Netanyahu: Ka shumë tregues që udhëheqësi suprem i Iranit ka “vdekur”
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po flet në një konferencë për sulmin ndaj rezidencës së udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei.
Ka tregues gjithnjë e më të mëdhenj se “ky diktator” ka “vdekur”, thotë Netanyahu.
Kryeministri izraelit u bëri thirrje qytetarëve të Izraelit t'i ndjekin këshillat e sigurisë nga Komanda e Frontit të Brendshëm të vendit, pas sugjerimit se operacioni kundër Iranit do të vazhdojë “sa të jetë e nevojshme”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje iranianëve që “të dalin në rrugë sa më shumë” për ta rrëzuar regjimin
Netanyahu iu drejtua popullit iranian, duke thënë se sulmet do t’u ndihmojnë atyre të “çlirohen nga tirania”.
Ai shtoi se ata e kanë “një mundësi që vjen një herë në një brez” për të rrëzuar regjimin iranian.
“Është koha e duhur që të bashkoheni për një mision historik”, shtoi ai.
Më shumë rreth sulmit të raportuar ndaj një shkolle për vajza
Hollësitë për një sulm të supozuar nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj një shkolle për vajza në Minab, në jug të Iranit, mbeten të paqarta.
Zyrtarë iranianë dhe mediat shtetërore kanë deklaruar se sulmi vrau 40–85 njerëz, kryesisht vajza të reja. Video nga vendi i ngjarjes shfaqin rrënoja dhe çanta të shpërndara.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e dënoi atë që e quajti “akt barbar” që ka “shkaktuar dhimbje të thellë në zemrat e popullit iranian”.
Megjithatë, ka pasur pohime të kundërta online, kryesisht nga llogari të opozitës iraniane, që thonë se sulmi në të vërtetë u shkaktua nga një raketë e humbur e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).
Sipas disa raporteve të lajmeve, ekziston një bazë e IRGC-së në Minab.
Pamjet që u shpërndanë gjerësisht në X, që supozohej të tregonin pasojat e sulmit, në të vërtetë tregonin pasojat e një sulmi të talibanëve ndaj një shkolle ushtarake në Peshawar, Pakistan, në vitin 2014.
Valë e re e sulmesh në Iran
Radio Farda e Radios Evropa e Lirë ka mësuar për shpërthime të dëgjuara në qytetet Teheran, Karaj dhe Garmdareh.
Agjencitë e lajmeve brenda Iranit kanë raportuar se një shpërthim i fortë është dëgjuar në Teheran në mbrëmjen e së shtunës.
Raporte të ngjashme për shpërthime janë shfaqur edhe nga disa qytete të tjera në mbarë Iranin, sipas burimeve të pavarura të lajmeve.
Ngushtica e Hormuzit raportohet të jetë mbyllur
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës botërore, është mbyllur.
Agjencia britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare njoftoi të shtunën se ka marrë disa raportime nga anije që operojnë në Gjirin Persik, të cilat kanë thënë se kanë pranuar mesazhe për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Nuk ka ndonjë konfirmim nga Irani deri tani.
Ngushtica e Hormuzit është një grykë e vogël, por rreth 20 për qind e naftës së botës qarkullon nëpër të – apo mbi 15 milionë fuçi çdo ditë.
Shtetet sikurse Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari – madje edhe vetë Irani – varen nga kjo ngushticë për të eksportuar naftë dhe gaz.
Prandaj, nëse ajo mbyllet, ndikimi ndihet në gjithë botën.
Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës edhe në të kaluarën.
Dhe, teknikisht mundet ta bëjë këtë – duke e bërë kalimin nëpër të shumë të rrezikshëm, ose edhe duke ndalur përkohësisht mallrat.
Irani ka ndërtuar fuqi të madhe në rajon: anije të shpejta sulmuese, mina detare dhe raketa kundër anijeve.