Ndërlidhjet

A.Saudite e shqetësuar me aktivitetin bërthamor të Iranit


Flamuri iranian dhe ai i Arabisë Saudite.

Arabia Saudite është e shqetësuar me rritjen e aktiviteteve bërthamore nga ana e Iranit, tha për agjencinë Reuters një zyrtar i Ministrisë së Jashtme Saudite.

“Këto aktivitete kërcënojnë sigurinë rajonale”, tha ky zyrtar.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore njoftoi se Irani ka nisur pasurimin e uraniumit në 20 për qind - një hap që e çon atë më pranë zhvillimit të materialeve që mund të përdoren për të bërë armë bërthamore.

Irani tha se aktivitetet e tij kanë për qëllim zhvillimin e karburantit për një reaktor kërkimor, jo prodhimin e një arme bërthamore.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë e vlerësuan masën si një kërcënim i negociatave për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015, përmes së cilës u kufizuan aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Zyrtari saudit tha se veprimet e fundit e Iranit pengojnë përpjekjet për të siguruar "një marrëveshje gjithëpërfshirëse bërthamore që garanton sigurinë dhe stabilitetin global dhe rajonal".

Arabia Saudite e qeverisur nga sunitët dhe Irani me shumicë shiite janë në rivalitet të gjatë që ka ndikuar në konfliktet në të gjithë rajonin, nga Jemeni në Siri.

Sidoqoftë, zyrtarët sauditë dhe iranianë kohët e fundit kanë zbutur gjuhën e tyre dhe thanë se ishin të përgatitur për pajtim.

Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore midis fuqive botërore dhe Iranit pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump thoshte se ajo nuk ishte e negociuar mirë dhe se në plan afatgjatë i mundëson Iranit të posedojë armë bërthamore.

Teherani filloi pastaj të mos i zbatojë kushtet e marrëveshjes.

Që nga muaji prill i këtij viti, SHBA-ja dhe Irani janë përfshirë në bisedime jo të drejtëpërdrejta në Vjenë të Austrisë për të ringjallur marrëveshjen e cila kishte kufizuar aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Negociatat koordinohen nga Bashkimi Evropian.

Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën (7 korrik) se prisnin zhvillimin e një raundi të shtatë të bisedimeve "në momentin e duhur", por nuk dhanë ndonjë datë.

XS
SM
MD
LG