Të dashur lexues, faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë.
Prej tash, mbulimin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme e vazhdon Ekrem Idrizi.
Nga unë Valona Tela, mirë mbetshi!
Hegseth: Operacioni në Iran, më precizi në histori
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se operacioni në Iran, me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Donald Trump, është operacioni ajror më vdekjeprurës, më kompleks dhe më preciz në histori.
“Ne nuk e filluam luftën, por nën presidentin Trump, ne po e përfundojmë atë”, tha Hegseth në një adresim nga Penagoni.
Ai tha se Trump ka tërhequr vijën “pas 47 vjetësh armiqësi me Iranin”.
Paralajmëroi se kushdo që vret ose kërcënon amerikanë, do të ndiqet nga SHBA-ja - “pa kërkimfalje dhe pa hezitim”.
Arabia Saudite mbyll pjesërisht rafinerinë e madhe të naftës
Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite njoftoi se ka pezulluar pjesërisht operacionet në rafinerinë masive të naftës, Ras Tanura, pas një sulmi që shkaktoi zjarr në objekt.
Objekti Ras Tanura, i vendosur përgjatë bregdetit lindor të Arabisë Saudite në Gjirin Persik, është një nga rafineritë më të mëdha në Lindjen e Mesme dhe një shtyllë e sektorit të energjisë në këtë vend.
Kapaciteti i saj ditor i rafinimit arrin në 550.000 fuçi naftë.
"Disa njësi operative të rafinerisë u mbyllën si masë paraprake. Kjo nuk ndikon në furnizimin e tregjeve me produkte nafte", tha një burim zyrtar në Ministrinë e Energjisë në një deklaratë të publikuar nga Agjencia zyrtare e Shtypit Saudit.
Më herët, agjencia AFP, duke cituar një "burim të informuar", tha se se Ras Tanura ishte sulmuar dhe ishte në flakë.
Flaka më vonë u vu nën kontroll.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes në Arabinë Saudite, rafineria u shënjestrua nga dy dronë, të cilët u kapën dhe u shkatërruan.
Ras Tanura është një nga portet më të mëdha të naftës në botë.