Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një rund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.
Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.
“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës - dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve - nga Kosova dhe nga Serbia - por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas.
“Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023.
Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tani nuk ka pasur rast të jetë nikoqire e ndonjë rundi bisedimesh.
Sot, ajo mirëpriti një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.
Para fillimit të takimit, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi është i gatshëm të avancojë në procesin e integrimit mbi bazë të meritave.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ai tha se procesi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Homologu i tij serb, Marko Gjuriq, tha më vonë se, në mëngjesin e punës, u diskutua për çështjen e dialogut dhe u kujtua fakti se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është formuar ende, edhe pse ishte një detyrim i nënshkruar në Bruksel.
Gjuriq tha se përfaqësuesit e Kosovës janë përpjekur ta fajësojnë Serbinë për probleme të ndryshme rajonale dhe e kanë portretizuar vazhdimisht atë si burim të paqëndrueshmërisë.
Ai shtoi se realizimi i propozimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ta pranuar gjithë Ballkanin Perëndimor në BE, menjëherë dhe pa vonesa, do të ishte hapi më i mirë i mundshëm si për Evropën, ashtu edhe për Ballkanin.
"Vetëm imagjinoni sa më të ulëta do të ishin tensionet në rajon, nëse të gjithë serbët, të gjithë shqiptarët, të gjithë boshnjakët do të mund të lëviznin lirshëm pa kufij, duke respektuar sovranitetin, shtetësinë, ligjet sigurisht, por pa pengesa burokratike", tha Gjuriq.
Sipas tij, mesazhi i Serbisë ishte që zona e lëvizjes së lirë, Schengen, të hapet për të gjithë rajonin sa më shpejt që të jetë e mundur.
"Është frustruese që kemi kufij të fortë çdo 150 dhe 200 km", tha ai.
Bisedimet mes 27 shefave të diplomacive evropiane dhe gjashtë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit pritet të shërbejnë si hyrje për një debat të mëtejshëm mbi situatën në rajon, i cili do të zhvillohet po sot, por vetëm në nivel të ministrave të BE-së.
Pritet që në takim të flitet edhe për përgatitjet e samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në qershor në Tivat të Malit të Zi.
Sipas diplomatëve evropianë, fokusi kryesor do të jetë: forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, përafrimi me politikën e jashtme të BE-së, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.