Ndërlidhjet

Trysni mbi hetimet për dëbimin e shtetasve turq


Një studente e shkollës "Mehmet Akif" gjatë protestave për dëbimin e shtetasve turq, mësimdhënës në këtë shkollë, foto nga arkivi

Në fund të këtij muaji, bëhet një vit që kur institucionet e sigurisë në Kosovë, dëbuan për në Turqi gjashtë shtetas turq. Gjatë këtij veprimi, është konstatuar se janë bërë shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Komisioni Hetimor Parlamentar që u formua për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, kishte evidentuar 31 shkelje.

Kryetari i këtij komisioni, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveqla, tha se pas identifikimit të të gjitha këtyre shkeljeve dhe përpilimit të raportit të ekspertit, kishin filluar presionet e ndryshme në punën e këtij komisioni.

Këto shkelje, sipas deputetit Sveqla, jo vetëm që duhet të ndalen, por duhet të evidentohen dhe ata të cilët kanë bërë këto shkelje të ndëshkohen në mënyrë që të parandalohet përsëritja e këtyre lloj praktikave.

Hashtag: Kë duhet mbajtur përgjegjës për dëbimin e shtetasve turq?

Kë duhet mbajtur përgjegjës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Sipas tij, individë të plotfuqishëm apo grupe të caktuara të cilat ndihen të plotfuqishme, kanë kapur shtetin dhe mendojmë që mund të bëjnë çdo gjë sipas interesave të tyre private apo klanore.

“Shantazhi me kuorum të punës së komisionit, ku deputetë të subjekteve qeverisëse, sa herë që nuk iu kanë pëlqyer rezultati i punës së komisionit, kanë lëshuar mbledhjen apo nuk kanë ardhur fare në mbledhjet e caktuara. Ne e kemi të qartë, raporti është i gatshëm, e gjitha çfarë është dashur të bëhet, ka qenë që ky raport të votohet, por votimi është pamundësuar për shkak të obstruksioneve të disa anëtarëve të komisionit”, tha deputeti Sveqla.

Anëtari tjetër i këtij komisioni deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se i kanë dorëzuar të dhënat në Prokurori dhe presin që kjo e fundit të kryejë punën e saj.

“Vlerësimi jonë ka qenë që ka pasur rreth 31 shkelje, procedurale dhe madje edhe elemente të caktuara të veprës penale. Jemi të bindur që ka pasur vepra penale, një sërë veprash penale të kryera nga autoritetet shtetërore në këtë rast, dhe besojmë që Prokuroria e Shtetit do të arrijë që me të dhënat që ne i kemi ofruar, ta përfundojë punën e saj”, tha Selmanaj.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se hetimet për këtë rast kanë filluar vitin e kaluar.

“Prokuroria Speciale e ka hapur rastin, qysh vitin e kaluar, është duke mbledhur prova prokurori i rastit edhe raporti i komisionit parlamentar që është dorëzuar në Prokurori, do të jetë pjesë e lëndës”, tha Hoxha

Lidhur me presionin mbi punën e këtij komisioni, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Përmes një deklarate për media, kjo ambasadë tha se “ka kaluar një vit që kur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”.

“Kemi qenë të lumtur për formimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili i ka ekspozuar shkeljet ligjore rreth incidentit, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë 31 shkelje ligjore ose procedurale nga Agjencia e Inteligjencës e Kosovës, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera, ngrenë shqetësime lidhur me mashtrimin e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik", thuhet në deklaratë.

Përmes saj, ambasada u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderët e Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”.

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje e egër e vlerave demokratike. Ne bëjmë thirrje për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në udhëheqjen e çështjeve të jashtme, në mënyrë që të parandalohen ndërhyrjet e papërshtatshme të politikanëve kosovarë në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ambasada e Gjermanisë, kanë njoftuar se e mbështesin plotësisht qëndrimin e Ambasadës amerikane rreth dëbimit të gjashtë qytetarëve turq nga autoritetet e Kosovës në mars të vitit të kaluar.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovws Ramush Haradinaj, ka shkruar nw Facebook se “hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme”.

“Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, ka shkruar Haradinaj.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftraj, tha se shkeljet e gjetura nga Komisioni Hetimor Parlamentar, duhet të trajtohen me seriozitet nga ana e Prokurorisë.

Miftaraj për Radion Evropa e Lirë, tha se “Kosova fatkeqësisht, nuk ka një institucion të Prokurorit të Shtetit, të pavarur, të paanshëm, i cili është në gjendje t’i ushtrojë kompetencat, përgjegjësitë e tij në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Sigurisht që me këtë e ka kryer punën e tij, dhe topi pastaj bie tek institucioni i Prokurorit të Shtetit, i cili institucion do të duhej që me urgjencë të merr dhe të trajton në mënyrën më profesionale dhe të zbardhte këtë rast, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, jo vetëm për shtetasit turq, por edhe për faktorin ndërkombëtar për të përçuar mesazhin se Kosova nuk i ka vetëm në letër, nuk i ka vetëm me Kushtetutë praktikat dhe standardet më të mira për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut por ato i zbaton në praktikë, por në rastin konkret Kosova ka dështuar ta bëj këtë”, tha Miftaraj.

Më 29 mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Video nga arkivi: Familjarët e turqve të dëbuar kërkojnë azil në Kosovë

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin.

Pas këtij incidenti, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin, atëkohë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

XS
SM
MD
LG