Komisioni Evropian propozon sanksione ndaj një banke dhe tri kompanive nga Serbia

Një tabelë në hyrje të degës së Bankës API në Beograd.
Një tabelë në hyrje të degës së Bankës API në Beograd.

Komisioni Evropian (KE) ka propozuar vendosjen e sanksioneve ndaj një banke dhe tri kompanive nga Serbia, me arsyetimin se ato po e ndihmojnë Rusinë t’u shmanget masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) pas agresionit rus kundër Ukrainës, mëson Radio Evropa e Lirë (REL).

KE-ja propozon që, në paketën e re të sanksioneve, të sanksionohen Banka API, pronë e Andrej Shliahovojit, si dhe tri kompani private: SIK Inovacije, P.E.C.S. dhe GIGANT 2019.

Sipas propozimit të Komisionit Evropian, të cilin e ka parë REL-i, Banka API është përfshirë në listën e institucioneve financiare që ofrojnë shërbime pagesash ose shërbime të lidhura me asetet kripto, duke e ndihmuar Rusinë t’u shmanget sanksioneve.

Ndërkaq, tri kompanitë e tjera janë identifikuar në propozimin e KE-së si subjekte që kanë eksportuar drejt Rusisë mallra me përdorim të dyfishtë – të cilat mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.

Sanksionet parashikojnë që individët dhe kompanitë nga BE-ja të mos lejohen të bashkëpunojnë me këto subjekte.

REL-i ka konstatuar se të tria kompanitë serbe të përfshira në propozimin për sanksione, kanë eksportuar mallra drejt Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, bazuar në të dhënat në dispozicion, nuk dihet se çfarë kanë eksportuar.

Një hulumtim i mëparshëm i REL-it ka treguar gjithashtu se API Banka e Shliahovojit në Serbi operonte me humbje para pushtimit rus, ndërsa pas vitit 2022 nisi të regjistronte fitime në miliona euro.

Vendimin përfundimtar për paketën e re, të 22-tën që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duhet ta marrin njëzëri të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Propozimi i Komisionit Evropian u është dorëzuar atyre më 25 nëntor.

Që nga fillimi i luftës, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur një sërë sanksionesh të gjera për të penguar Kremlinin të sigurojë para për financimin e luftës.

Në të ashtuquajturën “listë të zezë” deri më tani janë përfshirë edhe kompani të tjera serbe, të akuzuara se kanë mundësuar eksportimin drejt Rusisë të produkteve të sanksionuara, si: pajisje elektronike dhe mallra të ngjashme që mund të përdoren në industrinë ushtarake.

Këto kompani kanë përfituar miliona euro nga këto aktivitete.

Megjithatë, autoritetet e deritashme në Beograd, të cilat kanë refuzuar t’u bashkohen sanksioneve perëndimore kundër Kremlinit, kanë lejuar vazhdimin e veprimtarisë së këtyre kompanive, pasi legjislacioni në Serbi nuk e ndalon një gjë të tillë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëra prej kompanive dhe as Banka API nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me qëndrimin e tyre ndaj propozimit të Komisionit Evropian për vendosjen e sanksioneve.

Çfarë aktiviteti zhvillon Banka API?

Banka API vepron në Serbi që nga viti 2018, ndërsa fitime në miliona euro nisi të regjistronte pas pushtimit rus të Ukrainës.

REL-i raportoi në vitin 2024 se katër nga gjithsej gjashtë kompanitë nga Serbia, të cilat ishin nën sanksione perëndimore, kishin hapur llogari në këtë bankë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Në atë kohë, nga Banka API pretenduan se nuk hapnin llogari për klientë që gjendeshin në listat e sanksioneve, por nuk shpjeguan se si ishte e mundur që katër kompani të tilla kishin llogari në bankën e tyre.

Rezultatet pozitive financiare, pas vitesh të tëra operimi me humbje, banka i shpjegonte me “përshtatjen e shpejtë ndaj kushteve të tregut dhe qasjen e personalizuar ndaj të gjithë klientëve”.

Andrej Shliahovoj hyri në tregun bankar të Serbisë në korrik të vitit 2018, duke blerë degën serbe të bankës ruse VTB.

