Ndërlidhjet

Kërkohen alternativa për zëvendësimin e barnave nga Serbia dhe Bosnja


Ilustrim

Barnat që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina mund të zëvendësohen me importe nga tregjet tjera, thonë autoritetet përgjegjëse nga kjo fushë.

Qeveria e Kosovës, këtë javë, mori vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Në këto produkte hyjnë edhe barnat.

Kosova ka 20 vjet që furnizohet me barna nga Bosnja dhe dy vjet nga Serbia, meqë barnat e shtetit serb janë regjistruar së voni, pasi për vite me radhë nuk janë importuar.

Megjithatë, këto barna, sipas profesionistëve të kësaj fushe, do të mund të zëvendësohen me importe nga shtetet tjera.

Por, siç thonë ata, rreziku mbetet tek tregu i zi, e që për vite me radhë ka qenë problematikë në Kosovë.

Milaim Abdullahu, drejtor i “Santé Farm”, kompani kjo që furnizon vendin me barna, i tha Radios Evropa e Lirë se në Kosovë janë importuar rreth 5 milionë euro në vit barna nga Bosnja dhe rreth 1 milion nga Serbia.

Por, ai thotë se barnat prej këtyre shteteve, janë të zëvendësueshme dhe nuk paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

“Barnat janë më specifike se produktet tjera. Është një rrezik që tregu i zi do të rritet shumë, marrë parasysh që edhe tani është çështje problematike. Kjo vlen më shumë për shtetin e Bosnjës, pasi 5 milionë euro në vit hyjnë barna nga Bosnja në Kosovë, derisa rreth 1 milion euro nga Serbia. Por, ato nga Serbia nuk janë shumë të rëndësishme, pasi që janë të zëvendësueshme edhe me prodhime vendore”, tha Abdullahu.

“Ka barna që janë edhe në listën esenciale, e të cilat importohen nga këto dy shtete, por këto janë produkte gjenerike dhe janë të zëvendësueshme. Nuk ka produkte jetike, që do të rrezikonin jetën e qytetarëve”, tha ai.

Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, bëri të ditur se vënien e taksës prej 100 për qind nga ana e Kosovës për Serbinë dhe Bosnjën, e kanë përshëndetur punëtorët shëndetësorë, pasi që siç thotë ai, gjithmonë ka pasur dyshime, sidomos te barnat e importuara nga Serbia.

“Së pari ne si punëtorë shëndetësorë duhet ta përshëndesim këtë taksë. Me këtë mendoj se edhe buxheti do të rritet dhe normalisht do të kemi mirëqenie më të mirë. Mendoj se Ministria e Shëndetësisë i ka pasur parasysh disa lëvizje që do të ndodhin dhe tashmë në freskim të listës esenciale të barnave, duhet parë se çfarë prejardhje kanë ato. Ashtu- kështu ne kemi dyshimet tona tek barnat me prejardhje nga Serbia, andaj mendoj se është momenti i duhur i këtij vendimi, dhe nuk duhet të shohim nga ana financiare se a do të kemi një kosto pak më të lartë të barnave”, tha Syla.

Ndërkaq, farmacistët në vend thonë se nga shteti i Serbisë dhe Bosnjës nuk janë importuar barna të shtrenjta, andaj sipas tyre, ndonjë produkt i domosdoshëm mund të importohet dhe nuk do të del çmimi i lartë pavarësisht taksës prej 100 për qind.

Kështu tha Visar Ademi, farmacist, sipas të cilit, barnatoret në vend megjithatë ende kanë rezerva barnash dhe nuk do të ndihet mungesa e tyre menjëherë.

“Produktet e Serbisë dhe Bosnjës nuk kanë kosto të shtrenjtë dhe nuk janë produkte onkologjike që do të ndikonin në rritjen e çmimit të këtyre barnave, qind për qind. Për shembull, produktet e Evropës kryesisht onkologjike janë nga 500 euro, dhe një rritje e taksës qind për qind do të ndihej shumë. Por produktet e këtyre dy shteteve janë të lira dhe vlera tyre më e madhe është 10 deri 15 euro, derisa më e lira nga 1 euro, andaj gjithsesi do të jetë e përballueshme, por edhe e zëvendësueshme”, tha Ademi.

Ai tutje shton se barnat e të dyja shteteve që Kosova u ka vënë taksë të lartë, nuk janë jetike, dhe Kosova do t'i zëvendësojë ato pa ndonjë problem të madh.

“Barnat e Serbisë edhe ashtu vetëm dy vjetët e fundit janë regjistruar dhe asnjëherë asnjë qytetari nuk ju është rrezikuar jeta pse nuk ka pasur në treg. Ndërkaq nga Bosnja do të vërehet më shumë, pasi janë në treg qe 20 vjet. Por edhe këto janë të zëvendësueshme, shumica e barnave me kompani gjermane, dhe çmimi del pothuajse i njëjtë”, theksoi Ademi.

Naser Osmani, deputet, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, thotë se vendimi i Qeverisë për taksën 100 për qind për Serbinë dhe Bosnjën është i mirëseardhur, dhe siç thotë ai, barnat që janë importuar nga këto shtete do të zëvendësohen.

Megjithatë ai shton se edhe Qeveria e Kosovës tash duhet të punojë më tepër dhe të bashkëpunojë edhe me odat ekonomike në mënyrë që t’i ndihmojë bizneset.

“Konsideroj që biznesi kosovar ka qenë i varur prej importeve të Serbisë dhe Bosnjës, por ata duhet t’i ndërrojnë partneritetet afariste të profileve të caktuara duke i zëvendësuar me shtete tjera. Këtu duhet punohet më tepër edhe nga Qeveria, por edhe nga odat ekonomike”, tha Osmani.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, por as ata nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale , nuk deshën të prononcohen për këtë çështje.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG