Qeveria e Izraelit dhe grupi radikal palestinez Hamas — i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian — janë pajtuar të mërkurën për një ndërprerje katërditore të luftimeve, për të mundësuar lirimin e 50 pengjeve që po mbahen në Gazë, në shkëmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjes së ndihmave humanitare në territorin e rrethuar, raporton Reuters.
Zyrtarë nga Katari, që ka ndërmjetësuar negociata sekrete, si dhe nga SHBA-ja, Izraeli e Hamasi, prej ditësh kanë paralajmëruar për arritjen e një marrëveshjeje.
Hamasi besohet se po mban mbi 200 pengje, të cilët i ka marrë kur luftëtarët e tij ia mësynë Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona, sipas autoriteve izraelite.
Një komunikatë e lëshuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen brenda një periudhe katërditore, gjatë së cilës do të ketë ndërprerje të luftimeve.
Për çdo 10 pengje shtesë të liruara, armëpushimi do të zgjatet për një ditë shtesë, ka njoftuar zyra e Netanyahut, pa përmendur lirmin e të burgosurve palestinezë në shkëmbim.
"Qeveria e Izraelit është e vendosur për kthimin e të gjithave pengjeve në shtëpi. Sot, ajo ka aprovuar marrëveshjen e propozuar si fazë të parë drejt arritjes së këtij objektivi", thuhet në komunikatë, e cila u lëshua disa orë pas diskutimeve prapa dyerve të mbyllura.
Hamasi ka thënë se 50 pengjet do të lirohen në shkëmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë, të cilët mbahen në burgjet izraelite. Marrëveshja e armëpushimit do të lejojë, po ashtu, hyrjen e qindra kamionëve me ndihma humanitare, ilaçe dhe karburante në Gazë, ka thënë grupi radikal palestinez, përmes një komunikate.
Izraeli është zotuar se nuk do të sulmojë apo nuk do të arrestojë askënd në të gjitha pjesët e Gazës gjatë periudhës së armëpushimit, ka njoftuar Hamasi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur. "Marrëveshja e sotme duhet të kthejë një shtëpi pengje shtesë amerikane, dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë", ka deklaruar ai, përmes një komunikate.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, para një takimi joformal në Shkup me liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani të mërkurën.
Stoltenberg ka thënë se marrëveshja “do të çojë edhe në mbërritjen e ndihmave humanitare në zonat e prekura”.
Qeveria e Katarit ka thënë se 50 civilë, gra dhe fëmijë, të marrë peng, do të lirohen nga Gaza në shkëmbim të lirimit të "një numri grash dhe fëmijësh palestinezë që mbahen në burgjet izraelite".
Fillimi i zbatimit të marrëveshjes do të bëhet i ditur brenda 24 orësh, ka njoftuar ajo, përmes një komunikate.
Marrëveshja është e para e armëpushimit në një luftë në të cilën bombardimet izraelite kanë rrafshuar pjesë të mëdha të Gazës së qeverisur nga Hamasi, kanë vrarë 13.300 civilë në një territor të vogël me dendësi të madhe popullsie, dhe kanë lënë rreth dy të tretat e popullsisë së tij prej 2.3 milionë banorësh pa kulm mbi kokë, sipas autoriteteve në Gazë.
Por, Netanyahu ka thënë se misioni i Izraelit nuk ka ndryshuar.
"Ne jemi në luftë dhe do të vazhdojmë luftën derisa t'i arrijmë të gjitha objektivat tona. Ta shkatërrojmë Hamasin, t'i kthejmë të gjitha pengjet tona dhe të sigurohemi se askush në Gazë nuk mund ta kërcënojë Izraelin", ka deklaruar ai para fillimit të takimit qeveritar.
Hamasi ka thënë në komunikatën e tij se, "përderisa po shpallim arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, konfirmojmë se luftëtarët tanë mbeten të gatshëm, dhe luftëtarët tanë fitimtarë do të vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e popullit tonë dhe për mposhtjen e okupatorëve".
Tre amerikanë, përfshirë një vajzë trivjeçare, prindërit e së cilës ishin mes të vrarëve gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, pritet të jenë ndër pengjet që do të lirohen, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.
Përveç qytetarëve izraelitë, mbi gjysma e pengjeve kanë nënshtetësi të dyfishtë nga mbi 40 shtete, përfshirë SHBA-në, Tajlandën, Britaninë, Francën, Argjentinën, Gjermaninë, Kilin, Spanjën dhe Portugalinë, ka thënë qeveria izraelite.
Sipas mediave izraelite, lirimi i parë i pengjeve pritet të bëhet të enjten. Zbatimi i marrëveshjes duhet të presë 24 orë për t'i dhënë qytetarëve izraelitë rastin t'i kërkojnë Gjykatës Supreme ta ndalojë lirimin e të burgosurve palestinezë, raportuan ato.