Disa muaj më vonë, banka VTB e ndryshoi emrin në API.

Në Regjistrin e Bizneseve të Serbisë, pronare e 100 për qind të aksioneve të Bankës API figuron kompania AZRS Invest DOO e Andrej Shliahovojit, e regjistruar në Beograd.

Fillimisht, Shliahovoj ishte regjistruar si pronar i AZRS Investit me pasaportë ruse. Në maj të vitit 2022, ai i ndryshoi të dhënat personale në regjistrin e bizneseve të Serbisë dhe deklaroi pasaportën e Grënadës, një shtet i Karaibeve që konsiderohet parajsë fiskale.

Gjatë vitit 2026, të dhënat e regjistrimit të kompanisë AZRS Invest u ndryshuan dhe tani si pronar i saj figuron një shtetas izraelit me të njëjtin emër: Andrej Shliahovoj.

Në Rusi, Andrej Shliahovoj njihej si milioner dhe mbajtës i një dekorate presidenciale për “ekonomist të merituar”, të cilën e kishte marrë në vitin 1999.

Pas dekadash aktiviteti në sektorin bankar, Rusia lëshoi urdhër për kërkimin e tij.

Gazeta ruse “Kommersant” raportoi se në vitin 2022 ai ishte akuzuar për mashtrim financiar në vlerë prej miliona eurosh.

Sipas gazetës, Shliahovoj ishte arratisur që nga ai vit, ndërsa hetuesit rusë dyshonin se ai kishte shkuar në Serbi.

REL-i nuk ka arritur të përcaktojë se ku ndodhet aktualisht Shliahovoj.

Vetëm dy javë pasi ai hyri në tregun bankar serb në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara e përfshinë në listën e zezë bankën e tij të atëhershme, Agrosojuz, të themeluar në Rusi.

Sanksionet u vendosën me arsyetimin se banka Agrosojuz kishte “mundësuar transaksione të konsiderueshme” në emër të një personi të përfshirë në listën e zezë për shkak të aktiviteteve që lidheshin me armët e shkatërrimit në masë dhe Korenë e Veriut.

Pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj Agrosojuzit, Andrej Shliahovoj u largua nga pronësia shumicë e kësaj banke në Rusi.

Vetëm pak ditë më vonë, në nëntor të vitit 2018, Banka Qendrore e Rusisë ia revokoi licencën Agrosojuzit, me arsyetimin se banka kishte dorëzuar dokumente të falsifikuara.

Falimentimi i bankës Agrosojuz u shpall në shkurt të vitit 2019.

Çfarë aktiviteti zhvillon kompania SIK Inovacije?

Kompania SIK Inovacije DOO, e cila është përfshirë në propozimin e Komisionit Evropian për vendosjen e sanksioneve, u themelua në prill të vitit 2022, rreth dy muaj pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Kapitali themeltar i saj ishte vetëm rreth dhjetë euro.

Kompania është e regjistruar për tregti me shumicë të makinerive dhe pajisjeve. Selinë e ka në katin e dytë të një ndërtese në komunën e Novi Beogradit.

Pronari i SIK Inovacije është shtetasi moldav, Vladimir Fachira.

Në ueb-faqen e saj, kompania e përshkruan veten si “ofruesi kryesor i zgjidhjeve industriale për industrinë e naftës, gazit dhe kimike, sektorin e energjisë dhe sektorë të tjerë”.

Sipas saj, portofoli përfshin pajisje nga më shumë se 100 prodhues.

Ndërkohë, kompania ka shënuar rritje të menjëhershme të të ardhurave, ndonëse ka vetëm një të punësuar.

Pasqyrat financiare të analizuara nga REL-i tregojnë se në fund të vitit 2022, kur u themelua, SIK Inovacije kishte të ardhura prej rreth 70.000 eurosh.

Me kalimin e viteve, të ardhurat u rritën, duke arritur në më shumë se 1.2 milion euro në fund të vitit 2025.

Siç shihet në pasqyrat financiare, pjesa më e madhe e të ardhurave nga aktiviteti afarist vinte nga shitja e mallrave në tregjet e huaja.

