Ndërlidhjet

Pasiguri në Irlandë, pas rezultatit befasues të zgjedhjeve


Flamuri i Irlandës, foto nga arkivi.
Flamuri i Irlandës, foto nga arkivi.

Zgjedhjet e fundjavës në Irlandë kanë sjellë një rezultat tronditës, pasi partia nacionaliste Sinn Fein ka fituar numrin më të madh të votave dhe ka mundur dy partitë e qendrës së djathtë, që kanë qeverisur këtë vend për gati një shekull.

Nga numërimi i deritashëm i votave, Sinn Fein, e cila bën fushatë për ribashkimin e Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore - rajon tani i Mbretërisë së Bashkuar - ka fituar 24.5 për qind të votave, që do të thotë 10.7 për qind më shumë se në zgjedhjet e vitit 2016.

Presidentja e Sinn Fein, Mary Lou McDonald. Fotografi nga arkivi.
Presidentja e Sinn Fein, Mary Lou McDonald. Fotografi nga arkivi.

Fine Gael, partia e kryeministrit aktual, Leo Varadkar, ka fituar 20.9 për qind të votave, ndërsa rivalët e tij tradicionalë Fianna Fail, 22.2 për qind.

Megjithëkëtë, Sinn Fein nuk do të përfundojë domosdoshmërisht në qeveri.

Numri magjik për formimin e qeverisë së shumicës në Republikën e Irlandës është 80 ulëse në parlament.

Asnjë nga tri partitë e mëdha nuk do t'i afrohet kësaj shifre.

Formimi i Qeverisë së ardhshme të Irlandës mund të marrë javë ose muaj, pasi Fianna Fail and Fine Gael u kanë premtuar votuesve gjatë fushatës se nuk do të qeverisin me Sinn Fein.

Kjo e fundit dikur ka qenë krahu politik i lëvizjes guerile të Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA).

Udhëheqësja e Sinn Fein, Mary Lou McDonald, ka nisur tashmë bisedimet me parti më të vogla, si Të Gjelbrit dhe Laburistët, për të parë nëse mund të formojë koalicionin me numrat e tyre.

Ajo ka thënë se rezultati më i keq do të ishte një qeveri me Fine Gael dhe Fianna Fail sërish në pushtet.

Kush është Sinn Fein?

Sinn Fein është themeluar në vitin 1905 nga Arthur Griffith.

Kjo parti ka kundërshtuar Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ndërsa gjatë fushatës së fundit zgjedhore ka thënë se do të sigurojë një datë për referendum për ribashkimin e Irlandës.

Besimi i saj është se Irlanda Veriore dhe Republika e Irlandës duhet të bashkohen në një republikë të pavarur.

Për shumë vite, ajo ka qenë krahu politik i IRA-s dhe ka mbështetur fushatën e dhunshme të grupit për një Irlandë të bashkuar.

Shumë përfaqësues aktualë të Sinn Fein kanë qenë dikur anëtarë të IRA-s.

Në vitet 1990, partia ka hyrë në negociata politike që përfundimisht kanë çuar në një marrëveshje të paqes më 1998.

Kjo marrëveshje, e njohur si E Premtja e Mirë, ka ndihmuar t’iu japë fund dekadave të dhunës.

Në vitin 2005, pastaj, IRA zyrtarisht ka ndaluar fushatën e saj të armatosur, ndërsa më 2007, Sinn Feinn është zotuar se do të mbështesë plotësisht policinë dhe drejtësinë në Irlandën Veriore.

Edhe nëse Sinn Fein nuk arrin të marrë pushtetin këtë herë, do të jetë e vështirë për secilën parti që hyn në qeveri të anashkalojë votat që Sinn Fein ka marrë nga qytetarët irlandezë, shkruan BBC.

Fitorja e Sinn Fein është një goditje e keqe për rendin e vjetër, shkruan në anën tjetër The Telegraph.

Sipas gazetës Guardian, Irlanda tani përballet me pasiguri.

Irlanda po e jeton momentin e saj anti-establishment, shkruan Financial Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG