Ndërlidhjet

Kina nis manovra “ndëshkuese” ushtarake përreth Tajvanit


Një luftanije kineze në ishullin veriperëndimor Pengjia, pranë bregdetit verior të Tajvanit, 23 maj 2024.
Një luftanije kineze në ishullin veriperëndimor Pengjia, pranë bregdetit verior të Tajvanit, 23 maj 2024.

Kina i ka filluar manovra “ndëshkuese” ushtarake përreth Tajvanit të enjten, duke thënë se ato janë përgjigje ndaj “veprimeve separatiste”.

Gjatë stërvitjeve të enjten në mëngjes në Ngushticën e Tajvanit dhe përreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani, ushtria kineze simuloi një sulm të plotë kundër Tajvanit, pak ditë pasi presidenti i ri tajvanez Lai Ching-te e bëri betimin.

Kina, e cila pretendon se Tajvani demokratik është territor i saj, e ka dënuar fjalimin përurues të Lait të hënën, në të cilin ai i bëri thirrje Kinës t’i ndalte kërcënimet dhe tha se dy palët e Ngushticës “nuk i nënshtrohen ndaj njëra-tjetrës”.

Të martën, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e quajti të “pacipë” Lain.

Lai ka thënë vazhdimisht se është i gatshëm për bisedime me Kinën, por është refuzuar. Ai thotë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vet, dhe i hedh poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet.

Ushtria kineze tha se stërvitjet e përbashkëta ushtarake, mes ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe forcave raketore, në zonat përreth Tajvanit, filluan të enjten.

Stërvitjet po mbahen në Ngushticën e Tajvanit, në veri, jug dhe lindje të Tajvanit, si dhe në pjesët përreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani, Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin, sipas ushtrisë kineze.

Kjo është hera e parë që Kina kryen stërvitje ushtarake në pjesët përreth këtyre ishujve.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit i dënoi stërvitjet, dhe njoftoi se i ka vënë në gjendje gatishmërie forcat e veta përreth ishullit, dhe se kundërajroret e saj forcat tokësore raketore janë duke i gjurmuar caqet. Ajo shprehu bindjen se mund ta mbrojë territorin e vet.

“Fillimi i manovrave ushtarake në këtë rast, jo vetëm që nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, por gjithashtu thekson edhe mendësinë militariste [të Kinës]”, tha Ministria tajvaneze.

Ushtria kineze në katër vjetët e fundit ka kryer aktivitete pothuajse ditore në afërsi të Tajvanit. Ajo kreu manovra ushtarake të shkallës së gjerë në afërsi të Tajvanit më 2022 dhe 2023.

Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur, e cila do të jetë pjesë e Kinës përfundimisht, dhe për ta arritur këtë nuk e ka hedhur poshtë as përdorimin e forcës.

Por shumë tajvanezë e shohin veten si pjesë të një kombi tjetër – edhe pse shumica e tyre janë në favor të ruajtjes së status-quos, sipas të cilës, Tajvani as nuk e shpall pavarësinë prej Kinës, e as nuk i bashkohet asaj.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG