ku lëvizin pacientët ose familjarët e tyre. Kjo, sipas Zatriqit, rrit rrezikun për infeksione.

“Nga vizitat që unë kanë bërë në shtetet perëndimore blloqet operative janë edhe në bodrume dhe pa dritare, mirëpo në këtë rast, te ne, nga blloku operativ dilet menjëherë në rrugë, e ajo duhet të jetë në një filtër të veçantë. Pastaj nyja sanitare është afër. Në radhë të parë standardet e sallës nuk i plotëson", shpjegon Zatriqi.

Tashmë, muret e sallës kanë nisur të mbledhin myk, lavamani ka filluar të demolohet dhe të ndryshket, derisa nga katet e mësipërme në sallën, e cila është e dedikuar për intervenime kirurgjike, rrjedh uji.

Rinovimet e sallave janë kryer në kohën kur drejtor i Kirurgjisë Plastike ishte Zejnë Buja. Për defekte të supozuara në sallë, ai nuk deshi të prononcohet.

“Nuk kam kohë dhe nuk jam i interesuar për intervista”, tha shkurtimisht Buja gjatë një vizite të ekipit të Radios Evropa e Lirë në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.

Metushi: Investime pa planifikim


Nga ana tjetër, Diana Metushi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se shumë investime në Kosovë bëhen pa planifikim paraprak.

“Hyjmë në [investime] ose pse është një premtim i mirë, ose na duket një investim i mirë dhe, pastaj, rezultojnë me një investim të dështuar, të cilin nuk e gëzon as qytetari, as stafi profesional që e shfrytëzon atë. Edhe, i kemi humbur paratë. E, ndoshta kemi mundur t’i investojmë në diçka më esenciale. Ky është bllokim i parasë - investimi i parasë pa kthim prapa”, tha ajo.


Besim Kodra, nga Asociacioni i të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, thotë se viteve të fundit ka pasur edhe investime të tjera të papërdorshme në QKUK.

“Kemi pasur shumë raste, ku është investuar në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë, qofshin ata spitalorë, qofshin të ambulancave. Dhe, kemi aparatura që kanë mbetur aty, në depot e institucioneve dhe nuk shfrytëzohen. I tillë është edhe reparti që përmendët ju, i cili nuk po shfrytëzohet dhe pacientët po detyrohen që shërbimet shëndetësore t’i marrin jashtë institucioneve publike”.

Zyrtarët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk japin informacione se çfarë do të bëhet me sallën jofunksionale të Kirurgjisë Plastike.

Deri atëherë, pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje në lëkurë, do të duhet t’iu drejtohen spitaleve private në Kosovë ose jashtë, sepse në sallat alternative që ofron QKUK-ja nuk mund të kryhen më shumë se pesë operacione në ditë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG