Ndërlidhjet

Blinken takon virtualisht disa myslimanë ujgurë


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua virtualisht me shtatë myslimanë ujgurë, përfshirë disa që ishin ndaluar në kampet e internimit në Kinë, për të dëgjuar përvojat e tyre.

Departamenti i Shtetit tha se Blinken dëshironte të dëgjonte drejtpërdrejt nga ish-të ndaluarit, të afërmit e tyre dhe avokatët e ujgurëve.

Kina është nën presion ndërkombëtar për ndalimin e më shumë se 1 milion ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në kampe internimi në rajonin veriperëndimor të Ksinjiangut.

Kina këmbëngul se kampet janë “qendra të aftësimit profesional”, që synojnë t’i ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Blinken dëshironte të dëgjonte drejtpërdrejt nga grupi për kushtet me të cilat përballet komuniteti ujgur.

“Sekretari ka vlerësuar se është e rëndësishme të takohet me këta individë, për të dëgjuar nga afër historitë e tyre, për të dëgjuar nga afër përshtypjet e tyre për mizoritë e vazhdueshme në Ksinjiang dhe internimin e një milion ujgurëve”, tha Price.

Ai kujtoi se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe e paraardhësit të tij, Donald Trump, e kanë cilësuar fushatën në Ksinjiang si “gjenocid” dhe kanë vendosur sanksione ndaj Kinës për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Amerika ka folur shumë qartë për abuzimet, për mizoritë, për gjenocidin e vazhdueshëm që po ndodh në Ksinjiang”, tha Price.

Qeveria kineze, mes tjerash, është akuzuar për sterilizimin e grave ujgure dhe ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre.

XS
SM
MD
LG