Ndërlidhjet

Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei.
Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei.

Si rrodhi dita e parë e operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit

• Presidenti amerikan, Donald Trump tha më 28 shkurt se lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, është vrarë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit në Teheran.

•Trump tha se Uashingtoni kishte nisur “operacione të mëdha luftarake” kundër Iranit, vetëm disa orë pasi Izraeli njoftoi se kishte kryer atë që e përshkroi si një “sulm parandalues” më 28 shkurt.


12:59 28.2.2026

Raportohen shpërthime në gjithë Gjirin, teksa Irani konfirmon sulme ndaj bazave amerikane

Tym në qiell pas shpërthimeve në Bahrein.
Tym në qiell pas shpërthimeve në Bahrein.

Mes raportimeve për sulme në mbarë Lindjen e Mesme, shtetet e Gjirit Persik kanë reaguar ndaj zgjerimit të sulmeve iraniane me raketa dhe dronë, që synojnë objekte ushtarake amerikane dhe kryeqytete rajonale.

Një valë e re shpërthimesh është raportuar në Abu Dabi, ndërsa agjencitë e lajmeve Reuters dhe AFP, duke cituar dëshmitarë lokalë, kanë raportuar për incidente të shumta.

Katari e ka mbyllur hapësirën e tij ajrore pas sulmeve të mëhershme me raketa dhe ka deklaruar se e rezervon të drejtën për t’u përgjigjur.

Arabia Saudite e ka dënuar atë që e ka quajtur “agresion brutal iranian” dhe “shkelje flagrante” të sovranitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë, megjithëse nuk ka konfirmur se është shënjestruar, pavarësisht raportimeve për shpërthime në Riad.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë pretenduar se kanë goditur baza amerikane në Bahrein, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së, dhe janë zotuar se operacionet do të vazhdojnë.

Më herët, për sirena alarmi dhe shpërthime është raportuar në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, si dhe në Abu Dabi, Dubai, Riad dhe Kuvajt.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se kanë rrëzuar disa raketa, por kanë raportuar për një viktimë.

Edhe Katari ka thënë se të gjitha raketat e lëshuara drejt vendit janë shkatërruar.

Reuters ka raportuar gjithashtu për një sulm ajror ndaj selisë së Forcave të Mobilizimit Popullor në Bagdad, Irak.

12:37 28.2.2026

Kosova mbështet sulmet amerikane kundër Iranit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë përmes një deklarate publike se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, regjimin e të cilit e ka përshkruar të atillë që për dekada e ka shtypur popullin e vet, e ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Ne qëndrojmë krah presidentit [amerikan] Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci. Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje”, është thënë në deklaratë.

Mes tjerash është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.

Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, pasi ky i fundit nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

12:19 28.2.2026

Kryeministri australian: Australia është me popullin iranian

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka thënë se shteti i tij “qëndron me popullin guximtar të Iranit, në betejën e tyre kundër shtypjes”.

Në një postim në X, ai ka thënë se Australia mbështet Shtetet e Bashkuara “teksa veprojnë për të parandaluar Iranin nga posedimi i armës bërthamore dhe që Irani të mos vazhdojë të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Ai e ka përshkruar regjimin iranian si “forcë destabilizuese” që “nuk mund të lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore”.

Albanese ka thënë se thirrjet ndërkombëtare ndaj Teheranit për t'i respektuar “të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të shtetit iranian nuk janë dëgjuar”, teksa ka shtuar se “një regjim që shtyp dhe vret popullin e tij për të mbajtur pushtetin, nuk ka legjitimitet”.

Kryeministri australian, Anthony Albanese.
Kryeministri australian, Anthony Albanese.

12:09 28.2.2026

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG