Ndërlidhjet

Pamje nga Teherani.
Pamje nga Teherani.

Drejtpërdrejt SHBA nis operacione të mëdha ushtarake kundër Iranit, Teherani kundërpërgjigjet me sulme në Lindje të Mesme

E përditësuar

• Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme në disa qytete të Iranit. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.

• Presidenti amerikan, Donald Trump i ka konfirmuar sulmet dhe është zotuar se do të eliminohet "kërcënimi nga regjimi iranian".

• Ai i është drejtuar popullit iranian, duke i thënë se "pas sulmeve, merreni ju në duar Qeverinë".

• Trupat ushtarake iraniane po kundërpërgjigjen me sulme me dronë e raketa kundër shteteve të Lindjes së Mesme. Shtetet e prekura po raportojnë se po i parandalojnë sulmet.

• Këto zhvillime përbëjnë përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindje të Mesme dhe i kanë zbehur shpresat për një zgjidhje diplomatike në mes të Teheranit dhe Uashingtonit lidhur me programin bërthamor.


09:32

Njoftimi për qytetarët e Kosovës në Izrael

Autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë që janë në Izrael të jenë të vëmendshëm dhe t’i respektojnë të gjitha udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase”, ka bërë të ditur e ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael, Ines Demiri.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në këtë numër telefoni për ndonjë rast urgjent: 972 586 340450

09:04

Trump, popullit iranian: Pas sulmeve, merreni në duar Qeverinë

Përgjatë fjalimit që ka bërë për të konfirmuar sulmet amerikane, Trump i ka pasur dy fjalë edhe për regjimin dhe forcat iraniane.

Ai u ka thënë pjesëtarëve të Gardës Revolucionare të Iranit që t’i ulin armët dhe ashtu mund të kenë “imunitet të plotë” ose në të kundërtën do të përballen me vdekjen.

Trump i ka thënë popullit iranian që të ketë kujdes dhe të strehohet në vende të sigurta në orët e ardhshme.

“Është shumë rrezik jashtë, bombat do të lëshohen gjithandej. Kur të përfundojmë, merreni në dorë qeverinë tuaj, do të jetë e juaja dhe kjo do të mund të jetë ndoshta mundësia e vetme ndër gjenerata. Për shumë vjet e keni kërkuar ndihmën amerikane, por nuk e keni marrë atë. Asnjë president amerikan nuk ka pasur gatishmëri të bëhet ajo që po e bëj unë tani”, ka thënë mes tjerash Trump.


08:38

Trump konfirmon sulmet amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se ushtria amerikane ka nisur sulme në Iran.

Përmes një postimi në rrjetin social, Truth Social, ai ka thënë se “pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacione të mëdha luftarake në Iran”.

“Objektivi ynë është që t’i mbrojmë amerikanët duke e eliminuar kërcënimin nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish të tmerrshëm”, ka thënë Trump përmes një videoje të publikuar në këtë rrjet.

“Ka qenë gjithmonë politikë e Shteteve të Bashkuara, sidomos e administratës sime, se ky regjim terrorist nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore. Po e them sërish, ata nuk mund të kenë kurrë armë bërthamore”.

Ai e ka përmendur operacionin ushtarak amerikan të qershorit të vitit të kaluar “Çekani i Mesnatës” duke thënë se përmes tij është shkatërruar programi bërthamor iranian në tri qendra Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Presidenti ka thënë se sulmet kanë ardhur pasi Shtetet e Bashkuara kanë tentuar vazhdimisht që të arrijnë marrëveshje me Iranin, por ky i fundit nuk ka pranuar.

Trump ka shtuar se tani “do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe industrinë e tyre të raketave. Do të zhduken plotësisht”. Sipas tij, ky program i raketave po kërcënon bazat amerikane në afërsi dhe aleatët rajonalë.

“Ky regjim do ta mësojë shpejt se askush nuk duhet ta sfidojë forcën dhe kapacitetin e ushtrisë amerikane”.

Presidenti Trump.
Presidenti Trump.
08:30

Pamje nga Teherani


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG