Ndërlidhjet

Maqedoni e Veriut: Dyshime për keqpërdorime me fondet për pandeminë


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Inspektorati i punës kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e ndihmës financiare nga kompanitë, të cilat kanë marrë para nga shteti për përballje me pandeminë e koronavirusit. Këto mjete dyshohet se në vend që t’iu ndaheshin punëtorëve, kanë përfunduar në llogarinë e punëdhënësve të tyre.

Drejtoria e të Ardhurave Publike, ka bërë të ditur se më shumë se 700 kompani që kanë marrë ndihmë financiare nga shteti për shlyerjen e pagave për muajt prill dhe maj, të njëjtat nuk ua kanë shpërndarë punëtorëve. Bëhet fjalë për më shumë se 400 mijë euro që duhej t’i jepeshin rreth 1,700 punëtorëve në lartësinë e pagës minimale prej 14.500 denarë apo rreth 235 euro.

Ndërkohë, keqpërdorime janë bërë edhe nga më rreth 3,700 kompani të tjerë që kanë bërë shpërndarjen e parave. Më shumë se 52 mijë punëtorë kanë marrë më pak para sesa ndihma e ndarë nga shteti.

Sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike, bëhet fjalë për kompani të vogla dhe të mesme dhe shumë prej tyre janë nga Shkupi, Tetova, Struga, Gostivari dhe Kumanova, që kryesisht merren me veprimtari tregtare dhe transport.

“Drejtoria disponon me të dhëna të sakta për shfrytëzimin e ndihmës financiare nga kompanitë dhe me vëmendje ndjek detyrimet që ato duhet të shlyejnë ndaj punëtoreve. Të dhënat për të gjitha kompanitë që kanë marrë fonde nga shteti dhe të njëjtit nuk u janë shpërndarë punëtoreve, do t’i dorëzohen Sekretariatit të qeverisë, si bartës i vendimit për ndihmë të kompanive. Emrat e të gjitha kompanive që kanë bërë shkelje do të bëhet të ditura për opinionin”, ka deklaruar Sonja Llukarevska, drejtoreshë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Nga Lidhja e Sindikatave thonë se kompanitë edhe më herët kanë keqpërdorur djersën e punëtorëve dhe se ishte koha e fundit që keqpërdorimet e tyre të dalin në sipërfaqe.

“Ishte shumë e hidhur kur morëm vesh se 700 kompani nuk kanë bërë ndarjen e ndihmës financiare për punëtorët. Pronarët e tyre as që duan të dëgjojnë për t’i dhënë punëtorëve atë që u takon. Është një veprim shumë i keq dhe kjo do të çojë në ndarjen edhe më të thellë mes punëtorëve dhe pronarëve, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se gjitha kapitalin e tyre e kanë arritur me djersën e punëtorëve”, thotë Dimovski duke kërkuar nisjen e menjëhershme të procedurave të ndjekjes penale për çdo pronar të kompanive që ka bërë shkeljen e ligjit.

“Ne vlerësojnë se duhet të ketë përgjegjësi penale dhe çdo kush që ka shkelur ligjin të përfundojë pas grilave. Gjobat nuk mjaftojnë, sikur nuk mjafton edhe publikimi i emrave të tyre. Duhet të ketë ndjekje penale dhe dënime me burg. Vetëm kështu besojmë se mund të ketë ndërgjegjësim nga ana e tyre për këto shkelje të rënda”, thotë Dimovski.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me qëllim zbutjen e pasojave nga COVID-19 (sëmundja që shkakton koronavirusi), ka ndihmuar me rreth 550 milionë euro kompanitë dhe shtresat e rrezikuara të qytetarëve; të papunët, ata me paga të ulëta, dhe përfituesit e ndihmave sociale.

XS
SM
MD
LG