Ndërlidhjet

Rrëzimi i dronit amerikan - “sulm i paprovokuar” i Iranit


Ilustrim / Tritoni MQ-4C
Ilustrim / Tritoni MQ-4C

Ushtria amerikane tha se rrëzimi i një droni të saj nga Irani, ditën e enjte, ka qenë një “sulm i paprovokuar” në hapësirën ndërkombëtare ajrore.

Në deklaratën e Komandës Qendrore të SHBA-së thuhet se droni mbikëqyrës i marinës RQ-4A Global Hawk “është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, derisa ka qenë duke operuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit”.

Në deklaratë thuhet se pretendimet e Iranit se droni ka qenë mbi Iranin “janë false”.

Ajo pason një deklaratë të mëhershme të Gardës Revolucionare të Iranit, e cila pretendonte të ketë qëlluar një dron amerikan.

Korpusi i Gardës Revolucionare tha se akti ka ndodhur mbi provincën jugore të Iranit, Hormozgan.

“Droni u rrëzua kur hyri në hapësirën ajrore të Iranit, pranë qarkut Kouhmobarak në jug”, tha Korpusi i Gardës Revolucionare.

Kryekomandanti i kësaj force, Hossein Salami, tha se rrëzimi i dronit “i dërgon mesazh të qartë Amerikës” se kufijtë e Iranit “janë vija e tij e kuqe”.

"Irani nuk po kërkon luftë me asnjë vend, por ne jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur Iranin", tha ai.

Qarku Kouhmobarak ndodhet 1,200 kilometra në juglindje të Teheranit dhe pranë Ngushticës së tensionuar të Hormuzit.

Kjo ngushticë është vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, e identifikoi dronin si RQ-4 Global Hawk.

Raportet vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, që kanë rritur frikën edhe për mundësinë e një konflikti të armatosur në rajon.

Sulmet e fundit mbi cisternat e naftës në Gjirin e Omanit dhe në afërsi të Ngushticës së Hormuzit e kanë përkeqësuar po ashtu situatën. Uashingtoni e fajëson Iranin për këto incidente, ndërsa Teherani mohon çdo përfshirje.

Tensionet morën hov edhe të hënën, kur Irani tha se brenda dhjetë ditësh, do të shkelë kufirin e përcaktuar me fuqitë ndërkombëtare, mbi rezervat e tij me uranium të pasuruar.

Irani tha se do të rrisë prodhimin e uraniumit në përgjigje të sanksioneve ekonomike nga Shtetet e Bashkuara.

Këtë javë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se do të dërgojë 1,000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, për shkak të, siç u shpreh, “sjelljes armiqësore” të forcave iraniane.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG