Një përmbledhje e asaj çfarë ndodhi gjatë ditës së shtunë, 28 shkurt
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore ndaj Iranit në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ato goditën disa vende të rëndësishme, përfshirë kompleksin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha më vonë së Khamenei u vra në këto sulme.
SHBA-ja tha se Irani e refuzoi ofertën bërthamore para sulmeve parandaluese.
Sipas Kryqit të Kuq Iranian, mbi 200 njerëz janë vrarë në Iran.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme ajrore, duke shënjestruar qytete izraelite dhe disa vende fqinje ku janë të vendosura forca amerikane. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet drejt rajonit.
Sulme ajrore iraniane janë raportuar në Bahrein, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Irak dhe vende të tjera.
Të paktën katër persona u plagosën në një incident në një hotel luksoz në Dubai, ndërsa një civil u vra nga mbetjet që ranë në Abu Dabi pas një sulmi “që përfshinte raketa balistike iraniane”.
Në një fjalim drejtuar kombit gjatë natës, Trump konfirmoi “operacione të mëdha luftarake” dhe tha se SHBA-ja nisi sulme për ta shkatërruar programin raketor të Iranit dhe flotën e tij detare.
Trump u bëri thirrje popullit iranian “ta marrë në dorë vendin e vet”, duke shtuar se “ora e lirisë suaj ka ardhur”.
Kaq për sonte të dashur lexues, do të rikthehemi nesër në mëngjes!
Emiratet e Bashkuara Arabe rrëzuan 137 raketa dhe 209 dronë gjatë sulmit iranian
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) njoftoi përmes një deklarate se forcat ajrore dhe ato të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 137 raketa balistike dhe 209 dronë të lëshuar drejt territorit të EBA-së që nga fillimi i sulmit iranian.
Sipas ministrisë, që nga nisja e sulmit janë identifikuar 137 raketa balistike iraniane të lëshuara drejt EBA-së, prej të cilave 132 janë shkatërruar, ndërsa pesë kanë rënë në ujërat bregdetare.
Po ashtu janë identifikuar 209 dronë iranianë, prej të cilëve 195 janë interceptuar, ndërsa 14 kanë rënë në territorin dhe ujërat e vendit, duke shkaktuar disa dëme kolaterale.
Ministria theksoi se EBA i refuzon kategorikisht veprimet e Iranit, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve dhe një veprim që minon stabilitetin.
Izraeli mbyll shkollat dhe ndalon grumbullimet pas lëshimit të raketave hakmarrëse nga Irani
Izraeli ka ndaluar grumbullimet publike, ka mbyllur shkollat dhe vendet e punës, si dhe ka zhvendosur pacientët e spitaleve në hapësira nëntokësore më 28 shkurt, pasi Teherani lëshoi raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për një sulm të përbashkët amerikano-izraelit kundër Iranit, raportojnë agjencitë e lajmeve.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në mbarë vendin, duke paralajmëruar qytetarët për sulme me raketa dhe dronë nga Irani.
Ushtria u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet emergjente, ndërsa njoftoi se dhjetëra mijëra rezervistë janë thirrur për shërbim, përfshirë edhe për të forcuar kufijtë tokësorë të vendit.
Policia ka apeluar që të shmanget udhëtimi i panevojshëm, në mënyrë që automjetet e sigurisë dhe të emergjencës të mund të lëvizin lirshëm.
Ambasada e SHBA-së në Jerusalem u ka këshilluar punonjësve të saj që të strehohen në vend, raportoi Reuters.
Ndërkohë, njerëz janë parë duke nxituar për të blerë ushqime dhe për të tërhequr para, teksa shpërthimet nga kapja e raketave jehonin nëpër qytet.
SHBA-ja thotë se Irani e refuzoi ofertën bërthamore para sulmeve parandaluese
Shtetet e Bashkuara thanë më 28 shkurt se nisën sulme ushtarake parandaluese kundër Iranit, pasi arritën në përfundimin se Teherani po përgatitej të përdorte arsenalin e tij të raketave kundër forcave amerikane dhe aleatëve, dhe nuk kishte ndërmend të pranonte kufizime domethënëse për programin e tij bërthamor.
Gjatë një bisede informuese me gazetarë, zyrtarë të lartë të administratës argumentuan se informacionet e inteligjencës për një sulm të mundshëm të Iranit si veprim paraprak, të kombinuara me atë që e përshkruan si dështim të negociatave bërthamore, e lanë presidentin amerikan Donald Trump “pa zgjidhje tjetër” përveçse të vepronte.
Sipas tyre, vendimi u udhëhoq nga ajo që e cilësuan si një kërcënim i dyfishtë: ambicia afatgjatë e Iranit për të siguruar armë bërthamore dhe kapacitetet e tij të menjëhershme konvencionale me raketa.
Një zyrtar tha se administrata besonte se arsenali iranian i raketave balistike, veçanërisht në pjesën jugore të vendit, përbënte një “rrezik të papranueshëm” për forcat amerikane në rajon. Veprimi para se këto raketa të lëshoheshin, sipas tij, do të zvogëlonte ndjeshëm viktimat e mundshme krahasuar me pritjen që Irani të godiste i pari.
Më shumë: