Ndërlidhjet

Me xhepa të thellë, Kina synon të rrisë ndikimin në Lindjen e Mesme


Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, duke nënshkruar një marrëveshje në Teheran, më 27 mars, 2021.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, duke nënshkruar një marrëveshje në Teheran, më 27 mars, 2021.

Kina është zotuar se do të investojë 400 miliardë dollarë në Iran gjatë 25 vjetëve të ardhshëm.

Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, Wang Yi dhe Javad Zarif, kanë nënshkruar një marrëveshje më 27 mars, në Teheran.

Më ketë marrëveshje, Irani ka ofruar furnizime të qëndrueshme të naftës në këmbim të investimeve kineze.

“Kina mbështet fuqishëm Iranin në ruajtjen e sovranitetit të tij shtetëror dhe të dinjitetit kombëtar”, ka thënë Wang gjatë një takimi me presidentin e Iranit, Hassan Rohani.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i heqin sanksionet ekonomike kundër Republikës Islamike.

Kina është bërë një litar shpëtimi për ekonominë e Iranit dhe lidhjet midis dy vendeve janë ngrohur në vitet e fundit, pasi të dyja ato kanë kaluar nëpër konfrontime të intensifikuara diplomatike dhe ekonomike me Perëndimin.

Luftanijet marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta detare midis Iranit, Kinës dhe Rusisë, në dhjetor të vitit 2019, në Detin e Omanit.
Luftanijet marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta detare midis Iranit, Kinës dhe Rusisë, në dhjetor të vitit 2019, në Detin e Omanit.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndjekur një politikë të “presionit maksimal” mbi Teheranin, për shkak të programit të tij bërthamor dhe raketor.

Trump e ka nxjerrë SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Kinën.

Pasardhësi i tij, Joe Biden, po vazhdon me këtë politikë të ashpër, por po sinjalizon edhe gatishmërinë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.

Derisa marrëveshja kineze me Iranin ka të bëjë me avancimin e ambicieve rajonale dhe globale të Pekinit si një fuqi udhëheqëse, ajo gjithashtu zvogëlon përpjekjet e Uashingtonit për ta mbajtur Iranin të izoluar dhe përmirëson pozicionin e Pekinit përpara çdo negocimi të ardhshëm rreth programit bërthamor të Iranit.

“Kina dëshiron të tregojë se është e domosdoshme në zgjidhjen e disa prej problemeve më të mprehta në botë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Daniel Markey, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe autor i librit “Horizonti Perëndimor i Kinës”.

“Pekini përpiqet ta portretizojë veten si një ndërmjetës i barabartë, ndërsa SHBA-në e nxjerr si lojtarin më problematik global”, thotë ai.

Dekada dhe qindra miliarda

As Qeveria iraniane dhe as ajo kineze nuk kanë dhënë specifika të marrëveshjes së nënshkruar, por një draft qa ka rrjedhur në gazetat perëndimore në korrik, ka treguar se bëhet fjalë për investime të mëdha në infrastrukturën iraniane.

Sipas draftit, Kina do të bëjë investime në vlerë prej 400 miliardë dollarësh, në këmbim të një furnizimi të qëndrueshëm të ekonomisë kineze me naftë.

Këto investime do të përqendrohen në sektorët e energjisë dhe teknologjisë së lartë, si dhe në fusha të tjera, të tilla si telekomunikacioni, portet, hekurudhat dhe kujdesi shëndetësor.

Drafti përmend edhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak, përfshirë trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta, si dhe ndarjen e inteligjencës.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e ka mbështetur publikisht marrëveshjen, e cila thuhet se është propozuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë një udhëtimi në Iran, në janar të vitit 2016.

Por, marrëveshja është pritur me kritika brenda Iranit, ku dyshohet se zyrtarët po i fshehin detajet, nga frika se Teherani po jep shumë dhe po i shet burimet e veta në Pekin.

Pas rrjedhjes së draftit në publik, vitin e kaluar, shumë iranianë i kanë bërë thirrje Qeverisë së tyre që të mos e nënshkruajë marrëveshjen.

Në muajin gusht, Radio Farda e Radios Evropa e Lirë ka cituar iranianë të zakonshëm, duke thënë se janë të shqetësuar për implikimet afatgjata të marrëveshjes së paqartë.

Kritikët kanë përmendur projektet e mëparshme kineze, që kanë lënë në borxhe vendet në Afrikë dhe Azi.

Po ashtu nuk është e qartë se sa mund të zbatohet marrëveshja, duke pasur parasysh sanksionet e SHBA-së kundër Iranit, të vendosura pas tërheqjes së Trumpit nga marrëveshja bërthamore. Këto sanksione kufizojnë sasinë e biznesit të Kinës në Iran.

“Suksesi i marrëveshjes do të varet nga qetësimi i tensioneve midis Iranit dhe [Shteteve të Bashkuara] ose përshkallëzimi i mëtejshëm i konkurrencës midis Kinës dhe [Shteteve të Bashkuara]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin, pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Mbetet gjithashtu për t'u parë se sa prej projekteve ambicioze, të detajuara në marrëveshje, do të realizohen.

Nëse marrëveshja bërthamore mbetet e bllokuar ose bëhet edhe më keq, firmat kineze mund të përballen me sanksione dytësore nga Uashingtoni.

Pekini po ashtu ka një histori të përzier në Iran, kur bëhet fjalë për ekzekutimin e projekteve të mëdha.

Në vitin 2009, ndërmarrja shtetërore e naftës dhe gazit në Kinë, CNPC, ka nënshkruar një kontratë për zhvillimin e fushës së naftës Azadegani Jugor në Iran, pas tërheqjes së një firme japoneze. Por, Teherani i ka dhënë fund marrëveshjes për shkak të performancës jo të mirë dhe vonesave.

CNPC po ashtu ka lidhur kontrata në vlerë prej miliarda dollarësh për të zhvilluar një fushë gazi, por përpjekjet janë braktisur pas vonesave të shumta.

“Nënshkrimi i një marrëveshjeje është një gjë; materializimi i saj është krejt tjetër”, thotë Vaez.

“Një mik për kohërat e vështira”

Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për marrëveshjen me Kinën, Pekini i ka ofruar Teheranit një litar shpëtimi ekonomik dhe politik.

Xi ka propozuar marrëveshjen strategjike të investimeve në vitin 2016, por negociatat janë zhvilluar ngadalë.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në takim me presidentin e Iranit, Hassan Rohani. Teheran, 2016.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në takim me presidentin e Iranit, Hassan Rohani. Teheran, 2016.

Me nënshkrimin e marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore, ekonomisë së Iranit i janë hapur dyert për kompanitë evropiane, të cilat kanë bërë plane për zhvillimin e fushave të naftës dhe gazit atje.

Por, tërheqja e administratës Trump nga marrëveshja dhe sanksionet pasuese kanë detyruar kompanitë evropiane të largohen, duke bërë që Teherani të shikojë sërish kah Kina.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Wangun, Zarif ka thënë se “Kina është një mik për kohë të vështira”, duke iu referuar kështu mbështetjes ekonomike dhe diplomatike që Pekini ka dhënë në vitet e fundit.

Derisa administrata e Bidenit përpiqet të ringjallë bisedimet për çështjen bërthamore të Iranit, mbështetja kineze do të jetë thelbësore për Teheranin.

Zyrtarët amerikanë thonë se Irani duhet t’iu kthehet kushteve të marrëveshjes, që përfshijnë kufizimin e aktivitetit bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por, Teherani këmbëngul se sanksionet duhet të hiqen përpara se të rinisë çdo negociatë.

Kina, deri më tani, e ka mbështetur Iranin dhe ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të veprojnë së pari, duke hequr sanksionet që kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Iranit dhe monedhën e tij.

John Calabrese, ekspert i marrëdhënieve Kinë-Iran në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, thotë se Pekini po përpiqet të ruajë marrëveshjen bërthamore dhe ta parandalojë Iranin që të zhvillojë program të armëve bërthamore.

Ai paralajmëron se një program i tillë mund të çojë në paqëndrueshmëri të mëtejshme rajonale, si dhe t’i rrezikojë ndërhyrjet diplomatike të Pekinit në Lindjen e Mesme, ku, siç thotë, “aksionet kineze në energji dhe sektorë të tjerë ekonomikë janë rritur ndjeshëm”.

Ambiciet rajonale

Kina vazhdon të luajë një rol në rritje në Lindjen e Mesme.

Para vizitës së tij në Iran, Wang ka vizituar Arabinë Saudite, rivalin kryesor të Teheranit, dhe është pritur ngrohtësisht në Riad. Ministri i jashtëm kinez ka vizituar gjithashtu Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka ndaluar në Bahrejn dhe Oman.

Pekini, prej kohësh, nuk ka marrë anë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Wang e ka ofruar kryeqytetin diplomatik të Kinës si “ndërmjetës të paqes” në rajon.

Në një konferencë për media më 8 mars, Wang ka folur për thellimin e lidhjeve të Pekinit me botën arabe dhe ka thënë se marrëveshjet paralajmërojnë “një kapitull të ri” të marrëdhënieve kineze-arabe.

Calabrese, nga Instituti i Lindjes së Mesme, thotë se, duke pasur parasysh lidhjet e ndryshme të Kinës në rajon dhe ambiciet për Lindjen e Mesme, ajo do ta trajtojë me kujdes marrëveshjen e fundit me Iranin, për të mos alarmuar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - rivalët rajonalë të Iranit.

Duke lëvizur përpara, shton ai, Pekini po pozicionohet për të luajtur një rol më qendror në ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe në qetësimin e tensioneve midis fuqive në Lindjen e Mesme.

“Nëse del kështu dhe kjo jep fryte, atëherë Pekini del më i fortë dhe [do të duket] më i fortë përreth”, thotë Calabrese.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG