Bllokada e Marinës amerikane ndaj porteve iraniane, që tashmë ka hyrë në javën e tretë, ka ndalur pothuajse të gjithë tregtinë detare të Iranit, përfshirë eksportet kryesore të naftës.
Megjithatë, kjo situatë ka rritur tensionet mes dy vendeve, ndërsa po zhvillohen bisedime të herëpashershme për paqe.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me ish-drejtorin e komunikimeve të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) dhe kolonelin në pension të Ushtrisë amerikane, Joe Buccino, për situatën e përshkallëzuar dhe “përballjen strategjike” që po e karakterizon aktualisht rajonin.
Koloneli Buccino ka shërbyer edhe si zëdhënës i sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.
Radio Evropa e Lirë: Si do ta përshkruanit pozicionin aktual të forcave detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit dhe çfarë na tregon situata për gjendjen aktuale të këtij konflikti?
Joe Buccino: Është një ngërç. Të dyja palët mendojnë se kanë leverdi, dhe mendoj se të dyja kanë të drejtë të mendojnë kështu. Duket se administrata Trump nuk e ndien presionin e kohës. Ajo nuk e ndien nevojën të bëjë lëshime për objektivat e saj, për momentin. Edhe Irani ndoshta njësoj.
Radio Evropa e Lirë: Po shohim trafik të reduktuar nëpër Ngushticën e Hormuzit, vetëm lëvizje të kufizuara të anijeve... Ka gjithashtu raportime se Irani është duke lejuar kalimin e disa anijeve në kushte specifike, duke u kërkuar pagesë në monedhën e vet. Si e komentoni këtë?
Joe Buccino: Irani mendon se e ka kontrollin e këtij kanali kritik ujor dhe se mund ta mbajë atë në muajt në vijim. Ai do të vazhdojë ta përdorë këtë si levë mbi administratën Trump.
Sipas pikëpamjes së Teheranit, ata po e shtojnë presionin ekonomik, psikologjik dhe ekonomik të luftës. Ata pretendojnë se ka mina në Ngushticë, megjithëse ne nuk e dimë vërtet nëse ka, ku janë apo çfarë lloji janë.
Është një pamje interesante e mënyrës se si Irani synon të vazhdojë ta gjykojë këtë luftë.
Radio Evropa e Lirë: Nga këndvështrimi strategjik, sa e rëndësishme është Ngushtica për ndikimin e Iranit, dhe si e konsideron SHBA-ja atë në planifikimet e saj?
Joe Buccino: Kur filloi ky konflikt në fund të shkurtit, Ngushtica ishte e hapur. Tani, ajo është praktikisht e mbyllur dhe ky ndryshim ka rëndësi globale.
Irani e kupton që kjo krijon presion ekonomik përtej rajonit - tregjet e naftës, tregtia globale dhe siguria energjetike janë të gjitha të prekura.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka dislokuar fuqi të konsiderueshme detare, përfshirë tri grupe sulmuese të transportuesve të avionëve - më shumë se në çdo pikë në rajon që nga viti 2003.
Ajo që keni tani, është në thelb një garë e zjarrtë: secila palë pret të shohë se kush dorëzohet e para.
Radio Evropa e Lirë: A është koha në favor të Shteteve të Bashkuara apo të Iranit?
Joe Buccino: Të dyja palët ndiejnë se koha është në anën e tyre. Irani po shikon politikën e brendshme amerikane: çmimet e naftës në SHBA dhe në Evropë, sondazhet dhe faktin se jemi pesë muaj larg zgjedhjeve të mesmandatit. Të gjitha këto hyjnë në llogaritjet e tij.
Ndërkohë, Trump ka qenë më i qartë se kurrë se nuk ndien presion për të vepruar shpejt.
Ai beson se e ka mundësinë që t’i japë një “goditje vendimtare” kapacitetit bërthamor të Iranit. Kjo ka qenë gjithmonë e rëndësishme për të. Së paku nga jashtë, ai nuk po e ndien presionin e kohës.
Radio Evropa e Lirë: Si po i formësojnë aftësitë me kosto të ulët të Iranit operacionet detare amerikane? Ku po përqendrohen më shumë komandantët në mbrojtjen e forcave?
Joe Buccino: Rreziqet në Ngushticën e Hormuzit vijnë shpesh nga sistemet e armëve që nuk kushtojnë shumë.
