Pamjet nga Teherani
Izraeli: Irani po kundërpërgjigjet me raketa
Ushtria izraelite e ka lëshuar një deklaratë duke thënë se pak kohë më parë ka identifikuar nisje të raketave prej Iranit në territorin e shtetit të Izraelit, por që ato janë duke u goditur në ajër.
Netanyahu: Po krijohen kushtet që populli iranian të marrë fatin në duart e veta
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmi i përbashkët amerikano-izraelit kundër Iranit “do t’i krijojë kushtet për popullin guximtar të Iranit që të marrë fatin në duart e veta”.
“Ka ardhur koha për çdo segment të popullit në Iran që të heqë thundrën e tiranisë nga (regjimi) dhe të krijojë një Iran të lirë dhe paqedashës”, ka thënë Netanyahu përmes një deklarate.
Njoftimi për qytetarët e Kosovës në Izrael
Autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë që janë në Izrael të jenë të vëmendshëm dhe t’i respektojnë të gjitha udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase”, ka bërë të ditur e ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael, Ines Demiri.
Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në këtë numër telefoni për ndonjë rast urgjent: 972 586 340450