Çfarë dimë deri më tani për situatën në Lindje të Mesme?
- Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer të shtunën sulme të përbashkëta në mbarë Iranin, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Teherani.
- Shpërthime të shumta janë dëgjuar në disa qytete iraniane, përfshirë kryeqytetin, Teheran, ku raportohet se janë shënjestruar zyra e liderit suprem, Ayatollah Ali Kahmenei dhe ajo e presidentit, Masud Pezeshkian. Gjendja e tyre nuk dihet.
- Presidenti amerikan, Donald Trump, teksa konfirmoi sulmet, i tha popullit iranian se “ora e lirisë suaj po afron”.
- Për shpërthime, sirena alarmi dhe tym është raportuar në gjithë rajonin e Gjirit, pasi Irani u zotua për “përgjigje shkatërruese” ndaj sulmeve amerikano-izraelite.
- Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Bahreini dhe Jordania kanë bërë të ditur se po i rrëzojnë raketat e lëshuara nga Irani drejt bazave ushtarake amerikane në territoret e tyre.
- Agjenci lajmesh në Iran raportojnë për gati 40 të vrarë pas sulmit në një shkollë. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë këto raportime. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se një civil u vra nga mbetjet që ranë pas një goditjeje “që përfshinte raketa balistike iraniane”.
- Irani po përballet me ndërprerje pothuajse totale të internetit, si dhe një valë të gjerë sulmesh kibernetike, andaj verifikimi i situatës në terren është vështirësuar.
- Disa liderë botërorë kanë bërë thirrje për zgjidhje diplomatike.
“Të paktën 20 provinca janë prekur nga sulmet”
Zëdhënësi i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe në Iran ka thënë se mbi 20 provinca janë prekur në gjithë shtetin nga sulmet amerikane dhe izraelite të së shtunës.
Mojtaba Khaledi ka raportuar se ekipet për kërkim-shpëtim janë duke punuar për t’i identifikuar të plagosurit dhe vdekurit, pas një sulmi në një shkollë në qarkun Minab.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë “distancë 100-metërshe” nga zonat e prekura dhe të shmangin tubimet nëpër ato lokacione.
Më herët gjatë ditës, guvernatori i Minabit, qytet në jug të Iranit, ka thënë se 40 nxënës janë vrarë si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këtë pretendim në mënyrë të pavarur.
Situata në Izrael
Izraelitët nëpër qendrat e strehimit në shtetin e tyre, pas nisjes së sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit. Irani është zotuar se do të kundërpërgjigjet.