Të dhënat doganore, të cilat i ka siguruar REL-i, tregojnë se nga viti 2022 deri në gjysmën e parë të vitit 2025, kjo kompani eksportoi më së shumti në Turqi dhe Rusi.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, REL-i nuk ka arritur të përcaktojë se çfarë mallrash eksportonte.

Çfarë aktiviteti zhvillon kompania P.E.C.S.?

Kompania P.E.C.S. DOO, e cila gjithashtu është përfshirë në propozimin për paketën e sanksioneve, u themelua në vitin 2005 dhe aktualisht ndodhet në procedurë falimentimi.

Siç tregojnë të dhënat publike të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Serbisë, procedura e falimentimit nisi pas vendimit të Gjykatës Ekonomike në Beograd, në korrik të vitit 2026.

Falimentimit i paraprinë problemet me likuiditetin, borxhet dhe bllokimi i llogarive bankare.

Administrata Tatimore më herët ia kishte pezulluar përkohësisht kësaj kompanie numrin e identifikimit tatimor, i cili është i domosdoshëm për ushtrimin e veprimtarisë afariste.

Sipas ligjit, numri tatimor mund të pezullohet përkohësisht nëse Administrata Tatimore konstaton parregullsi në veprimtarinë e kompanisë, siç është mospërmbushja e detyrimeve tatimore.

Selia e kësaj kompanie, tashmë në falimentim, ndodhet në lagjen periferike të Beogradit, Padinska Skela. Si pronar i saj është regjistruar shtetasi serb, Goran Rankoviq.

Kompania është e regjistruar për ndërmjetësim në shitjen e produkteve të specializuara.

Të dhënat publike tregojnë se ajo ishte e angazhuar për “përfaqësimin, shitjen dhe mbështetjen teknike për prodhuesit në fushën e elektroenergjetikës, telekomunikacionit dhe ujësjellësit”.

Gjatë tri vjetëve të fundit, kompania nuk u ka dorëzuar institucioneve të Serbisë pasqyrat financiare.

Raporti i fundit publik, ai për vitin 2022, tregon se kompania kishte realizuar të ardhura prej rreth 1.3 milion eurosh.

Ndërkaq, të dhënat doganore, të cilat i ka siguruar REL-i, tregojnë se gjatë vitit 2022 dhe vitit pasues, 2023, kompania eksportonte më së shumti në Rusi.

Bazuar në të dhënat publike, REL-i nuk ka arritur të përcaktojë se çfarë mallrash eksportonte.

Çfarë aktiviteti zhvillon kompania GIGANT?

Kompania GIGANT 2019, ndaj së cilës Komisioni Evropian gjithashtu propozon vendosjen e sanksioneve, u themelua në vitin 2019 me kapital prej rreth dhjetë eurosh.

Ajo është e regjistruar për tregti me shumicë të mallrave të ndryshme, pa specializim të caktuar.

Selinë e ka në një apartament në lagjen luksoze “Beograd na Vodi”, ndërsa si pronar i kompanisë figuron shtetasi serb, Marko Stojev.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, të ardhurat e kompanisë u shumëfishuan.

Pasqyrat financiare të analizuara nga REL-i tregojnë se në fund të vitit 2021 kompania kishte të ardhura prej rreth 10.000 eurosh.

Në fund të vitit 2022, të ardhurat ishin në nivel të ngjashëm, rreth 13.000 euro, ndërsa vetëm një vit më vonë ato tejkaluan dy milionë euro.

Vitin 2025, kompania e mbylli me të ardhura prej më shumë se 11 milionë eurosh.

Ajo ka katër të punësuar.

Në ueb-faqen e saj, GIGANT 2019 thotë se ofron “një gamë të gjerë shërbimesh inxhinierike, të përshtatura për nevojat e sektorit të shëndetësisë, industrisë dhe objekteve komerciale”.

Kompania pretendon gjithashtu se ka “realizuar me sukses projekte komplekse inxhinierike në Azinë Qendrore dhe në rajon”.

