Ndërlidhjet

Përpjekja e ndërlikuar e Ukrainës për anëtarësim në NATO


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Bruksel, 16 Dhjetor 2021.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Bruksel, 16 Dhjetor 2021.

Vendimi i Ukrainës për të aplikuar për anëtarësim në NATO më 30 shtator, u prit me mjaft befasi në Bruksel.

Shumë pak e parashikonin një lëvizje të tillë dhe ndërsa në Bruksel ekziston shumë solidaritet për Kievin, mos prisni që vendi të bashkohet me aleancën ushtarake në një proces të përshpejtuar, siç premtoi presidenti Volodymyr Zelensky, kur e bëri publik vendimin e tij të fundit. Në fakt, mos prisni shumë mbi këtë çështje në të ardhmen e afërt.

Arsyetimi më i zakonshëm që dëgjoj kur flas me zyrtarët e NATO-s është përzgjedhja e kohës kur Zelensky bëri të ditur kërkesën zyrtare të Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s -- vetëm disa orë pas shfaqjes së madhe të Vladimir Putinit në Moskë, në të cilën udhëheqësi rus konfirmoi qëllimin për të aneksuar më tej territore ukrainase dhe kërcënoi edhe një herë Perëndimin me përdorimin e armëve bërthamore.

Zelensky, një lider me njohuri mediatike kishte nevojë t’ia rrëmbente "reflektorët Putinit", tha një zyrtar evropian, duke folur në kushte anonimiteti. Duke gjykuar nga mbulimi që i bënë mediat, kjo funksionoi deri në një farë mase.

Kjo më kujtoi një tjetër lëvizje të Kievit në fillim të luftës: kërkesën ndaj Perëndimit për të krijuar dhe vënë në zbatim një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë. Për disa ditë, zyrtarët ukrainas bënë presion që kjo të realizohej, dhe ekspertët po debatonin për anët pozitive dhe atë negative të një vendimi të tillë. Por, pamundësia praktike që kjo të ndodhte bëri që të gjitha diskutimet të shuheshin shpejt dhe nuk pati asnjë bisedë serioze për këtë temë që nga fillimi i marsit.

Të njëjtin fat ka të ngjarë ta ketë edhe kërkesa e paraqitur nga Ukraina për anëtarësim në NATO dhe për të njëjtën arsye: Perëndimi, i përfaqësuar gjerësisht këtu nga aleanca euro-atlantike, nuk dëshiron kurrsesi të tërhiqet në këtë konflikt. Për të kuptuar arsyen, mjafton të analizojmë konferencën për media të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Bruksel më 30 shtator, pas njoftimit të papritur të Ukrainës.

Po, është e vërtetë që kur u pyet për ofertën e Ukrainës në NATO, ai tha se "çdo demokraci në Evropë ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe aleatët e NATO-s e respektojnë këtë të drejtë. Dhe, ne kemi deklaruar vazhdimisht se dera e NATO-s mbetet e hapur".

Në thelb, ky ka qenë qëndrimi i NATO-s ndaj Ukrainës (si dhe vendeve të tjera që aspirojnë për t’u anëtarësuar në NATO si Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia) që kur u vendos në vitin 2008, gjatë samitit të NATO-s në Bukuresht që, një ditë, vendi ishte i mirëpritur t'i bashkohej aleancës.

Asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë. Çfarë ishte e rëndësishme nga ajo konferencë për mediat ishin edhe dy fjali të tjera që tha Stoltenberg.

E para ishte se “NATO nuk është palë në konflikt”.

Ai e përsëriti këtë afirmim edhe në dy raste të tjera gjatë 18 minutave të konferencës së tij për media.

NATO është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj dhe anëtarët e aleancës janë ende shumë të prirë për të ndihmuar Kievin me armë dhe municione për të mposhtur Rusinë. Por, mos prisni që NATO të vijë në ndihmë në ndonjë mënyrë tjetër. Konfrontimi ushtarak me Rusinë është diçka që duhet shmangur me çdo kusht.

