Rutte: NATO nuk do të ndërhyjë në Iran
Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, i ka lavdëruar operacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, dhe tha se aleanca ushatrake nuk ka asnjë plan për të ndërhyrë në këtë luftë.
Rutte tha në një intervistë televizive: "Ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara, së bashku me Izraelin, është me të vërtetë e rëndësishme, sepse po ia zbehin shanset Iranit për të arritur fuqinë bërthamore dhe raketore".
Ai shtoi, megjithatë, se "nuk kemi absolutisht asnjë plan që NATO-ja të tërhiqet në këtë luftë ose të marrë pjesë në të".
SHBA-ja goditi më shumë se 1.200 shënjestra në dy ditët e para të luftës
Ushtria amerikane njoftoi të hënën se i ka goditur më shumë se 1.250 shënjestra në 48 orët e para të operacionit kundër Iranit.
Në një njoftim ndaras, komanda ushtarake amerikane në rajon gjithashtu njoftoi se ka kryer sulme ose shkatërruar 11 anije iraniane gjatë dy ditëve të fundit.
Si u bë Bondsteel temë pas sulmeve në Iran?
Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka nxitur grupe proruse në gjuhën serbe në aplikacionin Telegram dhe rrjete të tjera sociale të bëjnë thirrje që Irani ta sulmojë edhe bazën amerikane në Kosovë.
Kampi Bondsteel, i cili ndodhet pranë Ferizajt në Kosovë, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.
Në disa grupe në Telegram, të cilat kanë nga 10.000 deri mbi 80.000 ndjekës, publikohen edhe harta me vendndodhjen e shënuar të Bondsteel-it, të shoqëruara me komente si “Ky është kërcënimi më i madh për Iranin aktualisht”, ose harta të rrezes së raketave balistike iraniane me fokus në Kosovë, me përshkrimin “Thjesht bëje”.
Këto postimë vijnë pasi Irani kreu sulme ndaj bazave amerikane në vende të ndryshme të rajonit.
Më shumë rreth këtij artikulli mund të lexoni në tekstin më poshtë:
Trump flet për sulmet në Iran
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në deklaratat e tij të para publike drejtpërdrejt për luftën e SHBA-së në Iran, dha pak të dhëna mbi synimet e tij afatgjata për Iranin pasi lufta të përfundojë.
Trump përshkroi qëllimet e tij ushtarake, të cilat përfshijnë shkatërrimin e programit të raketave balistike të Iranit, forcave detare dhe aftësisë së Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore.
Ai gjithashtu dha një përditësim mbi vlerësimin e tij për kohëzgjatjen e mundshme të luftës, duke thënë se administrata fillimisht kishte parashikuar se ajo mund të zgjaste “katër deri në pesë javë”.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, Trump la të kuptohej për një angazhim afatgjatë nëse do të jetë e nevojshme. “Sado që të nevojitet kohë, është në rregull. Çfarëdo që të duhet”, tha Trump.
Presidenti nuk foli për të ardhmen politike të Iranit, një çështje madhore tani që është vrarë udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, dhe mbetet e paqartë se kush do ta zëvendësojë atë.
Trump gjithashtu nuk dha shpjegime se si SHBA-ja planifikon të reagojë nëse lufta përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal.
Më herët, Trump paralajmëroi në një intervistë për CNN se “vala e madhe” e sulmeve ndaj Iranit ende nuk ka ardhur.
“Ne nuk i kemi goditur fort ende. Vala e madhe as që ka filluar. Vala kryesore do të vijë së shpejti”, shtoi ai.
Ai më pas i kujtoi audiencës në ceremoninë e ndarjes së medaljeve se lufta aktuale “mund të zgjasë shumë më gjatë” se një muaj.