Mendo për minat lundruese - këto janë mina “budallaqe” të stilit të Luftës së Parë Botërore. Ato nuk janë të ankoruara në asgjë; ato thjesht lundrojnë në sipërfaqe. Ne nuk e dimë se ku janë dhe as Irani nuk e di. Ato përzihen me mbeturinat, drurin dhe pajisjet e peshkimit.
Pastaj, ke skenarin “tre djem në një kamion”: pikat bregdetare të qitjes që qëllojnë dronë që kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë. Ata fluturojnë aq ulët në ujë, saqë është e vështirë të kapen në radar. Kur i sheh, ata janë sipër teje.
Pavarësisht aseteve tona të përparuara, këto janë rreziqe të mëdha. Por, ne jemi të përkushtuar publikisht për ta mbajtur këtë bllokadë, derisa Irani ta hapë Ngushticën dhe të pranojë se do të ndalojë pasurimin e uraniumit.
Radio Evropa e Lirë: Së voni, një mision për shpëtimin e pilotëve amerikanë, thellë brenda Iranit, tërhoqi vëmendje të konsiderueshme. Cilat mësime nga operacionet e tilla vlejnë për situatën aktuale?
Joe Buccino: Kjo tregon se ne mund t’i zhvendosim Forcat Speciale dhe asetet e Marinës në territorin aktual të Iranit, për të ofruar mbrojtje.
Nëse mendoni për një operacion për largimin e uraniumit të pasuruar nga ky vend, ai do të kërkonte burime masive: forca tokësore, mbulim nga lart dhe pajisje për zhvendosjen e dheut - të gjitha nën zjarr.
Ky operacion shpëtimi vërteton se ne e kemi kapacitetin për ta bërë këtë përmes koordinimit të Komandës Qendrore dhe operacioneve speciale.
Radio Evropa e Lirë: Irani po angazhohet edhe ndërkombëtarisht - me Kinën, me Rusinë... Sa rëndësi kanë këto marrëdhënie këtu?
Joe Buccino: Nëse ka ndonjë vend me ndikim të jashtëm, ai ndoshta është Kina - megjithëse edhe ajo është e kufizuar. Flitet se Kina do t’i dërgojë sistemet e saj më të reja të mbrojtjes ajrore në Iran, të cilat mund të identifikojnë një F-15 - diçka që Irani aktualisht nuk mund ta bëjë.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti rus, Vladimir Putin, u takua me ministrin e Jashtëm iranian më 27 prill dhe, sipas raporteve, ai “mori një mesazh” nga udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei. A sinjalizon kjo ndonjë gjë të rëndësishme?
Joe Buccino: Ka një arsye përse nuk e keni parë Ajatollahun apo nuk e keni dëgjuar zërin e tij kohët e fundit. Ai ka të ngjarë të jetë dy milje nën tokë, nën beton, duke komunikuar nëpërmjet copave të letrës. Është e vështirë t’i japësh informacion dhe e vështirë të marrësh vendime.
Udhëheqja iraniane është e fragmentuar midis Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), parlamentit dhe mullahëve.
Ka një vonesë të gjatë kohore, sepse duhet të presësh për një lajm nga Mojtaba Khamenei.
Nuk kam pasur kurrë iluzionin se kjo do të zgjaste disa javë. Prioriteti i regjimit është mbrojtja e Ajatollahut dhe kjo ndërlikon çdo negociatë të mundshme.
Radio Evropa e Lirë: Nëse tensionet përshkallëzohen më tej, çfarë treguesish po ndiqni?
Joe Buccino: Do të shikoj nëse do të lëvizim në ishullin Harg. Për mua, ky është përparim i natyrshëm.
Ne tashmë e kemi “zbutur” ishullin, duke shkatërruar shumicën e sistemeve të tij të mbrojtjes ajrore.
Ne kemi Divizionin e 82-të Ajror në terren, gati për të kryer një sulm ajror për të kapur naftën. Nëse e kapni atë naftë, dëmtoni aftësinë e regjimit për të paguar dhe furnizuar IRGC-në.
Nëse IRGC-ja ndalon së paguari dhe i mbarojnë municionet, ajo mund të fillojë t’i ulë armët. Këtu ju jepni goditjen përfundimtare. Jemi shumë larg kësaj - ende shpresojmë për një fund të negociuar të programit të uraniumit - por nëse e arrijmë këtë qëllim, e gjithë kjo do t’ia vlejë.