Pra, për sa kohë që ka një prani ruse në territorin ukrainas, e gjithë ideja që Ukraina të afrohet edhe më shumë me anëtarësimin është mjaft e diskutueshme. E njëjta gjë vlen edhe për Gjeorgjinë me konfliktet e saj të ngrira.

Fjalia e dytë e Stoltenbergut ndoshta e bën edhe më teorik anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO: "Ne mbështesim të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e saj, për të vendosur se në çfarë lloj marrëveshjesh të sigurisë dëshiron të jetë pjesë. Pastaj, natyrisht një vendim për anëtarësimin duhet të merret nga të 30 aleatët dhe ne i marrim këto vendime me konsensus”.

Basti më i mirë i Ukrainës

Nevoja për konsensus është vrasësi i vërtetë i shpresave të Ukrainës. Dhe kjo do ta zgjasë pritjen, pavarësisht presionit të Kievit. Mjafton të shihni jo më larg se Finlanda dhe Suedia.

Kërkesat e tyre për anëtarësim në NATO u mirëpritën në tërësi, kur aplikuan në maj. Ishte një proces i përshpejtuar, njësoj si ai që kërkon Zelensky, në të cilin disa hapa anashkalohen dhe disa vendime merren shumë shpejt. Dhe për një kohë u fol edhe për anëtarësimin e çiftit nordik në aleancë në fund të verës.

Tani jemi në tetor dhe nuk ka asnjë shenjë që Parlamenti apo presidenti i Turqisë të ketë dhënë miratimin derisa Stokholmi të ketë bërë lëshimet që Ankaraja ka kërkuar. Dhe mbi të gjitha, edhe ligjvënësit e Hungarisë ende nuk duket se e kanë me nxitim për të votuar pro.

Nëntë presidentë të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë mbështetur planet e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, dhe në tërësi mund të ketë edhe disa simpatizues të tjerë në varësi të mënyrës se si do të shkojnë përpjekjet e luftës dhe si do të ndryshojë peizazhi gjeopolitik në Evropë gjatë muajve të ardhshëm. Por, jemi ende larg nga konsensusi i 30 vendeve (ose 32 kur Finlanda dhe Suedia më në fund të anëtarësohen).

Ajo çka mund të ndryshojë është përditësimi i NATO-s i mënyrës se si trajton vendet kandidate. Deri më tani, kjo është bërë nëpërmjet Planit të Veprimit të Anëtarësimit (PVA), një program i këshillimit, ndihmës dhe mbështetjes praktike të NATO-s për një anëtar të mundshëm, edhe pse një PVA nuk përfshin automatikisht anëtarësimin në të ardhmen. Finlanda dhe Suedia e kaluan këtë fazë krejtësisht, ndërsa Bosnje e Hercegovina është ende pjesë që nga viti 2010 dhe ende nuk ka ecur shumë përpara.

Si për Ukrainën, ashtu edhe për Gjeorgjinë, edhe marrja e një PVA-je ka rezultuar e largët deri më tani.

Në samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius, i planifikuar për t’u mbajtur verën e vitit 2023, mund të ndodhë që një PVA t'i jepet Kievit ose Tbilisit -- ose të dyjave. Por, PVA është bërë një term politikisht i ndjeshëm në qarqet e NATO-s, veçanërisht kur përmendet në lidhje me vendet kandidate në lindje. Por, ndoshta mund t’i ofrohet një proces i përshkruar si një “konsultim për anëtarësimin"?

Në çdo rast, çdo lëvizje përpara do të kërkonte konsensus dhe i njëjti unanimitet nevojitet për hapat e mëtejshëm: nënshkrimin e një protokolli pranimi dhe ratifikimin e tij. Një urdhër i gjatë, me fjalë të tjera dhe që do të marrë kohë.

Ndoshta basti më i mirë i Ukrainës kur bëhet fjalë për kërkesën e saj për anëtarësim në NATO është se shumëçka do të ndryshojë për mirë, si në fushën e betejës, ashtu edhe mes elitave politike të aleancës në nëntë muajt e ardhshëm deri në samitin e ardhshëm.

Përgatiti: Besmir Nenaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG