Ndërlidhjet

KEDS-i gjobitet me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar

Njehsorët elektrikë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike.
Njehsorët elektrikë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), njoftoi të enjten se e ka gjobitur me mijëra euro Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), si dhe e ka urdhëruar t’i dëmshpërblejë konsumatorët e dëmtuar, pasi ka gjetur se ajo ka njehsorë elektrikë me afat të skaduar.

Në një njoftim për media, MINTI tha se shpërndarësi i rrymës në vend është gjobitur me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.

“Ky veprim është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të verifikimit të njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Kosovës”, tha MINTI.

Ministria tha se Komisioni i saj Verifikues po vazhdon punën në terren në shtatë regjionet e vendit, me qëllim të gjetjes dhe adresimit të çdo parregullsie, pas ankesave të pranuara nga konsumatorët të shumtë.

Ajo tha se analizat e deritanishme laboratorike, të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, kanë vërtetuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar.

KEDS – shpërndarësi i vetëm i rrymës në vend – është urdhëruar t’i dëmshpërblejë konsumatorët e dëmtuar, tha MINTI.

Ditë më parë, MINTI kishte njoftuar se do të shqiptonte gjoba ndaj KEDS-it në vlerë prej 1.500 deri në 5.000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Gjobat vijnë disa javë pasi parregullsitë në njehsorët elektrikë u gjetën së pari nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale.

Ato publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në përgjithësi – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.

Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Shpërndarësi i rrymës i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.

Sipas KEDS-it, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë. Por, kompania tha se, në rast të gjetjes së pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.

Ndërkohë, në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.

XS
SM
MD
LG