Kur një kuadkopter i armatosur fluturoi mbi kufirin jugor të Libanit drejt Izraelit më 19 maj, një ushtar i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) vrapoi drejt një kodre aty pranë dhe u përpoq ta kapte kabllon me fibra optike që kontrollonte dronin, duke përdorur një copë metali.
Kjo skenë e jashtëzakonshme, e kapur nga fotoreporterët në kufi, ofron shembullin më të qartë deri më tani të përdorimit të dronëve me fibra optike – që fillimisht u përdorën nga ushtarët rusë dhe që tashmë përdoren gjerësisht në Ukrainë – nga militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani.
Po ashtu nxjerrë në pah cenueshmërinë madje të ushtrive më të avancuara të botës ndaj inovacioneve të dronëve të lirë.
Muajin e kaluar, militantët e Hezbollahut kanë vrarë tre ushtarë të IDF-së dhe një civil izraelit duke përdorur dronë kamikazë që kontrollohen me kabllo me fibra optike, të gjata me kilometra.
Në përgjigje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi për krijimin e një ekipi për të luftuar kërcënimin nga dronët e lidhur me kabllo. Izraeli po i vë në dispozicion kësaj taskë-force një “buxhet të pakufizuar”, mes kundërthënieve në rritje në vend lidhur me mungesën e përgatitjes për armën që për herë të parë u shfaq më 2024.
Raportohet se IDF-ja më herët kishin refuzuar oferta nga Kievi për të trajnuar forcat izraelite në teknikat kundër dronëve, por më 17 maj Netanyahu tha se kishte paralajmëruar për kërcënimin nga dronët e armatosur vite përpara krizës aktuale të shkaktuara nga këto pajisje.
“Pasi pashë luftën në Ukrainë, mendova se kjo mund të shërbejë si mjet në fushëbetejën tonë”, tha Netanyahu gjatë një mbledhjeje të Qeverisë.
Për dallim nga dronët që kontrollohen me radio, të cilët mund të bllokohen përmes pajisjeve elektronike dhe kërkojnë një linjë të qartë me transmetuesin, dronët me fibra optike mund të drejtohen pothuajse kudo ku ka hapësirë për të fluturuar.
Në Ukrainë, pilotë me përvojë të dronëve janë dokumentuar duke i fluturuar pajisjet e tyre përmes dritareve dhe duke kërkuar ushtarë brenda ndërtesave disa kilometra në thellësi të territorit të armikut.
Kjo liri e fluturimit, e kufizuar vetëm nga kohëzgjatja e baterisë dhe nga gjatësia e kabllos së dronit, rrit frikën se militantët mund të dalin nga tunelet për të lëshuar një dronë dhe më pas të operojnë me të nga nëntoka, pa u vënë re.
Kuadrokpterët me tela nuk lënë gjurmë që mund të detektohet e radio apo gjurmë të nxehtësisë dhe janë të vegjël mjaftueshëm që të shmangin shumë sisteme të radarit, duke u mundësuar operatorëve që t’i fluturojnë në lartësi të ulëta.
Disa ekspertë besojnë se shfaqja e dronëve me fibra optike të përdorur nga militantët e Hezbollahut tregon se Rusia po i furnizon Iranin me informacione për këtë teknologji, ndërsa të tjerë mendojnë se një mundësi tjetër, ndoshta edhe më shqetësuese, ka më shumë gjasa të jetë e vërtetë.
Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet ruso-iraniane, i tha Radios Evropa e Lirë se droni me fibra optike i fotografuar më 19 maj (më poshtë) duket identik me konfigurimet që përdoren nga forcat ruse në Ukrainë.
Ajo vë në dukje rezervat e mëdha të armëve ruse që zotëron Hezbollahu si një tregues të mundshëm se teknologjia e dronëve, të lidhur me kabllo, “ose po vjen drejtpërdrejt nga rusët, ose përmes iranianëve nëpërmjet Rusisë”.
Moska ka mohuar se furnizon Hezbollahun me armë.
Por, meqenëse pushtimi rus i Ukrainës është lufta më e dokumentuar vizualisht në histori, analistë të tjerë besojnë se militantët e Hezbollahut kanë arritur të ndërtojnë vetë pajisjet dhe taktikat e tyre duke u bazuar në videot nga pushtimi rus.
“Nuk kërkohet shumë inteligjencë”, i tha Radios Evropa e Lirë analisti ushtarak izraelit, Yaakov Lappin. “Hezbollahu pa dronët FPV të përdorur me efekt të madh në fushëbetejat e Ukrainës dhe vendosi t’i adoptojë”.
Ai shtoi se të gjitha komponentët për këta dronë, përveç kokave shpërthyese, “mund të blihen në ueb-faqe në internet”.
Disa platforma tregtare kineze reklamojnë hapur komponentë për dronë me fibra optike, përfshirë mbajtëse bobinash me deri në 30 kilometra kabllo.
Monika Ahlborn, analiste që qëndron pas llogarisë së njohur në rrjetet sociale, Drone Wars, po ashtu beson se kuadkopterët e përdorur së voni nga Hezbollahu mund të jenë thjesht rezultat i imitimit. Ajo theksoi se dukshmëria në rrjetet sociale “do të thotë se konceptet, konfigurimet dhe taktikat mund të përhapen relativisht shpejt në teatro të ndryshme”.
Një përhapje e ngjashme e inovacioneve të fushëbetejës është parë edhe vitet e fundit, përfshirë përdorimin e bombave të vogla që hidhen nga dronët. Kjo taktikë u pa për herë të parë në videot propagandistike të grupit militant, Shteti Islamik, në fillim të vitit 2017 dhe më vonë u adoptua nga luftëtarë në Ukrainë dhe gjetkë.
Lappin tha se “asnjë nga mbrojtjet ekzistuese [izraelite] nuk është projektuar për kërcënimin nga dronët FPV [dron me pamje ballore] të lidhur me kabllo”.
Sipas tij, përpjekjet që po shqyrtohen në Izrael për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi të ri përfshijnë “dronë pengues, sensorë elektro-optikë dhe akustikë, pajisje kompjuterike për shënjestrim, si dhe potencialisht laserë ose mitraloza të drejtuar nga sensorët”.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina kanë zhvilluar pajisje kinetike kundër dronëve, përfshirë pengues të lehtë që lëshohen me dorë dhe armë me rrjeta, të cilat kanë pasur njëfarë suksesi të dokumentuar në fushëbetejë.