Kuvajti ndalon disa dronë iranianë
Dy ditë pas nisjes së konfliktit të Izraelit dhe SHBA-së me Iranin, sulmet hakmarrëse të Republikës Islamike ndaj vendeve fqinje që strehojnë baza ushtarake amerikane, vazhdojnë.
Të hënën në mëngjes, Kuvajti njoftoi se ka rrëzuar disa dronë sulmues iranianë.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Kuvajtit, duke cituar Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes Civile, raportoi se shumica e dronëve u kapën pranë lagjeve Ramatjah dhe Salva.
Raporte për të lënduar nga këto sulme nuk ka.
"Masa paraprake" në bazën RAF në Qipro
Administrata e Zonave të Bazave Sovrane në Qipro tha se ka plane për "shpërndarjen e përkohshme të personelit jothelbësor", të vendosur në bazën britanike RAF Akrotiri.
Baza ajrore RAF Akrotiri u godit nga një sulm i dyshuar me dron, sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes.
Shpërndarja e personelit është një "masë paraprake", thuhet në deklaratë.
"Ndërsa e kuptojmë që njerëzit mund të jenë të shqetësuar, ne nuk besojmë se kjo është e nevojshme. Shpërndarja e përkohshme vlen vetëm për Stacionin RAF Akrotiri", thekson deklarata.
Sipas saj, objektet e tjera në Episkopi, Dhekelia dhe Ayios Nikolaos do të funksionojnë "si zakonisht".
Dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Liban
Sulmet izraelite në Bejrut dhe në Libanin jugor lanë të vrarë 31 persona dhe të plagosur 149 të tjerë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Izraeli njoftoi mëngjesin e së hënës se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant - i mbështetur nga Irani - mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.
Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit - bastion i Hezbollahut.
OBSH-ja shpreh shqetësim për dëmet e raportuara në Spitalin Gandhi në Teheran
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shprehu shqetësim pas raporteve fillestare për dëme në Spitalin Gandhi në Teheran, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Ghebreyesus tha se OBSH-ja po i heton dhe verifikon këto raporte.
"... por, ato shërbejnë si një kujtesë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar që institucionet shëndetësore, të përfshihen në konfliktin e vazhdueshëm. Objektet shëndetësore mbrohen me ligjin ndërkombëtar humanitar", tha Ghebreyesus.
Raportet fillestare nga Irani tregojnë se gjatë sulmeve, spitali është dëmtuar, ndërsa, sipas disa imazheve të publikuara, personeli dhe pacientët janë evakuuar.