Sipas saj, në Kirgiz është angazhuar në punime në aeroportin ndërkombëtar, një park industrial dhe një qendër shëndetësore në Bishkek.

Në portofolin e projekteve përfshihet edhe Kazakistani, ku, sipas kompanisë, ajo ka punuar në aeroportin e Almatit, si dhe në kompleksin e ndërtesave qeveritare në Astana.

Në portofolin e saj përmendet edhe “furnizimi dhe integrimi i plotë i pajisjeve për qendra të mëdha të të dhënave në SHBA, vendet e BE-së dhe Ballkan”.

Kompania thekson gjithashtu se bashkëpunon me “prodhuesit kryesorë botërorë të pajisjeve për ngrohje, ftohje dhe ventilim (HVAC)”, ndër të cilët përmend kompani nga Gjermania, SHBA-ja, Japonia, Koreja e Jugut dhe Kina.

Siç shihet në pasqyrat financiare, pjesa më e madhe e të ardhurave nga aktiviteti afarist vinte nga shitja e mallrave në tregjet e huaja.

Kush përfshihet në paketën e re të sanksioneve?

Me propozimin e ri për paketën e 22-të të sanksioneve, Komisioni Evropian synon ta zgjerojë ndalimin e transaksioneve me rreth 60 banka ruse, të cilat do të përjashtoheshin nga sistemi ndërkombëtar bankar SWIFT.

Në shënjestër janë edhe rrjetet e kriptovalutave dhe të pagesave në Rusi, si dhe në vendet e treta që e ndihmojnë Moskën t’u shmanget sanksioneve.

Në sektorin e energjisë, asnjë kompani evropiane nuk do të lejohej ta ndihmonte Rusinë në ndërtimin, funksionimin apo riparimin e infrastrukturës energjetike, veçanërisht të rafinerive.

Për herë të parë, ndalimi do të përfshinte edhe shërbimet në sektorin e energjisë elektrike.

Paketa parashikon gjithashtu ndalimin e hyrjes në BE për ish-luftëtarët rusë, si dhe ndalimin që shtetasit e BE-së të jenë pjesë e organeve drejtuese të kompanive në Rusi.

Masat, për herë të parë, do të përfshinin edhe sportin dhe kulturën.

Ekipet dhe sportistët rusë nuk do të mund të garonin nën flamurin rus në ngjarjet sportive në BE, ndërsa do të kufizoheshin edhe transferet financiare nga sponsorët rusë drejt organizatave sportive dhe kulturore evropiane.

A vazhdon Serbia të jetë rrugë për anashkalimin e sanksioneve?

Pjesë për avionë, mikroçipa dhe pajisje të tjera të teknologjisë së përparuar, të prodhuara në Perëndim, kanë gjetur rrugën drejt Rusisë përmes dhjetëra kompanive serbe që nga shkurti i vitit 2022.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturat “mallra me përdorim të dyfishtë”, pasi mund të përdoren në industrinë ushtarake dhe, për këtë arsye, janë subjekt i sanksioneve të rrepta.

Gjatë një viti e gjysmë, deri në mesin e vitit 2023, nga Serbia drejt Rusisë u eksportuan mallra të sanksionuara në vlerë prej së paku 71 milionë dollarësh, tregoi një hulumtim i mëhershëm i REL-it.

Autoritetet e atëhershme serbe, të udhëhequra nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiq, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës kanë përsëritur disa herë se “Serbia nuk është dhe nuk do të jetë platformë për anashkalimin e sanksioneve”.

Kështu u janë përgjigjur kritikave nga Uashingtoni dhe Brukseli, ndërkohë që Beogradi vazhdon të mos vendosë sanksione ndaj Kremlinit.

Kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë është deklaruar edhe Lista Studentore në programin e saj zgjedhor. Kjo listë fitoi zgjedhjet në fund të tetorit, duke i dhënë fund sundimit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit.

Listës Studentore tani i mbetet të formojë Qeverinë, ndërsa Brukseli po bën thirrje për përshpejtimin e integrimin evropian dhe përmbushjen e detyrimeve që Serbia ka si vend kandidat.

​
XS
SM
MD
LG