Ndërlidhjet

Ish-diplomatët amerikanë i kërkojnë OKB-së t'ua ndalojë udhëtimin liderëve talibanë


Luftëtarët talibanë drejtojnë një makinë në një rrugë pas vrasjes së liderit të Al Kaidës, Ayman al-Zawahiri. Kabul, 2 gusht 2022.

Një grup ish-ambasadorëve të SHBA-së i kanë bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të rivendosin kufizimet e udhëtimit për liderët talibanë, në përgjigje të kthimit gjithnjë e më të madh të grupit radikal në praktikat e tij që nga vitet kur për herë të parë sundoi Afganistanin.

Në një letër të publikuar nga instituti i Këshillit Atlantik më 3 gusht, gjashtë ish-diplomatët thanë se vrasja javën e kaluar e liderit të Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri në Kabul, ku ai ishte strehuar në një shtëpi të sigurt, tregon për vazhdimin e lidhjeve të ngushta të talibanëve me grupin terrorist.

Talibanët, të cilët u kthyen në pushtet vitin e kaluar, pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA-ja, mohojnë lidhjet e tilla.

Në këtë letër thuhet se pas kthimit të talibanëve në pushtet vitin e kaluar ata kanë rivendosur në mënyrë të vazhdueshme kufizime ekstreme mbi të drejtat e njeriut, veçanërisht për gratë dhe vajzat "duke refuzuar arsimimin e tyre, duke kufizuar udhëtimet e tyre, duke diktuar veshjen dhe kufizimin e lëvizjes së tyre”.

“Si përfundim, nëse Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë veprime për të mbështetur fjalët e saj, atëherë fjalët mbeten të zbrazëta . Gratë e Afganistanit do të mbeten të pambështetura dhe kërcënimet terroriste që burojnë nga Afganistani do të mbeten - pavarësisht se çfarë thotë Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-së dhe vendeve partnere”, thuhet në letër.

"Rivendosja e ndalimit të udhëtimit është një nga veprimet e pakta që Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin për të treguar se është serioze është situata. Duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi".

Letra është shkruar nga James Cunningham, Ryan Crocker, Hugo Llorens, P. Michael McKinley, Ronald E. Neumann dhe Earl Anthony Wayne, të cilët kanë mbajtur pozicione në ambasadën e SHBA-së në Afganistan gjatë 15 viteve të fundit.

Pushtimi i udhëhequr nga SHBA-ja rrëzoi talibanët nga pushteti në fund të vitit 2001, pas provave se grupi radikal kishte strehuar dhe ndihmuar Osama bin Laden në sulmet e tij terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, ku u vranë rreth 3.000 njerëz.

Në marrëveshjen e nënshkruar me Shtetet e Bashkuara në shkurt 2020, udhëheqësit e grupit u zotuan se nuk do të strehojnë grupe terroriste pasi forcat amerikane të tërhiqen nga Afganistani dhe më pas u zotuan të respektojnë të drejtat e grave në përputhje me traditat islame.

Heqja e ndalimit të udhëtimit nga OKB-ja për liderët talibanë u bë në vitin 2019 për t'i lejuar ata të udhëtojnë për të nënshkruar marrëveshjen me SHBA-në.

XS
SM
MD
LG