Ushtria izraelite po godet shënjestra ushtarake në Iran
Ushtria izraelite ka thënë në përditësimin e fundit se forca e saj ajrore është duke kryer “një numër të madh sulmesh në shënjestrat ushtarake” në perëndim të Iranit.
Më herët në mëngjes, për shpërthime është raportuar në qytetet perëndimore iraniane, Kermanshan dhe Tabriz.
Raportohet për shpërthime në Bahrein
Mediat perëndimore janë duke raportuar se ka shpërthime edhe në Bahrein, dhe tashmë janë lëshuar sirenat në mbarë vendin.
Në këtë shtet gjendet flota e pestë e marinës amerikane.
Njoftim për shtetasit e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ambasada e Kosovës në Abu Dabi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe të kenë kujdes të shtuar pas rritjes së tensioneve në rajon.
Për raste urgjente, ajo e ka vënë në dispozicion këtë numër telefoni +971 547092109, teksa ka kërkuar që të ndiqen udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të shmangen zonat afër objekteve ushtarake dhe atyre të sigurisë.
Pahlavi: Momente vendimtare kemi përpara
Në një video-mesazh të publikuar në rrjete sociale, Reza Pahlavi – djali i shahut të fundit të Iranit – ka thënë se “momente vendimtare kemi përpara” dhe ka pretenduar se ndihma e premtuar nga presidenti amerikan “tani ka arritur”, duke e përshkruar atë si “intervenim humanitar” që shënjestron “Republikën Islamike – aparatin e saj shtypës dhe makinerinë vrastare – dhe jo shtetin dhe kombin e mrekullueshëm të Iranit”.
Ai ka shtar se “fitorja përfundimtare do të arrihet prej nesh” dhe që “koha për t’u kthyer sërish në rrugë është afër”.
Duke iu drejtuar forcave të sigurisë, ai ka thënë se “ju jeni betuar për ta mbrojtur Iranin dhe popullin iranian, jo për ta mbrojtur Republikën Islamike”, teksa u ka bërë thirrje atyre që t’i bashkohen popullit, apo të fundosen me regjimin e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Pahlavi i ka bërë thirrje edhe presidentit amerikan, Donald Trump që të ketë kujdes maksimal për t’i mbrojtur jetët e njerëzve, dhe u ka thënë iranianëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre tani për tani.
“Ne jemi shumë afër fitores përfundimtare”.