Ndërlidhjet

Ish-udhëheqësi i fushatës së Trumpit u përgjua me urdhër të fshehtë


Paul Manafort

Mediat amerikane raportojnë se hetuesit federalë kanë përgjuar ish-udhëheqësin e fushatës së presidentit Donald Trump, me urdhër të fshehtë të gjykatës, dhe se tani planifikojnë ta padisin atë.

The New York Times, duke cituar dy njerëz të afërt me rastin, raporton se agjentët amerikanë e kanë bastisur shtëpinë e Paul Manafort në Virxhinia në muajin korrik dhe e kanë informuar se planifikojnë ta padisin.

CNN, po ashtu duke cituar burime anonime, raporton se hetuesit kanë pasur urdhër sekret për të përgjuar Manafortin, përpara dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016.

Manafort është një nga këshilltarët e afërt të Trumpit, të cilët po hetohen nga këshilltari i posaçëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Manafort është bërë udhëheqës i fushatës së Trumpit në qershor të vitit 2016, por është detyruar të japë dorëheqje dy muaj më vonë, pas raporteve për lidhjet e tij biznesore me partinë e ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Manafort dhe avokatët e tij nuk i kanë komentuar menjëherë raportet e fundit.

Urdhrat e fshehtë për përgjim kërkojnë miratimin e zyrtarëve të FBI-së dhe të Departamentit të Drejtësisë, ndërsa autoritetet e sundimit të ligjit duhet të dëshmojnë te gjykata se kanë arsye për të besuar se subjekti i hetimeve mund të veprojë si agjent i një fuqie të huaj.

CNN tha se interesimi mbi Manafortin është rritur për shkak të komunikimevetë përgjuara midis tij dhe operatorëve rusë dhe midis rusëve.

CNN tha se përgjimi që ka nisur para zgjedhjeve në vitin 2016, ka vazhduar edhe në vitin 2017, përfshirë periudhën kur Manafort ka biseduar me Trumpin, pasi ai është bërë president.

Rrjeti televiziv tha se nuk është e qartë nëse është incizuar ndonjë bisedë me Trumpin, gjatë kohës së mbikëqyrjes.

CNN po ashtu tha se FBI nuk ka qenë duke përgjuar në qershor të vitit 2016, kur djali i presidentit, Donald Trump Jr., Manafort dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, kanë takuar një avokate ruse, e cila u ka premtuar se do t’iu japë informacione negative për rivalen e Trumpit, demokraten Hillary Clinton.

Rusia vazhdimisht ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, ndërsa Trump ka mohuar se ka pasur ndonjë bashkëpunim me zyrtarët rusë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG