Ndërlidhjet

KE vlerëson pozitivisht përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë


Flamujt e BE-së të vendosur pranë selisë së Komisionit Evropian në Bruksel. Fotografi nga arkivi.
Flamujt e BE-së të vendosur pranë selisë së Komisionit Evropian në Bruksel. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Evropian ka vlerësuar në mënyrë pozitive përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në përmbushjen e reformave duke përsëritur rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të dyja vendet.

Komisioni ka hartuar një raport, në të cilin thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë rritur përpjekjet e tyre dhe kanë treguar rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore.

"Prandaj, baza e rekomandimit të Komisionit e vitit 2019 për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është ende e vlefshme", thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.

Me një konstatim të tillë të Komisionit Evropian dhe në kombinim me metodologjinë e sapomiratuar për negociatat e pranimit, largohen të gjitha pengesat për një pajtim të vendeve anëtare në procesin e hapjes së negociatave të pranimit me Shkupin dhe Tiranën.

*Expose: Rruga drejt BE-së, më kërkuese

Rruga drejt BE-së, më kërkuese
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:39 0:00

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili bllokoi një vendim pozitiv në samitin e tetorit 2019, së fundmi ka deklaruar se ai do të hiqte veton, nëse rezultatet e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të ishin pozitive.

"Ne jemi duke pritur për raportin në muajin mars, nëse rezultatet janë pozitive, atëherë ne duhet të jemi në gjendje të hapim negociatat", deklaroi Macron në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut ka treguar rezultate të prekshme në zbatimin e vazhdueshëm të reformave të lidhura me BE-në dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

"Sa i përket reformave, vendi është përqendruar veçanërisht në fushat e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të BE-së, të cilat përfshijnë reformat në gjyqësor, si dhe hetimet pro-aktive, ndjekjet penale dhe gjykimet përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë ato të nivelit të lartë", thuhet në përfundimet e raportit.

Për Shqipërinë, në raport thuhet se vendi ka treguar rezultate konkrete në zbatimin e vazhdueshëm të reformave të BE-së.

"Veçanërisht në lidhje me fushat e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të BE-së, përparimi është bërë si më poshtë: përmirësimi i mëtutjeshëm i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti plotësimi i të gjitha dosjeve prioritare", thuhet në dokument.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, BE-ja dështoi të arrinte ujdi dhe të miratonte hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, megjithë rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Evropian, i cili konsideroi se të dy vendet plotësuan të gjitha kushtet e nevojshme.

Franca, e cila bllokoi vendimin, e kushtëzoi nisjen e këtij procesi me ndryshime në qasjen në negociatat e anëtarësimit.

Në fillim të shkurtit, Komisioni Evropian prezantoi një metodologji të re, e cila do të zbatohet për vendet që do të fillojnë procesin e negociatave.

Një raport i veçantë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga ana e Komisionit Evropian, u përpilua pikërisht për t'i siguruar vendet anëtare të BE-së, se të dyja vendet kanë vazhduar përpjekjet e tyre në procesin e reformave.

Maqedonia e Veriut është në pritje të hapjes së bisedimeve që nga viti 2009, ndërsa Shqipëria nga viti 2018.

Pas publikimit të këtij raporti, një vendim i mundshëm pozitiv mund të merret në samitin e 27-28 marsit në Bruksel.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG