Ndërlidhjet

Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës


Ndërtesa e Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës
Ndërtesa e Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës

Nuk do të jetë e largët dita kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se gjatë këtij viti Kosova pritet të aplikojë për anëtarësim në ketë mekanizëm.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Rejhan Vuniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht po punohet intensivisht në planin e veprimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

"Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka krijuar grupin profesional për këtë proces. Ky grup që ka funksionuar nën menaxhimin e ministrit ka hartuar një strategji dhe plan veprimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ky plan veprimi do të fillojë të zbatohet pas ndërtimit të konsensusit politik për ketë çështje, që në fakt është edhe faza e parë e këtij procesi", tha Vuniqi.

Lexoni edhe këtë: Kosova sërish drejt INTERPOL-it dhe UNESCO-s

Këshilli i Evropës është një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë dhe Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kryetari i delegacionit të Kosovës në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, tha për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa për anëtarësim në këtë mekanizëm duhet të bëhet, por, siç tha ai, para se kjo të ndodhë duhet të ketë siguri se mekanizmat përkatës do ta përkrahin kërkesën për anëtarësim të Kosovës.

"Qeveria është deklaruar disa herë në veçanti ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, duke përfshirë edhe presidentin e Kosovës, se ne do to të anëtarësohemi këtë vit apo atë vit, por përgjigja e mekanizmave të cilët merren me Kosovën në KE kanë qenë negativ duke thënë se ende nuk janë pjekur kushtet dhe nuk ka siguri, duke pasur parasysh mënyrën se si merren vendimet në Këshillin e Evropës që një kërkesë e tillë mund të kaloj dhe mund të futet në rend të ditës", tha Haliti.

Megjithatë, sipas Halitit, pritet që Qeveria të bëjë kërkesën sipas rregullave dhe proceduarve të organeve të cilat do ta trajtojnë kërkesën e Kosovës.

"Deri tash ne kemi pasur përgjigje negative - neutrale, kështu do të thosha, duke na thënë që akoma nuk janë plotësuar kushtet dhe kërkesa juaj mund të mos shqyrtohet", tha Haliti.

Procesi i anëtarësimit në këtë mekanizëm është më shumë teknik dhe kërkon shumë reforma, sidomos në fushat e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Deputetja Doruntinë Maloku - Kastrati, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, anëtare e Komisioni për Punë të Jashtme, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova më së largu deri në muajin gusht të këtij viti duhet të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ajo tha se ky aplikim duhet të ndodhë në këtë kohë, në mënyrë që kërkesa të merret në konsideratë nga ministrat e vendeve anëtare të KE-së.

Maloku - Kastrati theksoi se Kosova duke qenë i vetmi vend në rajon që ende nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, qytetarët e saj humbin shumë në fushën e të drejtave të njeriut e në shumë aspekte të tjera që lidhen drejtpërdrejt me demokracinë dhe sundimin e ligjit.

"Qeveria e Kosovës pati premtuar se aplikimi do të ndodhte në muajin dhjetor të vitit të kaluar ose ne janarin e këtij viti. Kjo, nuk ka ndodhur për arsye qe ne deputetët e opozitës nuk i dimë, porse është thënë vazhdimisht në media se dosja për aplikim nuk ka qenë e gatshme".

"Hapat që ka ndërmarrë Qeveria për zhbërjen e Gjykatës Speciale, liria e pjesshme e medieve si dhe mungesa e sundimit të ligjit, janë sigurisht disa nga arsyet qenësore që ne nuk ishim të gatshëm për aplikim, sepse në këtë mënyrë, besoj, kemi tronditur besimin e shteteve mike, përkrahja e të cilave është qenësore për aplikim apo anëtarësim në secilin organizëm ndërkombëtar", tha deputetja Maloku- Kastrati.

Njohësit e integrimeve evropiane kanë thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ka pasur mundësi të bëhet shumë me herët pasi që, sipas tyre votat shumicë nga shtetet anëtare të KE-së kanë qenë në anën e Kosovës.

Deputetja Maloku- Kastrati tha është e pakuptimtë që Kosova edhe 10 vjet pas pavarësisë, ende nuk e ka dosjen e përfunduar për aplikim.

XS
SM
MD
LG